Në Itali 274 viktima dhe 3030 të shëruar…Greqia e Kroacia drejt hapjes së kufijve me protokolle! Shkalla e vdekshmërisë nga COVID-i mes 0.5 e 3.4%

Në Itali 274 viktima dhe 3030 të shëruar…Greqia e Kroacia drejt hapjes së kufijve me protokolle! Shkalla e vdekshmërisë nga COVID-i mes 0.5 e 3.4%

Sipas të dhënave të azhornuara nga Universiteti Johns Hopkins në të gjithë botën ka mbi 260,000 vdekje të lidhura me koronavirusin.

Aktualisht janë raportuar zyrtarisht 263.068 vdekje, nga të cilat 72.812 në Shtetet e Bashkuara dhe 30.150 në Mbretërinë e Bashkuar.

Rastet totale të infektimit janë përkundrazi 3 milion e 744.585, nga të cilat 1.27 milion në SH.B.A. Në këtë vend vetëm në 24 orët e fundit ka vrarë nga Covid-19 2,073 persona të tjerë, siç del nga sondazhi i fundit nga Universiteti John Hopkins.

Mbi një e treta e amerikanëve i thonë 'jo' vaksinës Covid-19

Edhe nëse do të ishte në dispozicion një vaksinë e koronavirusit, një e treta e amerikanëve, 39.7%,  do të thoshte 'Jo'.

Sipas një sondazhi të 'Bospar', ndër më pak të prirurit për tu vaksinuar janë ata midis 18 dhe 24 vjeç: në këtë grupmoshë vetëm 57.8% thanë se ishin të gatshëm për t’u imunizuar. Gratë amerikane do të ishin më pak të prirura se burrat për tu vaksinuar, si dhe republikanët sesa demokratët.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetit, aktualisht janë duke u testuar 8 vaksina të koronavirusit në mbarë botën.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:03
Covid-19, në Itali 274 viktima dhe 3030 të shëruar në 24 orë!

Sipas autoriteteve të Mbrojtjes Civile Italiane gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar  274 viktima nga koronavirusi për një total prej 29 958.

Sot numri i të shëruarve në Itali ishte 3030 duke e rritur totalin e të shëruarve që nga fillimi i pandemisë në 96275

Autoritetet raportuan gjithashtu se sot u regjistruan edhe 1401 raste të reja pozitiv me Covid-19 për një total prej më shumë se 215 mijë

Në Rajonin e Lombardisë sot u regjistruan 689 infeksione të reja dhe 134 viktima 

Kurba në Itali është në rënie prej ditësh dhe këtë e konfirmojnë numri i të infektuarve të rinj dhe reduktimi i shtrimeve të pacientëve në spital si dhe ulja e numrit të pacientëve në terapi intensive.

Italia prej datës 4 maj ka fyrë zyrtarisht në fazë 2 të pandemisë.

Ora 17:38
Covid-SHBA, Presidenti Donald Trump dhe nënpresidenti Mike Pence testohen negativë për koronavirusin

Presidenti Donald Trump dhe nënpresidenti Mike Pence testuan negativisht për koronavirusin pasi u bë e ditur se një ushtarak amerikan që punonte në Shtëpinë e Bardhë rezultoi i infektuar me COVID-19.

Njoftimi u bë sot nga një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë.

Ushtaraku u identifikua nga televizioni CNN si ndihmës personal i Presidentit Trump.

Presidenti amerikan refuzoi të përdorte maskë gjatë një vizite të martën në një fabrikë të kompanisë Honeywell në Phoenix të shtetit Arizona.

Një javë më parë, zëvendës Presidenti Mike Pence u bë objekt kritikash sepse nuk vuri maskë gjatë një turi vizitash mes të cilave në Klinikën Mayo në shtetin Minesota

Ora 17:33
Covid-19, në Itali në fund të majit Meshat do të rifillojnë në të njëjtën ditë me hapjen e muzeve dhe bibliotekave

Qeveria italiane dhe Kisha Katolike kanë rënë dakord për të lejuar besimtarët e krishterë të ndjekin meshën nga fundi i këtij muaji, duke i dhënë fund një mosmarrëveshje mes palëve për shkak të masave të vendosura për bllokimin e vendit nga frika e përhapjes së koronavirusit.

Qeveria ndaloi në fillim të muajt mars pjesëmarrjen e besimtarëve në meshë, në kuadër të anulimit të të gjitha aktiviteteve publike në vend me qëllim parandalimin e përhapjes së Covid-19.

Të shumtë ishin ata besimtarë që deklaruan se shërbimet në Kishë nuk duhej të ishin ndaluar, madje edhe disa aktivitete të tjera bazike për jetën e qytetarëve.

Tensionet u përshkallëzuan përsëri në fund të muajit të kaluar, kur qeveria njoftoi një lehtësim gradual të masave të bllokimit, por në to nuk përfshiu lejimin si pas një protokolli të mirëpërcaktuar të pjesëmarrjes së besimtarëve në meshë.

Klerikët i thanë qeverisë se nuk mund të pranonin një kompromis mbi lirinë e besimit.

Shumica e kishave italiane ishin të hapura gjatë kësaj krize, por vetëm për lutje individuale.

Pavarësisht situatës së krijuar klerikët vazhduan me mbajtjen e meshës edhe pse kishat ishin bosh, ndërsa besimtarët e ndiqnin atë nga televizori ose përmes internetit.

Marrëveshja e të enjtes thekson se mesha me praninë e besimtarëve mund të rifillojë me datë 18 maj, por me një protokoll sigurie të mirëpërcaktuar, i cili është nënshkruar nga kryeministri Xhuzepe Konte dhe Kardinal Gualtiero Basseti, kryetar i Konferencës së Peshkopëve italianë.

Në marrëveshje theksohet se klerikët do të përcaktojnë numrin maksimal të besimtarëve që do lejohen të ndjekin meshën në mjediset e Kishës, duke ruajtur të paktën një distancë prej një metër largësi.

Besimtarët duhet me patjetër të vendosin maskë në Kishë.

Meshat do të rifillojnë në të njëjtën ditë me hapjen e muzeve dhe bibliotekave në Itali.

Vatikani, i cili ka ndjekur në pjesën më të madhe masat e vendosura nga shteti italian, nuk ka lajmëruar ende se kur do të hapet Bazilika e Shën Pjetrit ose muzetë e Vatikanit.

Ora 17:08
Covid/Francë, nga dita e hënë do të rihapen 80-85% e shkollave, një milion nxënës dhe 130 mijë mësues në mësim

Ministri Francez i Arsimit, Jean-Michel Blanquer njoftoi se të hënën, 11 maj do të rihapen "80-85% e shkollave" të cilat do të mirëpresin "një milion nxënës dhe 130 mijë mësues".

Më 5 maj Presidenti francez Emmanuel Macron, gjatë një interviste live në një klasë në një shkollë në Poissy, në departamentin e Yvelines, pranë Parisit tha se "Ne duhet t'i kthejmë fëmijët gradualisht" në shkolla, megjithëse në grupe më të vogla se normalja”

"Ne gradualisht do të rihapim shkollat ​​javën e ardhshme," tha Macron, duke iu referuar fillimit të fazës 2 të planifikuar për 11 maj.

Presidenti theksoi nevojën për të rihapur shkollat, megjithëse në një mënyrë progresive dhe fleksibël, mbi të gjitha për të mirëpritur ata fëmijë me vështirësi më të mëdha sociale.

Është e qartë se brenda shkollave, klasat do të jenë më të vogla dhe "vendet do të zvogëlohen", për të respektuar, ndër të tjera, distancat fizike dhe masat e sigurisë nuk do të jenë të njëjta. Por "qëllimi im është që të gjithë fëmijët që duhet të kthehen në shkollë". "Që një fëmijë të qëndrojë 2 muaj në shtëpi është traumatizuese," tha Macron.

