Covid, në Itali 369 viktima! Donald Trump: Rihapja e vendit edhe me koston e më shumë viktimave...Gjermania planifikon rihapje të mëtejshme të ekonomisë

Covid, në Itali 369 viktima! Donald Trump: Rihapja e vendit edhe me koston e më shumë viktimave...Gjermania planifikon rihapje të mëtejshme të ekonomisë

Në botë numri i përgjithshëm i viktimave nga koronavirusi është rritur në më shumë se 254 mijë. Nga 195 vendet e prekura nga pandemia Shtetet e Bashkuara mbeten në krye të listës së zonave më të goditura ku numri i të infektuarve tejkaloi 1.2 milion ndërsa vdekjet numërohen pothuajse 71 000. Numri i personave që vdiqën gjatë 24 orëve të fundit në SHBA ishte 2333, më shumë se dyfishi krahasuar me një ditë më parë.

Mbretëria e Bashkuar është bërë vendi i dytë më i prekur nga pandemia me 29.427 vdekje dhe pasohet nga Italia (29,315), Spanja (25.613) dhe Franca (25.531).

Numri i infeksioneve po rritet gjithashtu në Amerikën e Jugut, ku tani ka më shumë se 15 mijë vdekje të lidhura me koronavirusin.

Trump: rihapja së shpejti e vendit edhe me koston e më shumë vdekjeve 

Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se ai do të kërkojë rihapjen e vendit edhe pse me koston e rritjes së numrit të viktimave. Sipas New York Times, Donald Trump po planifikon gjithashtu të mbyllë gradualisht task forcën anti-koronavirus duke e konsideruar të ezauruar detyrën e saj. Sipas New York Times, ata janë paralajmëruar të përgatiten të përfundojnë punën e tyre.

Ende nuk është e qartë nëse grupi i punës do të zëvendësohet me një strukturë të re, apo nëse anëtarët do të kthehen me kohë të plotë në profesionet e tyre të mëparshme, mbase duke mbajtur një rol këshillues me Shtëpinë e Bardhë.

Marrëdhënia e Trump me shkencëtarët ka qenë gjithnjë e ndërlikuar, sepse ai shpesh merrej me gjykime mjekësore mbi të cilat  nuk është kompetent, siç është promovimi i klorokinës si një terapi. Në disa raste konsulentët e kundërshtuan atë kurse të tjerë u përpoqën të ekuilibronin deklaratat e tij. Përplasja e fundit ka qenë me Anthony Fauci, emidemiologu i Shtëpisë së Bardhë dhe kreu i ekspertëve të emergjencës Covid në SHBA, i cili dje deklaroi se  "Nëse shikoni evolucionin e virusit te lakuriqët dhe ajo çfarë kemi ne tani përpara, tregon se bazuar në provat shkencore, virusi nuk mund të manipulohet artificialisht apo qëllimisht. Sipas Fauci, duke parë evolucionin e koronavirusit me kalimin e kohës, duke fare qartë se ky virus ka evoluar në natyrë.

Mund të jetë gjithashtu ky shkaku që Shtëpia e Bardhë e ka ndaluar Faucin dhe anëtarët e tjerë të task forcës koronavirus të dëgjohet në Kongresin amerikan. Agjensive të tjera amerikane gjithashtu janë udhëzuar të kufizojnë paraqitjet e tyre në Kongres. 

 Të dielën, Sekretari Amerikan i Shtetit Mike Pompeo përsëriti qëndrimin e Shtëpisë së Bardhë, dse ka prova të rëndësishme që virusi ka ardhur nga një laborator kinez. Pekini e ka mohuar gjithmonë fuqishëm, megjithëse shumë kanë shfaqur dyshime për transparencën e autoriteteve kineze në menaxhimin e kësaj krize pandemie.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:04
Covid-19, në Itali 369 viktima dhe 8014 të shëruar nga koronavirusi

Sipas autoriteteve të Mbrojtjes Civile Italiane gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar  369viktima nga koronavirusi për një total prej 29 684

