262 viktima në Itali! 4.5 milionë numri i rasteve pozitive në botë/ OBSH: Koronavirusi mund të mos largohet kurrë

262 viktima në Itali! 4.5 milionë numri i rasteve pozitive në botë/ OBSH: Koronavirusi mund të mos largohet kurrë

Numri i rasteve pozitive me koronavirus në të gjithë botën është në pragun e 4.5 milionë, saktësisht 4 milionë e 349 mijë kurse numri I viktimave është rritur në 297 226.

Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, në SHBA në 24 orët e fundit janë regjistruar 1.813 vdekje shkaktuar nga infeksioni i koronavirusit. Po sipas raportimeve në vetëm një ditë ka patur edhe 22 000 raste të reja të identifikuar pozitive me Covid.
Numri i përgjithshëm i vdekjeve në Shtetet e Bashkuara ka tejkaluar shifrën e 84,000 ndërsa totali i infeksioneve është pothuajse 1.4 milionë.

Brazili, mbi 11 mijë infeksione të reja në 24 orë

Në vetëm 24 orë në Brazil janë regjistruar më shumë se 11 000 raste të reja pozitivë me Covid për një total prej 185 850 ose ndryshe më shumë se Franca. Brazili tani është vendi i gjashtë më i prekur në botë pas Italisë. Sipas raportimeve totali i vdekjeve nga infeksioni i koronavirusit në Amerikën e Jugut është rritur në 13.114.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:05
Covid-19, në Itali regjistrohen 262 viktima dhe 2747 të shëruar në 24 orë!

Sipas autoriteteve të Mbrojtjes Civile Italiane gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 262 viktima nga koronavirusi për një total prej 31 368

Sot numri i të shëruarve në Itali ishte 2747 kurse numri i përgjithshëm i të shëruarve ka shkuar në 115 288

Autoritetet raportuan gjithashtu se sot u regjistruan edhe 992 raste të reja pozitiv me Covid-19 për një total prej 223 096 që nga fillimi i pandemisë

Në Rajonin e Lombardisë sot u regjistruan 111 viktima, (dje ishin 69) për një total vdekjesh prej 15 296.

Sot pati edhe 653 të shëruar në Lombardi për një total prej më shumë se 30 mijë që nga fillimi i pandemisë.

Totali i rasteve pozitive në rajon është 83 820, 522 më shumë se dje. 297 pacientë gjenden në terapi intensive, 10 më pak se dje

Ora 16:17
Covid, regjistrohen 428 viktima nga infeksioni i koronavirusit në Britaninë e Madhe

Në Britaninë e Madhe në 24 orët e fundit u regjistruan 428 viktima nga infeksioni i koronavirusit.

Sipas autoriteteve shëndetësore numri i përgjithshëm i vdekjeve në vend është rritur në 33 614

Totali i rasteve të identifikuar pozitiv nga Covid është më shumë se 213 mijë.

Britania ndodhet pas Rusisë dhe SHBA në renditjen e Universitetit Johns Hopkins dhe është një nga shtetet europiane, me një nga bilancet më negative nga koronavirusi në Europë.

Në Britani numri total i testeve të kryera që nga fillimi i pandemisë është më shumë se 125 mijë.

Për momentin, në të gjithë botën, numri total i të infektuarve me Covid-19 ka shkuar në 4.46 milionë persona, kurse të vdekurit kanë kaluar mbi 299 mijë njerëz.

Ora 16:16
Koronavirusi në Spanjë, rritet numri i viktimave në 24 orët e fundit

Ka pësuar rritje numri i viktimave nga koronavirusi në Spanjë. Mësohet se në 24 orët e fundit në Spanjë kanë ndërruar jetë 217 persona, shifër kjo më e lartë se një ditë më parë, ku ishin 184 të vdekur, duke shkuar në 27.321 numri total.

Ndërsa numri i të infektuarve të rinj është rritur me 506 raste duke shkuar 229.540 persona. Ndërkohë edhe numri i të shëruarve është rritur duke shkuar në 143.374 persona që prej nisjes së pandemisë.

Prej së hënës më 11 maj Më shumë se gjysma e 47 milionë banorëve të Spanjës hynë të hënën në fazën e dytë të planit të qeverisë për lehtësimin e bllokadës.

Në kuadër të saj, mjediset e jashtme të bareve dhe kafeneve mund të hapen në 50 për qind të kapacitetit, ndërsa brenda apo jashtë shtëpive mund të mblidhen deri në 10 persona së bashku. Qeveria spanjolle vendosi dje që të gjithë personat që kthehen nga jashtë vendit do të karantinohen pët 14 ditë.

Ora 11:14
Covid, shkencëtarët britanikë zhvillojnë një test të ri, shumë të saktë që identifikon antitrupat

Shkencëtarët në Britaninë e Madhe kanë zhvilluar një test të ri që identifikon antitrupat e krijuar nga infeksioni i koronavirusit.

