COVID, në 24 orë 333 viktima në Itali! Nga sot në Gjermani maska e detyrueshme...Kryeministri britanik Johnson rikthehet në detyrë

COVID, në 24 orë 333 viktima në Itali! Nga sot në Gjermani maska e detyrueshme...Kryeministri britanik Johnson rikthehet në detyrë

Ka zbritur në 1330 numri i viktimave në 24 orët e fundit në SHBA, një ulje e fortë kjo po ta krahasojmë më rreth 2500 vdekje një ditë më parë.

Numri i përgjithshëm i atyre që kanë humbur jetën që nga fillimi i pandemisë në SHBA është afër 55,000 dhe rastet e infektimit janë 965,000.

Sipas të dhënave të AFP, pandemia ka vrarë të paktën 204,696 njerëz në mbarë botën që nga dhjetori me një total prej mbi 2.9 milion raste të diagnostikuar në 193 vende dhe territore.

Shtetet e Bashkuara janë vendi më i prekur, me 54.841 vdekje dhe pothuajse 964.937 infeksione të konfirmuara, e ndjekur nga Italia (26.644 vdekje), Spanja (23.190), Franca (22.856) dhe Mbretëria e Bashkuar (20.732) megjithëse statistikat britanike nuk përfshijnë shtëpitë e të moshuarve ku kanë vdekur disa mijëra.

Në proporcion me popullsinë, duke përjashtuar mikro-shtetet, vdekshmëria është më e lartë në Belgjikë (612 vdekje për milion banorë), e ndjekur nga Spanja (496), Italia (441), Franca (350) dhe Mbretëria e Bashkuar (305) . Shtetet e Bashkuara (164) janë shumë larg.

Nga sot në Gjermani maskat janë të detyrueshme

Nga sot në Gjermani mbajtja e maskës është bërë e detyrueshme. Në Bavari mosmbajtja e maskës gjobitet deri në 150 euro kurse në Berlin nuk parashikohen masa ligjore apo administrative për ata që kur dalin në rrugë nuk mbajnë maskë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:12
Covid-19, në Itali 333 viktima nga koronavirusi, 66 624 totali i të shëruarve që nga fillimi i pandemisë

Sipas autoriteteve të Mbrojtjes Civile Italiane gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar  333 viktima nga koronavirusi, për një total prej 26977 vdekje që nga fillimi i epidemisë. 

Numri i përgjithshëm i të të shëruarve është rritur në 66624 

Autoritetet raportuan gjithashtu edhe për 1739 raste të reja pozitiv nga Covid-19, për një total prej 199414  që nga fillimi i epidemisë

Në kujdesin intensiv janë të shtruar 53 pacientë më pak se dje  për një total prej 1956

Në Lombardi u regjistruan sot 1.000 pacientë më pak të shtruar në spital dhe 124 të vdekur.

Teksa kurba e pandemisë po vazhdon të ulet nga dita në ditë, Kryeministri italian Giuseppe Conte ka prezantuar lehtësimin e masave të izolimit dhe bllokimit dhe hyrjen në fazën 2 të pandemisë që do të fillojë pas 4 majit.

Disa aktivitete të kompanive të konsideruara strategjike kanë nisur nga puna që nga dita e sotme.

Më 4 maj, do rinisë aktivitetin tregtia me shumicë dhe pas datës 18 edhe ajo me pakicë.

Plani i qeverisë është gjithashtu që duke filluar nga data 1 qershor të rihapen baret, restorantet, parukeritë, sallonet e bukurisë, berberët dhe qendrat e masazheve gjithmonë me masa të adoptuara kurse shkollat do të qëndrojnë të mbyllura deri në shtator.

Ora 17:09
Covid-19, konsumuan alkol në sasira të mëdha për t'u mbrojtur nga koronavirusi, në një muaj 700 të vdekur në Iran

Mbi 700 njerëz vdiqën në Iran në muajin e parë të vitit të ri Persian (20 Mars - 19 Prill) për arsye se kishin konsumuar alkol në sasira të mëdha, me besimin se kjo do të ndihmonte në mbrojtjen e organizmit nga infeksioni i koronavirusit.

Zëvendësministri iranian i shëndetësisë, Iraj Harirchi tha se “Janë mbi tre mijë raste të helmimeve të regjistruara në provinca të ndryshme të Republikës Islamike, ku shitja e alkoolit është e ndaluar, por ka patur edhe raportime për episodet të ndryshme të kontrabandës.

Iraj Harirchi, tha se shkalla ditore e vdekjeve nga koronavirusi ka rënë për rreth 70 për qind në krahasim me ditën kur ishte arritur kulmi i pandemisë, ndërsa numri i pacientëve nëpër spitale është përgjysmuar.

Irani është vendi më i prekur nga Covid-19 në Lindjen e Mesme. Ai është përballur me vështirësi financiare dhe i ka kërkuar 5 miliardë euro hua emergjente nga Fondi Monetar Ndërkombëtar për ta luftuar pandeminë.

Ndërkohë Irani renditet në dhjetë vendet më të goditura nga pandemia e Covid-19. Numri i përgjithshëm i personave të testuar pozitiv nga koronavirusi është më shumë se 91 000 kurse numri i viktimave është rritur në më shumë se 5800.

Ora 16:51
Covid, Italia e dyta në botë (për numër popullsie) për testet e tamponit të kryera

Angelo Borrelli, Shefi i Departamentit të Mbrojtjes Civile tha se Italia është ndër vendet e para në botë, (për numër popullsie), për testet e tamponit të kryera.

Deri para disa javësh, Ministria e Shëndetësisë kishte bërë të qartë se "nëse aftësia e laboratorëve që analizojnë testet është e kufizuar", testet e tamponit duhet të bëhen vetëm për pacientët që hyjnë në kategori të caktuara prioritare - ata të shtruar në spital, punonjës të shëndetit dhe pacientët më të brishtë ndaj sëmundjes - dhe se "të gjithë individët e tjerë që paraqesin simptoma mund të konsiderohen raste të mundshme dhe duhej të izoloheshin".

Por duket se tani gjithçka ka ndryshuar. Në një muaj Italia ka katërfishuar testet e tamponit dhe tani numërohen të testuar rreth  2.9% e popullsisë së saj, duke u renditur e dyta në botë, për numër popullsie, pas Emirateve Arabe.

Ora 16:23
Covid, bie edhe në Belgjikë numri i pacientëve të infektuar nga koronavirusi

Belgjika ka njoftuar për numrin më të ulët të pacientëve që kanë kërkar ndihmë shëndetësore në spitalet e vendit. Gjatë 24 orëve të fundit vetëm 127 persona kërkuan ndihmë mjekësore.

Ky është numri më i ulët që nga 18 marsi.

Kanë kaluar shtatë javë që prej se ky vend ka ndërmarrë masa të izolimit për të parandaluar përhapjen e koronavirusit të ri.

Belgjika është një nga vendet më të goditura në botë nga pandemia e koronavirusit.

Numri i përgjithshëm i të infektuarve është 46,687.

Autoritetet kanë njoftuar se që nga 4 maji do të fillojnë me lehtësimin e masave të izolimit.

Ora 15:40
Covid, Pekini dhe Shanghai rihapin shkollat e mesme! Masat parandaluese të detyrueshme: termoskaneri dhe aplikacioni anticovid

Pekini dhe Shanghai, dy qytetet më të rëndësishme në Kinë, kanë hapur dyert e shkollave për mijëra studentë të shkollave të mesme pas masave bllokuese dhe ato të izolimit në përgjigje të pandemisë nga koronavirusi.

 Në kryeqytet, ndër masat parandaluese të miratuara, studentëve u matet temperatura e trupit në hyrje të ndërtesave shkollore dhe iu duhet gjithashtu të tregojnë kodin jeshil në aplikacionin që aktualizon rrezikun e infeksionit personal, sipas asaj që u tha nga Ministria e Arsimit në Pekin.

Në Chongqing, një megalopol me 30 milion banorë, rihapja për kolegjet dhe studentë të universitetit është planifikuar për në datën 11 maj

Ora 14:39
Covid-Spanjë, kriza e koronavirusit ushqen krizën sociale

Në Spanjë, pandemia nga koronavirusi është duke shkaktuar mijëra viktima ekonomike dhe sociale.

Shërbimet sociale nuk janë në gjendje të përballojnë shumë kërkesa; Për familjet pa fëmijë është gjithnjë e më e vështirë të marrin ndihma, mensat sociale po bëhen gjithnjë e më shumë të mbipopulluara. Qëkurse filloi bllokada, kërkesat për ndihmë sociale janë trefishuar.

Spanja është vendi ku varfëria është rritur më shumë gjatë dekadës së fundit. Kriza e mëparshme ekonomiko-financiare la 600,000 familje pa të ardhura dhe një treg shumë të brishtë të punës.

Situata tani është edhe më ekstreme. Spanja po bëhet një shoqëri më e polarizuar shoqërore. Kjo mund të çojë në mbingarkesë në shërbimet sociale.

Spanja është një nga vendet që është goditur më shumë nga pandemia e Covid teksa numri i përgjithshëm i rasteve të infeksionit është mbi 236 mijë për një total vdekjesh prej rreth 23 500

Ora 14:30
Covid, Zvicra lehtëson masat e izolimit dhe bllokimit, Norvegjia rihap shkollat

Zvicra ka filluar të lehtësojë masat e miratuara për të kufizuar përhapjen e koronavirusit. Nga sot rinisin aktivitetet parukierët, qendrat e masazhit, qendrat e bukurisë dhe shumë aktivitete tregtare.

Norvegjia, fëmijët kthehen në shkollë

Në Norvegjis nga dita e sotme janë rihapur shkollat e disa niveleve pas gjashtë javë mësimi në distancë. Qeveria pretendon se e ka nën kontroll epideminë dhe për këtë arsye ka vendosur të rifillojë mësimin në cikle shkollorë, megjithëse disa prindër kanë shprehur shqetësim për këtë vendim.

Një javë më parë ishte radha e rinisjes së mësimit për për fëmijët nga 6 deri në 10 vjeç. Numri i nxënësve në klasa është reduktuar në maksimum, deri 15 studentë. Detyrimi i distancimit shoqëror dhe ndalimi i ngjarjeve sportive ende mbesin në fuqi.

Ora 13:58
Rusia tejkalon Kinën për nga numri i të infektuarve me COVID-19

Në Rusi vijon rritja me hapa të frikshëm e numrit të rasteve me koronavirus pasi për të 10 ditë radhazi raportohen mbi 4 mijë raste.

Gjatë 24 orëve të fundit numri i të infektuarve është rritur me 6,198 pacientë duke e çuar kështu numrin total në 87,147 raste që do të thotë se Rusia bëhet vendi i 9-të që kalon Kinën për nga numri i të infektuarve.

Në spitale kanë ndërruar jetë 47 pacientë duke e cuar totalin në 794 ç’ka është një shifër relativisht e vogël krahësuar me vendet e tjera me përhapje të ngjajshme.

Ora 13:02
Covid- Boris Johnson rikthehet në detyrë: Mund të kisha vdekur...nga përvoja personale, hera e dytë e pikut do ishte katastrofik

Kryeministri britanik Boris Johnson është rikthyer me paraqitjet e tij në publik, për herë të parë pasi u shërua nga infeksioni i koronavirusit, për të shpjeguar se kurba në  Mbretërinë e Bashkuar ka filluar të reagojë pozitivisht, por që gjithsesi, sipas tij, ende nuk është koha për të lehtësuar masat e izolimit dhe bllokimit.

Johnson tha se nga Covid mund edhe të kishte vdekur dhe se koronavirusi është një armik i padukshëm dhe që vepron në mënyrë të papritur dhe se ky është një konkluzion që siç u shpreh ai, “nga përvoja personale”

Për Boris Johnson ndryshimi i tendencës së kurbës i detyrohet masave të ndërmarra nga qeveria e tij dhe respektimi i izolimit nga ana e britanikëve. Por kryeministri gjithashtu theksoi se ende kujdesi është shumë i nevojshëm dhe se masat e distancimit shoqëror duhet të vazhdojnë.

"Kjo është një kohë mundësish" dhe megjithatë është gjithashtu "kohë e rrezikut maksimal", tha Kryeministri Britanik Johnson teksa pranoi se sa "e vështirë dhe stresuese është të heqësh dorë nga liritë tona të lashta dhe themelore, madje edhe përkohësisht". Ai gjithashtu paralajmëroi se një relaksim i parakohshëm i kufizimeve mund të shkaktojë një pikë të ri pandemik i cili sipas tij do të ishte katastrofik, si në planin njerëzor, ashtu edhe në planin ekonomik.

Ora 12:29
Covid, rritet sërish në Spanjë numri i viktimave nga koronavirusi

Rritet sërish në Spanjë numri i viktimave nga koronavirusi, ndërsa numri i përgjithshëm i njerëzve të shëruar deri tani tejkalon shifrën e 100,000.

Sipas të dhënave zyrtare të lëshuara këtë mëngjes nga Ministria e Shëndetësisë dhe të raportuara nga gazeta El Pais, në 24 e fundit orë janë regjistruar 331 vdekje - përkundër 288 viktima në 24 orët e mëparshme.

Numri total i vdekjeve në Spanjë është rritur në  23.521 ndërsa numri i përgjithshëm i rasteve të infeksionit është 209.465.

Nga dita e sotme në Spanjë kanë rinisur punën disa biznese të mbyllura si pasojë e situatës së pandemisë. Të dielën vendi lejoi daljen e fëmijëve pas rreth 1 muaji izolimi të fortë i cili u bë i detyrueshëm pasi Spanja në pikun e pandemisë raportonte rreth 7-8 mijë raste ditore dhe mbi 800 të vdekur.

Ora 11:58
Covid, më 4 maj rihapen aktivitetet esenciale edhe në Itali! Baret dhe restorantet më 1 qershor, shkollat në shtator (VIDEO)

Mesa duket muaji maj do të jetë për të gjitha vendet e Europës muaji i kalimit në fazën 2 të pandemisë nga koronavirusi.

Kryeministri italian Giuseppe Conte ka prezantuar gjatë një konference për shtyp lehtësimin e masave të izolimit dhe bllokimit dhe hyrjen në fazën 2 të pandemisë që do të fillojë pas 4 majit.

Conte tha se në këtë fazë, sjellja e përgjegjshme e gjithësecilit është thelbësore ashtu si dhe ruajtja e distancës nga njëri njëri.

Disa aktivitete të kompanive të konsideruara strategjike do të nisin nga puna që nga dita e sotme.

Më 4 maj, do rinisë aktivitetin tregtia me shumicë dhe pas datës 18 edhe ajo me pakicë.

Plani i qeverisë është gjithashtu që duke filluar nga data 1 qershor të rihapen baret, restorantet, parukeritë, sallonet e bukurisë, berberët dhe qendrat e masazheve gjithmonë me masa të adoptuara.

Ka gjithashtu edhe një plan për hapjen e sezonit të plazhit ne vendet bregdetare kurse shkollat do të mbeten të mbyllura deri në shtator.

Muzetë dhe ekspozitat si dhe vendet e tjera kulturore në natyrë do te rihapen më 18 maj.

Gjatë fazës 2 do të lejohet lëvizja brenda rajoneve por jo jashtë tyre. Do lejohen vizitat te të afermit por me maska dhe duke mbajtur distancën fizike.

Nuk do të lejohet organizimi i festave private për të rinjtë ose të rriturit.

Do lejohet hyrja në parqe, vila dhe kopshte publike por duke respektuar masat, në të kundërt do të rimbyllen përsëri.

Gjatë funeraleve do jetë e lejueshme pjesëmarrja e deri 15 personave me maska dhe e detyrueshme respektimi i distancës sociale.

Do të lejohet gjithashtu stërvitja individuale për sportistët.

Kryeministri Conte tha gjithashtu se qeveria dhe grupi i ekspertëve do të monitorojnë vazhdimisht situatën dhe nëse ndodh që kurba të nis të ngrihet do të ndërhyhet për të rikthyer masat.

Ai tha gjithashtu se secili italian tani është përballë një testi shumë të ashpër e të vështirë kurse në ditët e ardhshme qeverinë e pret një sfidë shumë më komplekse.