Sot numri i të shëruarve në Itali ishte 8014 duke e rritur totalin e të shëruarve që nga fillimi i pandemisë në 93 245, numër ky më i lartë se numri i personave aktual të infektuar

Autoritetet raportuan gjithashtu se sot u regjistruan edhe 1444 raste të reja pozitiv me Covid-19 për një total prej 214 457

Kurba në Itali është në rënie prej ditësh dhe këtë e konfirmojnë numri i të infektuarve të rinj dhe reduktimi i shtrimeve të pacientëve në spital

Ora 17:18
Covid, Belgjika relakson masat e bllokimit, rihapje graduale dhe progresive e aktiviteteve

Belgjika njoftoi relaksim të masave të bllokimit dhe rihapjen progresive dhe graduale të aktiviteteve

"Duke filluar nga e diela 10 maj, secila familje do të lejohet të mirëpresë katër persona, por gjithmonë duhet të respektohen distancat e sigurisë” - kjo u njoftua nga Kryeministri belg Sophie Wilmes gjatë një konference për shtyp pas takimit të Këshillit të Sigurisë Kombëtare.

Ai konfirmoi rihapjen e dyqaneve nga e hëna më 11 maj por me kushte të caktuara: një klient i vetëm për 10 metra katrorë për maksimumi 30 minuta në të cilin rekomandohet të mbahet maska

 "Kafenetë, baret dhe restorantet do të jenë ende të mbyllura ndërsa tubimet dhe ekskursionet do të ndalohen", shtoi Kryeministri.

Ora 17:08
Covid, 449 viktima në Britaninë e Madhe në 24 orët e fundit

Ka shkuar në 449 numri i viktimave nga koronavirusi përgjatë 24 orëve të fundit në Britaninë e Madhe.

Bëhet fjalë për numrin e personave që kanë humbur jetën në spital, ndërkohë që 331 raste u shënuan në Angli, 83 në Skoci, 21 në Uells dhe 14 në Irlandën Veriore (këta të fundit ndërruan jetë në shtëpitë e të moshuarve, apo vende të tjera).

Këto shifra u bënë publike nga vet kryeministri Boris Johnson, i cili raportoi sot në Dhomën e Ulët për herë të parë që nga shërimi prej koronavirusit.

Kujtojmë se Britania e Madhe është vendi më i goditur në Europë, krahasuar me numrin e vdekjeve.

Ora 16:25
Covid-Gjermani, rifillon Bundesliga, rihapen dyqane dhe lejohen takime mes dy familjeve

Gjermania po planifikon të lehtësojë edhe më tej kufizimet e vendosura për shkak të pandemisë nga koronavirus.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel ka thënë se ka folur me liderët e të 16 landeve gjermane, teksa ka bërë të ditura lehtësimin e disa masave të izolimit, pas shpërthimit të koronavirusit.

“Faza e parë e pandemisë është mbrapa nesh”, ka thënë ajo, ndonëse ka përmendur se “kjo është faza e hershme e pandemisë, e cila do të jetë e gjatë”.

Distancimi fizik do të mbetet në fuqi në Gjermani deri më 5 qershor, ndonëse masat tjera do të lehtësohen gradualisht.

Pjesëtarë të të dy familjeve tani do të lejohen që të takohen në publik, ka thënë ajo.

Merkel ka thënë edhe se të dhënat e fundit nga Instituti gjerman Robert Koch, që raporton rreth të rejat të fundit për koronavirus, janë “lajme shumë të mira”.

“Shifrat tani janë të ulëta, kjo është diçka për të cilën jam e kënaqur”, ka thënë ajo.

Si pjesë e masave lehtësuese do lejohet rifillimi i sezonit të futbollit Bundesliga në gjysmën e dytë të majit

Do të jenë nëntë ditë ndeshjesh dhe parashikohet të ketë përfunduar para datës 30 qershor. Tifozët nuk do të lejohen të futen në stadium dhe do vazhdojë të jetë në fuqi ligji i moslejimit të grumbullimeve masive deri më datë 31 gusht.

Do të jetë gjithashtu e mundur të rihapen më shumë dyqane me masa shtesë higjene, ndërsa njerëzit do të duhet të vazhdojnë të respektojnë masat e sigurisë. Mbajtja e maskës në ambientet publike dhe transportin publik do vazhdojë të jetë e detyrueshme

Gjermania deri më tani ka regjistruar më shumë se 167,000 të infektuar me koronavirus dhe më pak se 7,000 persona të vdekur.

Ora 16:05
Plani britanik anti-COVID: Lehtësimi i masave kalon në tre faza

Sipas gazetës “The Times”, Mbretëria e Bashkuar ka hartuar një plan prej tre fazash për të lehtësuar bllokadën e koronavirusit që u vendos për herë të parë në fund të marsit.

Qeveria pritet ta rishikojë bllokadën më 7 maj, por kryeministri Boris Xhonson e ka bërë të qartë se i druhet një vale të dytë epidemie.

Faza e parë e rihapjes do të përfshijë dyqane të vogla, ndërsa e dyta ato të mëdha dhe qendrat tregtare, me njerëzit që do të inkurajohen të shkojnë në punë.

“The Times” shton më tej se pabet, restorantet, hotelet dhe subjektet e argëtimit do të hapen të fundit.

Britania ka tejkaluar Italinë me numrin më të lartë të vdekjeve nga Koronavirusi në Evropë, me mbi 32 mijë njësi.

Shifra javore nga Zyra britanike e statistikave shtoi mbi 7 mijë vdekje të verifikuara në Angli dhe Uells, duke e çuar totalin në 32 mijë e 313.

Shifra është një sinjal i qartë se Britania mund të dalë si vendi më i prekur në Evropë, pavarësisht se u godit nga virusi më vonë se vendet e tjera.

Ora 15:13
Covid-SHBA, ekzekutohet studiuesi, ishte në prag të zbulimit të madh të koronavirusit

Sipas prestigjozes amerikane CNN, një studiues i mirënjohur i Universitetit të Pittsburgh Bing Liu, ishte pranë zbulimit të disa të dhënave të rëndësishme në lidhje me koronavirusin, por ai u gjet i vrarë në banesën e tij.

37 vjeçari, i cili punonte në departamentin e Kërkimeve Biologjike, gjendej i vetëm në banesën e tij në Elm Curt në Ross Township, kur një person hyri brenda dhe e qëlloi me armë zjarri.

Doktori mori plumba në kokë, qafë dhe gjoks dhe ndërroi menjëherë jetë.

Policia raportoi se 100 metra nga vendngjarja gjeti trupin e pajetë të autorit Hao Gu, i cili dyshohet të jetë vetëvrarë në makinë.

Sipas policisë Liu dhe Gu e njihnin njëri-tjetrin përpara ngjarjes, por nuk bëhet me dije natyra e marrëdhënies së tyre

Liu ishte një profesor asistent kërkimesh në Departamentin e Biologjisë Informatike dhe Sistemeve të UPMC. Para se të vritej ai kishte raportuar se ishte në faza të avancuara të kuptimit të thelluar të Covid-19, thane autoritete nga universiteti.

“Bing ishte në prag të zbulimeve serioze mbi mekanizmat celulare të SARS -CoV-2 dhe komplikacioneve të tij. Ne do të përpiqemi të kompletojmë punën e nisur prej tij, në formë homazhi ndaj punës së tij të shkëlqyer shkencore”, tha në një deklaratë departamenti i Universitetit.

Ora 14:43
Covid, roboti që zëvendësoi 13 të diplomuar në mjekësi gjatë ceremonisë në 'Universidad del Magdalena', në Kolumbi (VIDEO)

Lied, quhet roboti që zëvendësoi 13 të diplomuar në mjekësi gjatë ceremonisë në 'Universidad del Magdalena', në Kolumbi.

Roboti Lied mblodhi gradat bachelor për studentët, të cilët morën pjesë vetëm në mënyrë virtuale në event, të lidhura me videokonferencë përmes një ekrai që roboti e mbante në duar.

Që nga 25 Marsi, të gjitha shkollat ​​në Kolumbi janë mbyllur, si një masë për të parandaluar infeksionin nga koronavirusi.