Ora 16:50
Covid mund ketë goditur 10 mijë atletët nga e gjithë bota në lojërat e tetorit 2019 në Wuhan

Gazeta italiane 'La Repubblica' shkruan se 'Që në muajin tetor koronavirusi mund të ketë goditur mes 10,000 atletëve që morën pjesë në Lojërat Ushtarake Botërore, të mbajtura pikërisht në qytetin kinez ku shpërtheu epidemia.

Italiani Matteo Tagliariol, fituesi olimpik I skermës në Pekin 2008, pjesë e delegacionit italian të përbërë nga rreth 200 njerëz ka thënë se  “Kur filloi të flitej për virusin, dhe pashë shenjat, thashë me vete: atje e kam marrë. Jam 37 vjeç, jam sportist, kalova një gjendje vërtet shumë të keqe krahasuar me standardet e mia”.

Matteo flet për një grupi shumë të cudtishëm dhe shumë ngjitës. “Kur u ktheva në Itali, isha i sëmurë për tre javë. Sëmundja ishte tejet virulente, me patologji të rrugëve të frymëmarrjes. Jam asmatik dhe gripi ka tendencën të më prekë bronket, por këtë radhë nuk u përmirësova as pas antibiotikëve. Pas tre javësh më iku e nuk u kthye më”, rrëfen sportisti. Partnerja e tij, Martina Batini, pati gjithashtu simptoma, por më të lehta.

“Mund të them se, në krahasim me një grip normal, ai zgjati shumë dhe ishte shumë i forte”, shprehet ajo. Ankesa të ngjashme kishte dhe francezja Elodie Clouvel, që kanë qenë gjithashtu atëherë për Lojrat Ushtarake. Sipas një hetimi të të përditshmes franceze, L’Equipe, të paktën dy atletë që përfaqësuan vendin në lojërat e Wuhanit, kanë patur probleme serioze me frymëmarrjen dhe një mjek ushtarak i ka diagnostikuar si simptoma të dukshme të koronavirusit.

Ora 16:38
Instituti për Kërkime Farmakologjike në Bergamo fotografon Covid-19 brenda një veshke

Pasi deri tani është menduar si një virus që godet drejtpërdrejtë rrugët e frymëmarrjes, covid-19 po provon të jetë shumë më i frikshëm. Nga dita në ditë po vërehet se koronavirusi sulmon edhe veshkat, zemrën, zorrët, mëlçinë dhe trurin.

Për herë të parë Covid-19 u fotografua brenda një qelize në veshka.

Zbulimi vjen nga Instituti Mario Negri për Kërkime Famacologjike në Bergamo.

"Zbulimi është shumë i rëndësishëm, shpjegon drejtori i qendrës Giuseppe Remuzzi - sepse na lejon të përparojmë në studimin e një kurë që shkon përtej fokusit të mushkërive.

Remuzzi tha gjtihashtu se "Duhet të kuptojmë se shkaku i vdekjes nuk është vetëm prej mosfunksionimit të aparatit të frymëmarrjes, por në shumë raste edhe nga goditja në veshka. Një dinamikë që shfaqet edhe në revistën Science ".

Ora 16:29
Covid, fëmijët gjermanë u rikthyen sot në shkolla pas më shumë se dy muaj për shkak të pandemisë (FOTO)

Fëmijët gjermanë u rikthyen ditën e sotme në shkolla, pas ndërprerjes së saj për më shumë se dy muaj për shkak të pandemisë së shkaktuar nga virusi i ri me origjinë nga Kina.

Në shumë shkolla, si kjo e Dortmundit që kemi në foto, nxënësve në orën e parë iu mësua se si të ruajnë distancimin social dhe të zbatojnë rregullat bazë të higjienës.

Fëmijët u rreshtuan në një distancë të kërkuar nga njëri-tjetri dhe kur hynë në shkolla dezinfektuan duart me pajisjet që iu ishin vendosur në çdo ambient. Pjesa më e madhe e tyre ishte e pajisur me maska mbrojtëse.