Testi ndërkohë edhe është aprovuar për tu përdorur në popullatë nga zyrtarët shëndetësorë në Angli të cilët e kanë konsideruar atë si një zhvillim mjaftë ;pozitiv në frenimin e përhapjes së infeksionit përmes identifikimit të saktë të personave që kanë zhvilluar antitrupa

Testi që bazohet në një analizë gjaku, sipas autoriteteve shëndetësore është tejet I saktë në rezultate.

Profesori, John Newton, koordinator kombëtar i Mbretërisë së Bashkuar për programin e testimit të koronavirusit, tha se “Një testim i tillë, tejet specifik ndaj antitrupave është shumë i saktë”.

Ora 09:52
Covid, 5% e popullatës spanjolle kanë fituar imunitet ndaj infeksionit të koronavirusit

Në bazë të rezultateve paraprake të një hulumtimi në Spanjë, vetëm rreth 5 për qind e popullatës kanë fituar imunitet ndaj koronavirusit të ri.

Ministria e Shëndetësisë në Spanjë tha se rezultatet dallonin mes rajoneve.

Studimi, i kryer nga Instituti i Shëndetit Carlos III dhe Instituti Kombëtar i Statistikave, filloi më 27 prill dhe kishte si synim testimin e 90,000 njerëzve për praninë e antitrupave që luftojnë virusin.

Testimi mund të ndihmojë qeverinë që të vlerësojë masën e vërtetë të epidemisë, duke marrë parasysh edhe ata që mund të jenë imun ose rezistent ndaj infeksionit.

Spanja është ndër vendet më të goditura në botë nga pandemia e koronavirusit të ri.

Në bazë të të dhënave nga Universiteti John Hopkins në SHBA, Spanja deri më tani ka regjistruar 228,030 persona të infektuar me koronavirusin e ri.

Numri i viktimave ka arritur në 26,920.

Ora 09:19
Covid-Rusia, vendi i dytë në botë për nga numri i infeksioneve nga koronavirusi

Numri i rasteve të infeksionit nga koronavirusi në Rusi ka shkuar në më shumë se 242 mijë duke u rendit kështu në vendin e dytë në botë pas SHBA.

Numri zyrtar i vdekjeve në Rusi është 2,212, megjithëse autoritetet i kanë atribuar vdekjen e mbi 60% të pacientëve me koronavirus në prill për shkaqe të tjera.

Moska, qendra e epidemisë së vendit, regjistroi 1.232 nga numri i përgjithshëm i viktimave.

Para dy ditës, Dmitry Peskov, zëdhënësi i presidentit rus, Vladimir Putin u deklarua se ka dalë pozitiv në testin për koronavirus dhe tani ndodhet i shtruar në spital, duke u trajtuar për sëmundjen Covid-19. 

Peskov është i fundit zyrtar i lartë që infektohet me këtë virus në Rusi, i cili ka prekur edhe kryeministrin rus, Mikhail Mishustin, ministren e Kulturës, Olga Lyubimova dhe ministrin e Infrastrukturës, Vladimir Yakushev.

Ora 08:55
Covid-19 rivendos gjendjen e jashtëzakonshme në dy qytete në Kinë

Autoritetet kineze kanë vendosur gjendje të jashtëzakonshme në dy qytete në veri-lindje të Kinës, për shkak të shfaqes së rasteve të reja të infeksionit të koronavirusit.

Më shumë se dhjetë raste të reja të Covid u konfirmuan në Wuhan, epiqendra e epidemisë në Kinë.

Autoritetet në qytetin Jilin, rreth 1.800 kilometra larg nga Wuhan, njoftuan ndalime të reja udhëtimi pasi në qytet u shfaqën gjashtë raste të reja të Covid-19, pesë prej të cilave etë importuara nga qyteti fqinj Shulan.

Edhe në Shulan, një qytet me rreth 700.000 banorë, ngritën masa urgjente në një nivel më kufizues gjatë fundjavës, pasi 14 raste të reja u konfirmuan vetëm shtatë ditë pasi Pekin zyrtar njoftoi se niveli i rrezikut ishte i ulët në të gjitha provincat kineze.

Ora 08:44
Covid, OBSH: Koronavirusi mund të mos zhduket kurrë...po shkakton probleme në shëndetin mendor

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka paralajmëruar se koronavirusi “mund të mos zhduket kurrë”.

Duke folur në një konferencë për media, drejtori për Emergjenca në OBSH, Mike Ryan ka bërë paralajmërime dhe jo parashikime se kur mund të zhduket virusi.

Ai ka shtuar se edhe nëse gjendet vaksina, kontrollimi i virusit do të kërkojë “përpjekje masive”.

Gati 300,000 persona në gjithë botën është raportuar të kenë vdekur me koronavirus, derisa më shumë se 4.3 milionë persona janë infektuar nga ai.