Ora 14:33
Covid-Kinë, provinca Hubei rihap shkollat për herë të parë që pas shpërthimit të epidemisë

Sipas BBC, Provinca Hubei, një nga epiqendrat e shpërthimit të Covid-19 në Kinë, ka rihapur shkollat ditën e sotme.

Por vetëm nxënësit e klasës 9 dhe 12 të cilët duhet të kryejnë provimet do të shkojnë në shkollë. Pjesa tjetër do të mbeten akoma në shtëpi

Shumica e nxënësve të klasës 12 në pjesë të tjera të Kinës tashmë janë rikthyer në shkollë pasi duhet të japin provimin pranues për në universitet.

Të gjithë nxënësit në Hubei duhet të kryejnë një test për Covid-19 para se të kthehen në shkollë dhe do të ketë masa për të siguruar distancimin social, raportojnë mediat shtetërore kineze.

Deri më tani në Kinë janë shënuar 4,633 viktima nga Covid-19 dhe janë regjistruar 82,833 të infektuar.

Ora 14:27
Covid, pas katër ditësh në Spanjë rritet për herë të parë numri i viktimave

Ka shënuar rritje numri i viktimave si pasojë e koronavirusit në Spanjë, ku që prej së shtunës humbjet e jetës në këtë vend ishin nën shifrat 200.

Sipas të dhënave të autoriteteve shëndetësore, në 24 orët e fundit në vend, humbën betejën me virusin Covid-19 244 persona për ta çuar bilancin total të viktimave në 25,857.

Fatmirësisht numri i të infektuarve të rinj vijon të bjerë me ritme të kënaqshme, ku në të dhënat e fundit flitet për më pak se 1000 raste.

Kryeministri Pedro Sanchez pritet t’i drejtohet parlamentit në orët në vijim ku do të kërkojë një zgjatje të gjendjes së emergjencës pasi sipas tij qëllimi është pranë, por ende nuk ka ardhur.

Ora 14:21
Covid-19, shtetet e Baltikut rihapin kufijtë me njëra-tjetrën

Kryeministrat e Letonisë, Lituanisë dhe Estonisë – që të trija vende të Bashkimit Evropian – thanë se do të krijojnë një “fluskë udhëtimi” brenda bllokut, duke hapur kufijtë për qytetarët e njëri-tjetrit nga data 15 maj.

Vendet e BE-së i kanë mbyllur kufijtë në mars, për frenimin e përhapjes së koronavirusit.

Zona e udhëtimit në Baltik do të jetë e para e këtij lloji në bllokun 27-anëtarësh, ku shumica e shteteve ua kanë ndaluar hyrjen të huajve.

Letonia, Lituania dhe Estonia kanë vendosur karantina të detyrueshme për secilin që ka shkuar atje për arsye që nuk lidhen me punën.

“Jemi pajtuar se të trija shtetet e Baltikut e kanë frenuar siç duhet përhapjen e koronavirusit dhe ne u besojmë sistemeve shëndetësore të njëra-tjetrës”, tha kryeministri i Lituanisë, Saulius Skvernlis.

“Andaj, nisur nga 15 maji, ne do t’i heqim të gjitha kufizimet për qytetarët e Lituanisë, Letonisë dhe Estonisë”, tha ai, për të shtuar se udhëtarët nga vendet e tjera do të duhet të vetizolohen për 14 ditë.

Tri vendet baltike janë anëtare të BE-së qysh në vitin 2004, ndërsa zonës së lëvizjes së lirë, Schengen, i janë bashkuar më 2007.

Ora 14:17
Koronavirusi, Hungaria urdhër për të liruar shtretërit Covid-19, mijëra pacientë me sëmundje terminale pa trajtim

Hungaria ka dhënë urdhër për të liruar shtretërit Covid-19 në spitalet publike, dhe si rezultat mijëra pacientë kanë mbetur pa trajtim brenda natës. Ekziston frika se personat me sëmundje terminale, kancere ose sëmundje të tjera kronike janë "hedhur jashtë", duke përfunduar në ambiente alternative ose, ndonjëherë në shtëpi nga të afërmit e tyre.