Një ditë më parë, kancelarja Merkel me liderët rajonalë ranë dakord për hapjen e shkollave dhe shumë aktiviteteve të tjera, megjithatë u parashikua se nëse do të ketë një shtim të rasteve me koronavirus do të aplikohen “frenat e emergjencës”, të cilat parashikojnë rikthimin e masave shtrënguese.

Ora 16:12
Covid, reagoi ndryshe nga të gjitha vendet europiane, në Suedi rritet në mbi 3000 numri i viktimave nga koronavirusi

Agjencia e Shëndetit Publik në Suedi bën me dije se numri i viktimave nga pandemia e koronavirusit në vend ka shkuar mbi 3000 duke parakaluar kështu të gjitha vendet e tjera fqinje nordike.

Në 24 orët e fundit në Suedi 99 persona humbën betejën përballë pandemisë së koronavirusit duke e çuar bilancin e viktimave në 3040.

Suedia ka mbajtur një qëndrim me masa shumë më të lehta kundër Covid-19 krahasuar me vendet e tjera evropiane.

Ndërsa shumica e Evropës vendosi kufizime të mëdha në jetën publike për të frenuar përhapjen e koronavirusit, Suedia u dallua për të kundërtën.

Ajo nuk hyri në bllokim dhe nuk imponoi politika të rrepta për distancim social. Përkundrazi, mobilizoi popullsinë, duke u bazuar tek besimi që ka tek qytetarët e saj. Këshilloi të moshuarit të shmangin kontaktin shoqëror dhe rekomandoi që njerëzit të punojnë nga shtëpia, të lajnë duart rregullisht dhe të shmangin udhëtimet e panevojshme. Gjithashtu shkollat ​​për fëmijët nën-16 vjeç mbeten të hapura, ashtu si dhe shumë biznese, përfshirë restorante dhe bare.

'Arkitekti i strategjisë', Anders Tegnell, një epidemiolog në Agjencinë e Shëndetit Publik të Suedisë, tha se kjo që po ndodh është e mbivlerësuar. “Kjo- tha ai- nuk është një sëmundje që mund të ndalet ose zhduket, të paktën deri sa të prodhohet një vaksinë dhe se “Mbyllja e kufijve është qesharake, sepse COVID-19 është në çdo vend europian tani".

Ora 14:58
Covid, Spanja regjistron në total 128 mijë të shëruar dhe 214 të vdekur nga koronavirusi në 24 orët e fundit

Numri i shifrave ditore të vdekjeve nga koronavirusi në Spanjë ka pësuar ulje.

Në 24 orët e fundit në Spanjë kanë ndërruar jetë për shkak të COVID-19 213 persona. 44 më pak së një ditë më parë, duke shkuar në 26,070 numri total i vdekjeve.

Ndërsa numri i të infektuarve ka shkuar mbi 221 mijë. Gjithashtu është rritur dhe numri i të shëruarve i cili kaluar shifrën e 128 mijë .

Kryeministri Pedro Sanchez ka thënë se secili rajon do të lirojë masat në kohë të ndryshme, varësisht prej shkallës së infektimit.

Katër ishuj spanjollë ishin të parë që lehtësuan masat që prej ditës se hënë 4 maji, duke vazhduar më vonë me pjesën tjetër të territorit spanjoll një javë më vonë.

Ora 14:31
Covid, në Mbretërinë e Bashkuar koronavirusi godet 'më shumë' njerëzit me ngjyrë

Sipas një analiza të bërë publike nga Zyra për Statistika Kombëtare, thuhet se burrat dhe gratë me ngjyrë kanë dyfish më shumë mundësi që të vdesin nga koronavirusi në dallim nga personat tjerë.

Kjo analizë ka kombinuar të dhënat për viktima si pasojë e sëmundjes Covid-19, që shkakton koronavirusi dhe të shifrat e regjistrimit të popullsisë më 2011.

