Covid, regjistrohen 117 viktima në Itali! 5.6 milionë raste infeksioni në botë… Brazili epiqendër e pandemisë, tejkalon SHBA dhe Europën

Covid, regjistrohen 117 viktima në Itali! 5.6 milionë raste infeksioni në botë… Brazili epiqendër e pandemisë, tejkalon SHBA dhe Europën

Vdekjet në lidhje me koronavirusin në të gjithë botën kanë tejkaluar shifrën 350,000 (saktësisht 350,423) kurse numri i përgjithshëm i rasteve pozitive janë pothuajse 5.6 milionë. 

Epiqendra në Amerikën Latine 

Sipas OBSH, Amerika Latine është epiqendra e re e epidemisë Covid-19. Amerika Latine ka kapërcyer si Evropën ashtu edhe Shtetet e Bashkuara nga numri i infeksioneve, me 2.4 milion infeksione dhe mbi 143,000 vdekje. 

Mbi një mijë viktima në Brazil 

Në Brazil në 24 orët e fundit u regjistruan 1039 viktima nga koronavirusi për një total prej 24512. Po ashtu u regjistruan edhe më shumë se 16 mijë infeksione të reja që e rrisin totalin e rasteve të prekur nga Covid në 392 222. 

Ulet numri i viktimave në SHBA 

Në Shtetet e Bashkuara u regjistruan më pak se 700 vdekje të koronavirusit për të tretën ditë radhazi.

Sipas të dhënave më të fundit nga Universiteti Johns Hopkins, në 24 orët e fundit pati 657 për gjithsej 98.875. Autoritetet kanë raportuar se numri i përgjithshëm i infeksioneve është 1.6 milionë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 17:59
Covid, në Itali regjistrohen 2443 të shëruar dhe 117 vdekje në 24 orët e fundit

Sipas autoriteteve të Mbrojtjes Civile Italiane gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 117 viktima nga koronavirusi për një total prej 33 072

Sot numri i të shëruarve në Itali ishte 2443 persona teksa numri i përgjithshëm i tyre ka shkuar në 147 101

Autoritetet raportuan gjithashtu se sot u regjistruan edhe 584 raste të reja pozitiv për një total prej 231 139

Në Rajonin e Lombardisë sot u regjistruan 58 viktima nga koronavirusi.

Gjithashtu sot u identifikuan 384 raste të reja pozitive për një total prej 24.037

Ora 17:18
Covid-19 në Britani, rritet numri i viktimave nga koronavirusi

Koronavirusi vijon të shkaktojë viktima në Britaninë e Madhe.

Sipas të dhënave të fundit, brenda 24 orëve kanë humbur jetën 209 persona, duke shënuar rritje në krahasim me ditën e djeshme.

Sot ka 75 viktima më shumë se dje dhe totali ka shkuar në 37 mijë e 257.

Anglia shënoi 183 viktima kurse vendet e tjera regjistruan Skocia 13, Uellsi 11 kurse më pak ka Irlanda e Veriut, vetëm dy.

Britani është një nga vendet më të prekura nga pandemia Covid-19, por pavarësisht numrit të viktimave, ky vend ka hartuar planin e heqjes së masave kufizuese.

Ora 16:55
Covid, Qipro do mbulojë shpenzimet e turistëve të infektuar nga koronavirusi

Qiproja ka premtuar të mbulojë shpenzimet e kujtdo turisti që rezulton pozitiv me koronavirus gjatë pushimeve në këtë ishull në Mesdhe.

Qeveria qipriote ka thënë se do të mbulojë shpenzimet e akomodimit të përkohshëm, ushqimit, pijeve dhe ilaçeve për pacientët me COVID-19 dhe familjet e tyre. Pacientët do të duhet të paguajnë vetëm për një udhëtim taksi nga shtëpia në aeroport.

Spitali me 100 shtretër do të ndahet për pasagjerët e huaj që testohen pozitivisht, ndërsa 12 vende në kujdes intensiv dhe 200 respiratorë do të rezervohen për pacientët me gjendje kritike, raportojnë agjencitë.

Një “hotel karantinë” special me 500 dhoma do të caktohet për të akomoduar familjet e pacientëve dhe kontakte të tjera të ngushta.

Ky informacion përmbahet në një letër me pesë faqe të dërguar qeverive, linjave ajrore dhe agjencive të udhëtimit. Aty janë përshkruar protokollet e rrepta të shëndetit dhe higjienës që do të jenë në fuqi në Qipro.

Turizmi ka një pjesë të drejtpërdrejtë të ekonomisë qipriote prej 13 përqind. Shteti pret të humbasë 70 përqind të 2.6 miliardë eurove në të ardhurat e vlerësuara të turizmit këtë vit.

Fluturimet ndërkombëtare për në Qipro fillojnë në 9 qershor fillimisht nga 19 vende, dhe pasagjerët duhet të testohen për COVID-19 tre ditë para mbërritjes.

Masa do të hiqet në 20 qershor për 13 vende, përfshirë Gjermaninë, Finlandën, Izraelin, Greqinë dhe Norvegjinë.