Vendimi i vështirë i qeverisë italiane vjen në një kohë kur kurba e pandemisë nga koronavirusi po vazhdon të ulet, se po zvogëlohet numri i personave të prekur si dhe numri i viktimave

Ora 10:21
COVID, ‘Financial Times’: Numri i vdekjeve në botë mund të jetë 60 përqind më i lartë



Numri i të vdekurve nga koronavirusi në vende të ndryshme të Evropës, përfshirë Austri, Belgjikë, Danimarkë, Francë, Itali, Hollandë, Portugali, Spanjë, Suedi dhe Zvicër, mund të jetë pothuajse 60% më i lartë se sa është raportuar zyrtarisht

Sipas një analize nga ‘Financial Times’, statistikat e vdekshmërisë tregojnë 122,000 vdekje më shumë sesa mesataret e viteve të kaluara. Shumë më shumë se 77,000 vdekje zyrtare të regjistruara për Covid 19 në vendet e ekzaminuara. Nëse do të zbatohej i njëjti vlerësim për të gjithë botën, numri i vdekjeve globale do të shkonte nga mbi 205 mijë në 318 mijë.

Një llogaritje komplekse

‘Financial Times’ krahasoi numrin e vdekjeve totale në vendet e anketuara midis marsit dhe prillit 2020 me vdekshmërinë mesatare për të njëjtën periudhë nga 2015 në 2019 dhe zbuloi 122,000 vdekje të tjera, dmth një rritje mesatare prej 50 përqind. Ajo shkon nga një rritje vdekjeve prej 60 përqind në Belgjikë në një rritje prej 5 përqind në Danimarkë, në Spanjë 51 përqind, Holand 41 përqind dhe Francë 34 përqind.

Në Lombardi, për shembull, gazeta britanike zbulon mbi 13 mijë vdekje më shumë në 1.700 bashki ku të dhënat janë të disponueshme. Kjo është një rritje prej 155 përqind mbi mesataren historike. Me një rritje prej 464 përqind të vdekjeve në krahasim me mesataret e viteve të mëparshme, krahina e Bergamo është rajoni që ka regjistruar rritjen më të lartë në botë, pasuar nga New York me 200 përqind dhe Madridi me 161 përqind.


Rritja nuk i atribuohet e gjitha koronavirusit por edhe duhen marrë në konsideratë shkaqe të tjera. Saktësia e statistikave, specifikon ‘Financial Times’, varet nga sa efektivisht secili vend po përpiqet të mbaj të dhënat sidomos edhe në shtëpotë e të moshuarve.

Sipas profesorit David Spiegelhalter në Universitetin e Kembrixhit, llogaritjet ditore të raportuara nga Mbretëria e Bashkuar, për shembull, janë "shumë të ulëta" sepse ata marrin parasysh vetëm vdekjet në spital dhe shumë që kanë vdekur në shtëpi pa iu nenshtruar kurrë testit të tamponit apo ata që kanë vdekur nga pneumonia dhe nuk janë testuar për covid.

Ora 09:48
Covid/Itali, mjekët që trajtojnë pacientët me plazmë: Është terapia më efektive, por gjithsesi ka shumë pak dhurues

Pasi të jeni shëruar nga koronavirusi, dhuroni plazmën tuaj për të sëmurët në gjendje të mesme dhe të rëndë shëndetësore nga covid-19. Kjo është pika fillestare e një terapie që përdor transfuzionin e pjesës së lëngshme të gjakut të atyre që kanë mposhtur sëmundjen dhe kanë zhvilluar antitrupa. Protokolli është përgatitur nga shërbimi i mjekësisë imunoematologjike dhe transfuzionit të spitalit San Matteo të Pavisë, në Itali drejtuar nga Cesare Perotti, në bashkëpunim me strukturat e Mantua dhe Lodi, dhe nga spitali Universitar i Padovës.

Cesare Perotti  thotë se rezultatet e para klinike kanë qenë pozitive

"Pamela Vincenzi është gruaja e parë shtatzënë që shërohet nga virusi përmes këtij trajtimi në spitalin Carlo Poma në Mantua”, - është shprehur Perotti

"Por tani çdo gjë varet nga numri i dhuruesve të gjakut të cilët për momentin janë të paktë”, - shpjegon Massimo Franchini, një hematolog në spitalin e Mantua – “tani që ne po e kapërcejmë fazën akute të epidemisë, shpresojmë që numri i dhuruesve të rritet".

"Gjatë trajtimit me plazmë në spitalin e Mantua, ende nuk është parë asnjë efekt anësor," shpjegon Giuseppe De Donno, drejtori i pneumologjisë.

Ora 09:36
COVID, Zelanda e Re shpall fitoren ndaj përhapjes së koronavirusit

Kryeministrja e Zelandës së Re, Jacinda Ardern, ka thënë se vendi ka ndaluar “transmetimin e fshehur në komunitet” të Covid-19, teksa kufizimet e rrepta të bllokimit janë planifikuar të lehtësohen nga sot në mbrëmje.