Ankesa vjen nga Human Rights Watch (HRW). OJQ-ja ka mbledhur dëshminë e një infermiere, Athina Németh, e cila ishte zotuar të kujdesej për dhjetë nga pacientët e shkarkuar. Nëntë prej tyre, pacientë me kancer, kanë vdekur. Njëri prej tyre ishte dërguar në shtëpi me një plagë ende të hapur në stomak.

Në fillim të prillit, spitalet hungareze morën një letër nga Ministri i Burimeve Njerëzore, onkologu Miklós Kásler, me urdhër për të liruar 36,000 shtretër nga 60,000 në dispozicion për të krijuar vend për pacientët Covid-19.

Urdhri i qeverisë ka prekur gjithashtu pacientët me çmenduri që kanë pasur goditje në tru ose kohët e fundit kanë pasur amputime siç është zonja Ambrózy József, një ish-infermiere 80-vjeçare.

Aktualisht, në Hungari ka pasur 3,000 raste pozitive nga Covid dhe 373 vdekje.

Ora 12:10
Covid, vetëm 4-5% e popullatës çeke e imunizuar nga infeksioni i koronavirusit

Një studim në Republikën Çeke tregon se imuniteti i popullatës së këtij vendi ndaj koronavirusit është vetëm 4 deri në 5 për qind.

Ministri i Shëndetësisë, Adam Vojtech, tha të mërkurën se 26,549 njerëz janë testuar dhe se nga ta, vetëm 107 vetë që kanë dalë pozitivë, nuk e kanë ditur se kanë qenë të infektuar.

Niveli i imunitetit ka të ngjarë të jetë më i ulët në dy qytetet më të mëdha të Çekisë, Pragë dhe Bërno, tha ai.

Çekia, vend me 10.7 milionë banorë, ka qenë ndër vendet e para në Evropë që ka nisur të zbatojë kufizime të ashpra të lëvizjes së njerëzve, për të frenuar përhapjen e koronavirusit.

Në fillim të marsit, qeveria ka ndaluar udhëtimet dhe ka mbyllur kufijtë, dyqanet, restorantet dhe të gjitha shkollat.

Deri më 6 maj, ky vend ka raportuar për 7,899 raste me koronavirus dhe 258 viktima.

Vojtech tha se studimi nuk do të ketë ndikim në planin e qeverisë për të lehtësuar gradualisht masat e izolimit.

Ora 10:55
Covid, në Rusi për të katërtën ditë rresht regjistrohen më shumë se 10 000 raste infeksioni

Në Rusi, për të katërtën ditë me radhë, janë regjistruar mbi 10,000 raste të reja të Covid-19 në 24 orët e fundit.

Sipas grupit rus antikoronavirus, 10,559 infeksione të reja u konstatuan gjatë ditës së fundit, duke e çuar numrin e përgjithshëm të rasteve të infeksionit në Rusi në 165.929 që nga fillimi i epidemisë.

Edhe numri i viktimave është rritur në 1.537, nga të cilët 86 u regjistruannë 24 orët e fundit.

Dje u njoftuan 10.102 raste të reja, dy ditë më parë 10.581 dhe të dielën 10.633, kjo e fundit është numri më i lartë i infeksioneve ditore të regjistruara deri më tani në Rusi.

Ora 10:06
Covid-Faza 2 në Itali, Kryeministri Conte: Nëse italianët vazhdojnë të sillen si gjatë këtyre dy ditëve, infeksioni i koronavirusit nuk do rikthehet

Kryeministri Italian Giuseppe Conte, në një intervistë për gazetën ‘Il Fatto Quotidiano’ vlerësoi sjelljen e italianëve në dy ditët e para të fazës 2, faza e lehtësimit të masave të izolimit dhe rinisja e aktiviteteve, duke theksuar se nëse ata vazhdojnë kështu, infeksioni do të përmbahet.