Sipas autoritetit të organizatës, ky virus mund të kthehet në një tjetër virus endemik në komunitetet tona dhe mund të mos largohet asnjëherë. Hiv nuk u largua kurrë por ne mësuam të jetojmë me të. Askush nuk e parashikon dot se kur mund të zhduket kjo sëmundje e re

Mikr Ryan, drejtues i programit të emergjencës shëndetësore të OBSH tha se "Ende ka një rrugë e gjatë për të bërë për tu kthyer në normalitet".
Autoriteti i Organizatës u shpreh se "OBSH nuk do të ulë nivelin e alarmit derisa të kemi nën kontroll koronavirusin, të kemi sisteme të fuqishme të mbikqyrjes dhe sisteme më të forta shëndetësore".

Nga ana tjetër, numri një i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, tha se "OBSH ka botuar statistikat vjetore mbi gjendjen e shëndetit të botës. Lajmi i mirë është se njerëzit jetojnë një jetë më të gjatë dhe më të shëndetshme. Lajmi i keq është se shkalla e përparimit është shumë e ngadaltë për të arritur qëllimet e OKB të zhvillimit të qëndrueshëm dhe ecja përpara do të dobësohet më tej nga Covid-19 ".

Për kreun e OBSH "Pandemia nënvizon nevojën urgjente që të gjitha vendet të investojnë në sisteme të forta shëndetësore dhe kujdesin shëndetësor bazë, si mbrojtja më e mirë kundër shpërthimeve të tilla pandemike si Covid-19 dhe kundër shumë kërcënimeve të tjera shëndetësore me të cilat përballen. njerëzit në të gjithë botën çdo ditë".

Çështja e forcimit të sistemeve shëndetësore, së bashku me emergjencën e koronavirusit, do të jetë në qendër të seancës së 73-të të Asamblesë Botërore të Shëndetit e planifikuar të mbahet në selinë e Gjenevës nga 17 deri në 21 maj.

Sipas Kombeve të Bashkuara, pandemia ështe duke shkaktuar shqetësime të përhapura dhe probleme të shëndetit mendor, veçanërisht në vendet ku ka mungesë investimesh në këtë drejtim.

Ora 08:39
Covid, Trump kundër epidemiologut të Shtëpisë së Bardhë, Anthony Fauci: Jam i befasuar, deklaratat e tij të papranueshme

Presidenti amerikan, Donald Trump ka thënë se paralajmërimi i ekspertit për sëmundje infektuese, Anthony Fauci, rreth lehtësimit të masave kufizuese shumë shpejt, ka qenë i papranueshëm.

Ai ka akuzuar Faucin se dëshiron “të luajë të gjitha anët e ekuacionit” në dëshminë që ka bërë para ligjvënësve të martën.

Presidenti ka thënë se ka qenë tejet i pakënaqur me deklaratën e Faucit rreth hapjes së shkollave shumë shpejt.

“Unë kam qenë i befasuar nga përgjigja e tij, sepse nuk ka qenë përgjigjje e pranueshme, sidomos kur është fjala për shkollat”, ka thënë presidenti para gazetarëve.

Fauci ka theksuar se është e rëndësishme të mos mendohet se fëmijët janë plotësisht imunë ndaj efekteve të koronavirusit.

Presidenti amerikan synon të lejojë kthimin e banorëve të Shteteve të Bashkuara në punë, andaj edhe ka përshëndetur vendimet e disa governatorëve që mendojnë njëjtë.

Fauci ka thënë të martën para Kongresit se rihapja e parakohshme e ekonomisë amerikane mund të rezultojë me shpërthime tjera të koronavirusit.

Drejtori i Institutit Kombëtar për Sëmundje Infektuese dhe Alergji ka paralajmëruar një panel të Senatit amerikan se shtetet duhet të ndjekin rekomandimet e ekspertëve shëndetësorë dhe të presin derisa të ulet numri i të infektuarve para rihapjes.

“Nëse disa zona, qytete apo shtete, hapen para kohës, pa pasur kapacitetet që të përgjigjjen me efikasitet, shqetësimi im është se ne do të shohim shenja të vogla që mund të kthehen në shpërthime. Pasojat mund të jenë shumë serioze”, ka deklaruar ai.

Sëmundja, Covid-19, që shkakton koronavirusi ka infektuar 1.4 milionë persona në Shtetet e Bashkuara, dhe ka vrarë 84,000 në mesin e tyre.

//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Spanjë/ Zbulohen pamjet, ja se si agjentët e Guardia Civil bastisën bazën e ‘skifterëve’ shqiptarë! 13 vjedhje, 5 të arrestuar, 22 mijë euro cash e bizhuteri

Spanjë/ Zbulohen pamjet, ja se si agjentët e Guardia Civil bastisën bazën e ‘skifterëve’ shqiptarë! 13 vjedhje, 5 të arrestuar, 22 mijë euro cash e bizhuteri