Ora 16:21
Kancelarja Merkel thotë se Europa është ende në fillim të pandemisë Covid-19

Qeveria federale e Gjermanisë po monitoron situatën e pandemisë nga afër, por përgjegjësia praktike qëndron gjithnjë e më shumë në 16 shtetet rajonale, tha kancelarja gjermane, Angela Merkel.

Ajo porositi që të tregohet kujdes, për të shmangur përhapjen e virusit, duke kërkuar zbatimin e masave të distancës fizike dhe vendosjes së maskës mbrojtëse.

"Ne akoma jemi në fillimin e pandemisë", u tha ajo gazetarëve, transmeton Reuters.

Sipas të dhënave të Universitetit John Hopkins, në Gjermani janë regjistruar gjithsej 181,293 raste me COVID-19, dhe 8,408 viktima.

Të hënën Gjermania ka lehtësuar masat e izolimit duke lejuar hapjen e restoraneve.

Gjermania është zhytur në recesion, pasi pësoi tkurrjen e saj më të madhe tremujore, që nga kriza financiare e vitit 2009.

Ekonomia u tkurr me 2.2% në tre muajt e parë të vitit 2020, pasi dyqanet dhe bizneset u mbyllën, në mes të marsit, për të luftuar përhapjen e koronavirusit të ri që e shkakton sëmundjen COVID-19.

Ora 15:43
Covid, Suedia regjistron 95 të vdekur në 24 orë dhe mbi 35 mijë raste

Autoritetet e shëndetësisë në Suedi kanë raportuar se në 24 orët e fundit në vend janë regjistruar 95 viktima nga infeksioni i koronavirusit, duke e rritur totalin e viktimave në 4224.

Rastet e Covid-19 në të vetmin vend në botë që kurrë nuk vendosi masa bllokimi dhe izolimi tejkaluan shifrën 35,000 pasi në një ditë u regjistruan 648 raste të reja të identifikuar pozitivë nga koronavirusi.

Numri i vdekjeve e rendit Suedinë në vendin e gjashtë në të gjithë botën në raport me popullsinë. Stokholmi, për sa i përket vdekjeve në raport me popullsinë, është më keq se Shtetet e Bashkuara, Gjermania dhe Hollanda, por edhe me vendet në zhvillim që po përballen me probleme serioze me Covid-19, siç janë Meksika, Brazili dhe India.

Masat e buta të bllokimit dhe izolimit duket se nuk kanë patur efekt të rëndësishëm në rritjen ekonomike.

Të dhënat e Komisionit Europian parashikojnë që Suedia do të pësojë një rënie prej 6.1% të PBB-së, rënie prej 5.2% të konsumit privat dhe një rritje të papunësisë nga 6.8% në 9.75% në vitin 2020.

Ora 14:06
Mbi 370 mijë të infektuar/ Moska iu ofron banorëve të saj teste falas për COVID-19

Moska ka nisur të kryejë testime falas tek banorët për të kuptuar praninë e koronavirusit.

Qytetarët regjistrohen përmes rrugëve elektronike në spitale për të kryer testin e antitrupave, ndërsa rezultate do të jetë gati brenda tri ditëve. Qendrat shëndetësore në kryeqytetin rus mund të mbledhin deri në 5 mijë mostra në ditë.

Rusia ka konfirmuar 8,338 raste të reja këtë të mërkurë, duke e çuar numrin e përgjithshëm të të infektuave në 370,680.

Presidenti Vladimir Putin pritet që të zhvillojë një vdeo-konferencë me kryebashkiakun Sergei Sobayanin për të diskutuar rreth situatës së shkaktuar nga virusi.

Sobayanin tha të martën se shumë biznese në Moskë do të rihapen së shpejti.

Ora 14:05
Nga sot nisin në Spanjë dhjetë ditët e zisë kombëtare për viktimat e Covid

Duke filluar nga dita e sotme Spanja ka shpallur dhjetë ditë zi kombëtare për të nderuar 27 mijë viktimat e infeksionit nga koronavirusi.

Në 14 mijë institucione publike flamuri spanjoll do të valëvitet në gjysëm- shtizë deri më 5 qershor

Kjo është përiudha më e gjatë e zisë e regjistruar në 40 vite demokraci.

Shpallja e zisë kombëntare u njoftua nga Kryeministri Pedro Sanchez i cili tha se "Të gjithë ne do të ndalemi për të përkujtuar viktimat e fatkeqësisë më të rëndë të shekullit. Sfida e rindërtimit është mbi ne”.

Pedro Sanchez tha gjithashtu se "Të ndjerit meritojnë kujtesën tonë, por edhe harmoninë tonë, ne do të duhet të jetojmë së bashku në të njëjtin vend që ata ndërtuan".

Sanchez gjithashtu njoftoi se nga korriku Spanja do të lejojë hyrjen e turistëve të huaj.

Spanja, së bashku me Italinë, janë në mesin e vendeve më të prekura nga epidemia e Covid-19 në Europë

Ora 12:46
Covid, në Rusi regjistrohen 8.338 raste infeksioni dhe 161 vdekje në 24 orë

Rusia ka regjistruar 8,338 raste të tjera të reja të koronavirusit.

Sipas të dhënave nga qendra kombëtare e reagimit, deri tani ka patur 370,680 infeksione në të gjithë vendin që nga fillimi i pandemisë, një rritje prej 2.3%.

Në 24 orët e fundit në vend janë regjistruar gjithashtu 161 viktima për një total prej

3.968.

Nga totali i të infektuarve, 40,8% janë regjistruar në Moskë, kurse pjesa tjetër kryesisht në Shën Petersburg.

Ora 10:24
Covid, ulet numri i vdekjeve në Francë, regjistrohen 92 viktima në 24 orët e fundit

Numri në rënie i të vdekurve nga koronavirusi i ri (COVID-19) në Francë është një shenjë e vazhdueshme e përmirësimit, pasi sipas të dhënave të fundit të Ministrisë së Shëndetësisë vendi pritet të del nga epidemia.

Në javën e tretë të izolimit të vendit, sot u regjistruan gjithsej 92 vdekje, një më pak se dje. Numri i përgjithshëm i vdekjeve në spitale që nga fillimi i përhapjes së sëmundjes është 18.195 ndërsa numri i vdekjeve në shtëpitë e pleqve është 10.335.

Që nga fillimi i përhapjes së sëmundjes, numri i të vdekurve në Francë është në 28.530, ndërsa numri i rasteve të konfirmuara është ka shënuar një rritje prej 276, duke arritur në 145.555. Numri i të hospitalizuarve ka rënë ndjeshëm sot, për 534, duke arritur në 16.264. Numri i të pacientëve në kujdes intensiv ra për 54 në krahasim me ditën paraprake, duke arritur në 1.555.

Përkundër ashpërsisë së virusit, shumica e njerëzve pësojnë simptoma të buta dhe shërohen. Që nga fillimi i përhapjes së virusit, në Francë janë shëruar 65.879 persona nga COVID-19. Pasi për herë të parë u shfaq dhjetorin e kaluar në Wuhan të Kinës, koronavirusi është përhapur në mbarë botën, ndërsa Organizata Botërore e Shëndetësi (OBSH) shpërthimin e ka shpallur pandemi globale.

Ora 10:08
Koreja e Jugut regjistron numrin më të madh të rasteve me koronavirus në disa javë

Koreja e Jugut raportoi shtimin më të madh të rasteve të reja me koronavirus, pas shtatë javësh. Ky vend është konsideruar si model global për frenimin e koronavirusit, me anë të testimeve masive.

Zyrtarët njoftuan për 40 raste të reja sot - shumica e tyre në një zonë të populluar metropolitane të Seulit. Ky është numri më i lartë qysh më 8 prill, kur janë raportuar 53 raste të reja.

Deri tani në vend janë regjistruar 11 265 raste infeksioni dhe 269 viktima.

Ora 09:44
Covid-Gjermania zgjat rregullat e distancimit social deri më 29 qershor

Qeveria gjermane dhe drejtuesit e landeve vendosën që të zgjasin rregullat e distancimit social dhe fizik deri më 29 qershor për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.

Marrëveshja e konfirmuar nga zëdhënësi i qeverisë vjen pas debateve midis qeverisë qendrore dhe landeve se sa shpejt duhet të lehtësohen masat, që e kanë ndihmuar Gjermaninë për të patur një raport më pak negativ të pandemisë se vendet tjera në Europë sa i përket vdekjeve nga koronavirusi.

Deri tani Gjermania ka regjistruar 181 200 raste infeksioni dhe 8372 viktima

Ora 09:23
Covid-Turqi, shkon në 158 mijë numri i rasteve, mbi 4 mijë viktima nga koronavirusi

Ministri turk i Shëndetësisë, Fahrettin Koca, ka njoftuar se në Turqi numri i vdekjeve nga koronavirusi është rritur në 4.397, me vetëm 28 vdekje të raportuara në 24 orët e fundit.

Në llogarinë e tij në Twitter, Koca po ashtu njoftoi se në 24 orët e fundit janë regjistruar 948 raste të reja me koronavirus, ku numri i përgjithshëm i rasteve të zbuluara është rritur në 158.762. Koca po ashtu theksoi se 1.492 pacientë të tjerë janë shëruar nga koronavirus, ku numri i përgjithshëm i pacientëve të shëruar nga ky virus është 121.507.

Autoritetet turke shëndetësore në 24 orët e fundit kanë kryer 19.800 teste të dyshuara për COVID-19, ndërsa që nga shpërthimi i pandemisë numri i testeve të kryera është mbi 1.87 milionë. Pas shfaqjes për herë të parë dhjetorin e kaluar në Wuhan të Kinës, koronavirusi është përhapur në mbarë botën, por aktualisht SHBA, Rusia, Brazili dhe disa vende evropiane janë vendet më të prekura nga ky virus në botë.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Serbia ia refuzon Sveçlës kërkesën për vizitë në Luginë

Serbia ia refuzon Sveçlës kërkesën për vizitë në Luginë