Ardern tha që Zelanda e Re kishte “kaluar më të keqen” e pandemisë, por duhet të vazhdojë të luftojë virusin.

“Nuk ka një transmetim të fshehur në komunitet në Zelandën e Re. Ne kemi fituar atë betejë. Por ne duhet të mbetemi vigjilentë nëse duam ta vazhdojmë në këtë mënyrë, “tha ajo.

Zelanda e Re do të heqë bllokimin e saj të nivelit 4 i cili ka qenë në vend për më shumë se katër javë. Gjatë asaj kohe, pothuajse të gjitha bizneset janë mbyllur, së bashku me shkollat, ndërsa popullatës i është kërkuar të qëndrojë në shtëpitë e tyre për të gjitha, përveç pazareve në supermarkete dhe shëtitjet e shkurtra.

Ardern tha që nuk kishte asnjë mënyrë për të ditur se çfarë mund të ketë ndodhur pa bllokimin e nivelit 4.

Por ajo paralajmëroi që në nivelin-3 ekzistojnë rreziqe të reja si përshembull, njerëzit kanë më shumë kontakt me të tjerët.

Sidoqoftë, kryeministrja paralajmëroi njerëzit të mos bëjnë mbledhje të mëdha familjare.

“Ne po hapim ekonominë, por ne nuk po hapim jetën shoqërore të njerëzve,” tha Ardern.

Ajo shtoi që vendi do të qëndrojë në nivelin 3 për dy javë përpara se kabineti të vendosë nëse do të kalonte në nivelin 2.

“Ne mund ta bëjmë këtë vetëm nëse vazhdojmë të ruhemi. Nëse duhet të qëndrojmë në nivelin 3 për më gjatë, do qëndrojmë. ”

Ora 09:16
COVID, edhe në Hungari bëhet e detyrueshme mbajtja e maskës

Hungaria bllokon metropolin e saj. Nga sot në Budapest, ku janë të përqendruar rreth 50% e totalit të infeksioneve, është e detyrueshme mbajtja e maskës në rrugë, në dyqane dhe tregje si dhe në transportin publik.

Victor Orbán tashmë e ka bërë të ditur se - pas konsultimit me ekspertët, duke filluar nga data 4 maj vendi do të hyjë në fazën 2 të pandemisë.

Nisja e fazës së re gjithashtu do të shoqërohet me masa të kontrollit dhe rregullit si psh do të propozohen masa të diferencuara midis qyteteve të mëdha dhe qendrave të vogla urbane si dhe për personat mbi 65 vjeç, që konsiderohen grupmosha më e rrezikuar nga infeksioni i koronavirusit.

Ora 09:03
Covid, pasi fitoi luftën me koronavirusin Boris Johnson rikthehet në punë

Kryeministri britanik Boris Johnson nga dje në mbëmje është rikthyer në punë pas një muaji, pasi u shërua nga infeksioni i koronavirusit.

Joghnson u shtruar për rreth një javë në Spitalin St Thomas në Londër, dhe tre ditë ndenji në kujdesin intensive pasi u shtrua në 5 Prill.

Johnson do të rifillojë detyrën me kohë të plotë – duke nisur kryesimin e takimit të rregullt të kabinetit sot në mëngjes.

Ndërkohë qeveria britanike është vënë në qendër të kritikave për mungesën e testeve të Covid, mungesën e veshjeve mbrojtëse për punonjësit e shërbimit shëndetësor kombëtar dhe presionin që ai mendohet se ka ushtruar ndaj ministrave për të zhvilluar një strategji për të dalë nga bllokimi dhe izolimi.

Ndërkohë në Britaninë e Madhe numri i të infektuarve nga koronavirusi është rreth 155 mijë kurse numri i viktimave ka shkuar në rreth 121 mijë.

/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • No one: 27/04/2020 09:30

    Sqarojini robt, disa lande dheBata qe e kane te detyruese ta japin falas. Jo si kokoshi jonw ketu.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Shenjat që kanë më shumë gjasa të fillojnë një zënkë në tryezën e festave

Shenjat që kanë më shumë gjasa të fillojnë një zënkë në tryezën e festave