Është shumë herët të dihet se sa vdekjeprurës do të jetë infeksioni nga koronavirusi, por vlerësimet sugjerojnë që midis 0.5 dhe 3.4 për qind të personave që infektohen me koronavirusin vdesin.
Ndryshimi në këtë përllogaritje varet nga shumë faktorë, përfshirë ndryshimet në mënyrën e llogaritjes dhe raportimit të vdekjeve në të gjithë botën, si dhe vështirësinë në përcaktimin e numrit total të personave të infektuar nga virusi.
Shumë vende ndërkohë po llogarisin numrin e tyre të vdekjeve duke përpjestuar numrin e pacientëve që vdesin nga virusi me numrin e pacientëve të rezultuar pozitivë me Covid-19.
Drejtori i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus e përdori këtë metodë në fillim të marsit për të llogaritur shkallën e vdekshmërisë në botë në 3.4 për qind. Megjithatë, kësaj shifre i mungojnë pacientët e patestuar, përfshirë ata me simptoma të buta ose ata pa simptoma, të cilët nuk llogariten asnjëherë zyrtarisht si të infektuar. Në një sistem të përkryer, e gjithë bota do të duhej të testohej për sëmundjen, por kjo ende nuk është e mundur.
Në disa situata është ofruar një testim i tillë universal. Njëri prej tyre ishte ai i anijes turistike Diamond Princess Cruise që u izolua në brigjet e Japonisë, ku gati të gjithë pasagjerët u testuan për virusin. Niveli i vdekjeve në anije rezultoi të ishte 1.2 për qind.
Një grup tjetër i njerëzve që u testuan gjerësisht ishin ata që riatdhesoheshin në vendet e tyre nga Wuhani, origjina e koronavirusit. Një studim i publikuar në revistën mjekësore The Lancet Infectious Diseases shqyrtoi këto të dhëna dhe vlerësoi se shkalla e vdekshmërisë nga virusi ishte 0.66 për qind.
Shkalla e vdekshmërisë mund të ndryshojë edhe në varësit të vendit dhe rajonit për shkak të dallimeve në kapacitetet mjekësore, përqindjen e popullatës së moshuar ose atyre me sëmundje paraprake, faktorë që dihet se rrisin shanset e vdekjes nga koronavirusi.
Duke krahasuar koronavirusin me sëmundje të tjera infektive, gripi sezonal ka prirje të ketë një ritëm të përhapjes prej 1.3 për qind dhe një shkallë vdekshmërie prej 0,1 për qind ose më pak, që do të thotë se është edhe më pak infektiv dhe vdekjeprurës se sa COVID-19.
Fruthi, me një ritëm të përhapjes prej 12 për qind dhe shkallë vdekshmërie prej 15 për qind, është edhe më ngjitës dhe më vdekjeprurës.
Lajmi kryesor: