Historianë, studiues, veteranë të Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare dhe UÇK-së, diskutuan në Akademinë e Shkencave për Masakrën e Tivarit, e ndodhur në pranverën e vitit 1945, kur mijëra shqiptarë të Kosovës u mobilizuan nga autoritetet jugosllave dhe u dërguan drejt Tivarit në Mal të Zi.

Organizata e veteranëve të LANÇ propozoi që dy qeveritë, të iniciojnë një kallëzim penal në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë për aktin barbar ndaj shqiptarëve.

“Ky regjim ushtarak serbo-jugosllav shpalli një mobilizim të përgjithshëm të shqiptarëve nga Kosova, Dukagjini, Llapi e zona të tjera, gjoja për t’i transportuar në fronte të tjera ushtarake. Në fakt, ata u grumbulluan dhe u çuan në Tivar për t’u vrarë. Vlerësojmë që Shqipëria dhe Kosova duhet të paraqesin kallëzim penal në Hagë për këtë masakër”, tha Idajet Beqiri, nënkryetar i OPV të LANÇ-it.

Historiani Pëllumb Xhufi thotë se trajtimi i kësaj ngjarjeje është deformuar nga politika dhe se dokumentet historike flasin qartë për përgjegjësinë e strukturave jugosllave.

“Tha diçka ish-presidenti Ramiz Alia në kohën kur ishte kryeministër Berisha dhe ai menjëherë e çoi problemin në parlament. Krijoi një komision parlamentar hetimor për Masakrën e Tivarit që u bë me bujë, por që nuk zbuloi asgjë dhe pastaj u la në heshtje. Historianët seriozë kërkojnë që Masakra e Tivarit të trajtohet me përgjegjësi shkencore dhe jo me emocione politike. Kjo është një tragjedi që ka prekur çdo familje kosovare dhe nuk mund të përdoret për qëllime politike apo për të deformuar historinë”, tha historiani Pëllumb Xhufi.

Në konferencë foli edhe ish-udhëheqësi i UÇK-së, Ismet Sylejmani, i cili e cilësoi Masakrën e Tivarit si një krim të organizuar nga strukturat serbo-jugosllave ndaj shqiptarëve të Kosovës.

““Propaganda pushtuese, armiqësore, anti-kombëtare shqiptare, propaganda e gjakut të zi, të prishur dhe tradhëtarë shqiptarë, ka arritur në masë të shpërndajë me anë të falangave të saj, se një masakër të tillë anti-shqiptare në Tivar të Malit të Zi, ku u vranë mbi 3277 burra, partizanë dhe luftëtarë shqiptarë nga Kosova. Masakra e Tivarit është një nga krimet më të rënda ndaj shqiptarëve të Kosovës. Serbia ka kryer masakra të shumta mbi shqiptarët, por kjo mbetet më e veçanta sepse ndodhi jashtë territorit të Kosovës. Faktet historike tregojnë qartë autorët e kësaj tragjedie”, tha ish-udhëheqësi i UÇK-së, Ismet Sylejmani.

Pjesëmarrësit në konferencë kërkuan më shumë angazhim institucional për dokumentimin e plotë të ngjarjes, si dhe për ndërkombëtarizimin e çështjes së Masakrës së Tivarit, me synimin për t’u dhënë drejtësi viktimave dhe familjeve të tyre.