“Objektivi i parë i kësaj faze 2 ishte të kuptonte nëse italianët do ti përmbaheshin indikacioneve të sigurisë. Dy ditët e para të rifillimit treguan Italinë në pjesën më të madhe të vetëdijshme dhe të përgjegjshme, e cila është tregon se edhe në ditët e ardhshme gjërat do të funskionojnë mirë. Në fakt, nëse infeksionet nuk shkojnë lart, do të jetë e mundur të bëhen rihapje të tjera më herët nga sa kemi parashikuar”- tha kryeministri Conte duke specifikuar se mund të rihapen më shpejt qendrat e bukurisë, parukierët por edhe teatrot.

Italia hyri zyrtarisht në Fazën 2 të pandemisë nga koronavirusi në datën 4 maj. Vlerësohet se rreth 65 % e italianëve janë rikthyer në punë. Sipas dekretit të qeverisë, nga data 18 maj do të rihapen dyqanet dhe muzeumët kurse baret dhe restorantet do duhet të presin deri më 1 qershor.

Masat e reja të fazës 2 lejuan italianët të takonin të afërmit e tyre, gjithmonë duke ruajtur distancën fizike dhe e obligueshme mbajtja e maskës, por e kanë të ndaluar organizimin e festive dhe banketeve me ta. Lejohet lëvizja brenda rajoneve por jo jashtë tyre, përveçse për arsye pune, arsye shëndetësore ose urgjencë të aprovuar nga autoritetet.

Nga data 4 maj është i lejueshëm praktikimi i sportit në natyrë edhe larg nga shtëpia, gjithmonë me detyrimin për të shmangur tubimet dhe për të respektuar distancat e sigurisë. Tani vrapuesit do të jenë në gjendje të mbulojnë distanca më të gjata, gjithmonë në përputhje me rregullat.

Fjalët kyçe që do të jenë kryefjala e javëve në vazhdim janë distancimi fizik dhe ndalimi i tubimeve, detyrimi për të mbajtur maskë në ambiente të mbyllura përfshi në transportin publik dhe trena, masa këto për të respektuar dhe rritur standartet e sigurisë së njerëzve.

Ora 09:18
Covid, javën e ardhshme Gjermania planifikon rihapje të mëtejshme të ekonomisë

Gjermania pritet të shpallë plane të mëtejshme për rihapjen e ekonomisë së mbyllur si pasojë e pandemisë së koronavirusit.

Në një konferencë telefonike, kancelarja Angela Merkel dhe krerët e 16 landeve pritet të vendosin për heqjen e shumë masave kufizuese në javët e ardhshme.

Plani do t’iu lejojë landeve të vendosin vetë për hapjen graduale të universiteteve, restoranteve, hoteleve, studiove kozmetike, teatrove, kinemave dhe palestrave.

Gjermania tashmë i ka hequr disa kufizime të vogla, pasi i ka rënë numri i të infektuarve me koronavirus.

Por, Merkel ka paralajmëruar se çdo rritje e infeksioneve mund ta detyrojë qeverinë t'i rivendosë masat kufizuese.

Të martën, kreu i Institutit Robert Robert - agjenci shëndetësore e Qeverisë gjermane - u tha gazetarëve në Berlin se vala e dytë e koronavirusit do të vijë "me shumë siguri" dhe se shumë ekspertë të shëndetit presin edhe valë të tretë.

"Kjo është pandemi. Dhe në një pandemi, virusi do të shkaktojë sëmundje derisa të infektohet 60 deri në 70 për qind e popullsisë", tha Lothar Wieler.

Gjermania ka mbi 167,000 të infektuar me koronavirus dhe më pak se 7,000 viktima.

Në Evropë, ku janë regjistruar mbi 140,000 viktima nga koronavirusi, gjithnjë e më shumë vende janë duke i lehtësuar masat e izolimit, por duke zbatuar distancimin fizik dhe standardet sanitare.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Si është gjendja e Metës? Faik Basha: Po drejton aksionin opozitar nga burgu! Së shpejti do lirohet, në 2025 kandidat për kryeministër

Si është gjendja e Metës? Faik Basha: Po drejton aksionin opozitar nga burgu! Së shpejti do lirohet, në 2025 kandidat për kryeministër