Aty është veçuar mosha, vendi ku kanë jetuar njerëzit dhe problemet me shëndet.

Pasi janë bashkuar këta faktorë, burrat dhe gratë kanë pasur 90 për qind më shumë mundësi që të vdesin nga koronavirusi i ri.

Pjesëtarët e komuniteteve nga India, Bangladeshi dhe Pakistani po ashtu kanë qenë më shumë në rrezik nga ky virus, në krahasim me racën e bardhë.

Mbretëria e Bashkuar është vendi i prekur më së keqi në Evropë nga koronavirusi.

Në këtë territor janë regjistruar mbi 200,000 persona të infektuar dhe mbi 30,000 të vdekur si pasojë e sëmundjes Covid-19, që shkakton koronavirusi.

Ora 13:27
Covid, Emmanuel Macron: Edhe këtë verë do kemi kufizime udhëtimi edhe brenda Europës, do të duhet të jetojmë me virusin

Presidenti francez Emmanuel Macron deklaroi se francezët nuk do të jenë në gjendje të bëjnë udhëtime në vende të huaja këtë verë, madje edhe udhëtimet brenda Evropës mund të duhet të jenë të kufizuara, në mënyrë që të zvogëlojnë rrezikun e rigjallërimit të epidemisë së koronavirusit.

“Është shumë shpejt të themi nëse mund të bëjmë pushime. Ajo që mund të them është se do të kufizojmë udhëtimet kryesore ndërkombëtare, madje edhe gjatë pushimeve të verës. Ne do ta shohim më qartë situatën në fillim të qershorit”, u tha Macron gazetarëve gjatë një vizite në një shkollë jashtë Parisit.

Franca ka vendosur të përfundojë bllokimin në 11 maj. “BBC” shkruan se njerëzit do të lejohen të lëvizin deri në 100 kilometra rreth vendbanimit të tyre, pa një formë lejemarrjeje. Lëvizja përtej 100 km do të ketë nevojë për leje.

“Kujdes edhe në zonat e gjelbërta”

Macron bëri thirrje për kujdes dhe “pragmatizëm” në lidhje me udhëtimin jashtë zonës 100 kilometra, për të shmangur përshpejtimin e përhapjes së virusit në zona ku infeksioni është në nivele më të ulta. Në një intervistë me stacionet televizive franceze TF1 dhe France 2, Macron u bëri thirrje banorëve të zonave të gjelbëra që të bëjnë kujdes, duke ruajtur distancën sociale.

“Le të jemi shumë të qartë. Ne e dimë se si funksionon virusi dhe për cilët persona, ai është shumë i rrezikshëm,” tha presidenti francez. “Për dikë që është i dobët dhe i moshuar, edhe zona e gjelbërt është shumë e rrezikshme”.

“Jeta ekonomike duhet të rifillojë”

Më shumë se 300 kryetarë bashkish, përfshirë edhe kryebashkiaken e Parisit, Anne Hidalgo, i shkruajtën një letër të hapur Macronit, duke i kërkuar atij të vonojë kthimet në shkolla. Ata thanë se iu duhet më shumë kohë për riorganizimin e klasave dhe rutinave të përditshme. Por qeveria ka mbrojtur kryeministrin Philippe duke pohuar se, “jeta ekonomike duhet të rifillojë në mënyrë të domosdoshme dhe të shpejtë”.

“Unë e kuptoj shumë mirë ngurrimin e mësuesve, gjërat do të ndodhin me qetësi, me dialog, sepse askush nuk e di se sa kohë do të duhet të jetojmë me virusin. Ne nuk mund të vazhdojmë të themi për muaj me rradhë se vendi nuk po jeton më”, u shpreh Macron.

“Do të duhet të jetojmë me virusin”, tha Macron. “Ne duhej ta vendosnim këtë bllokim të paparë dhe tani ka ardhur koha të fillojmë një fazë të re, ku duhet të vazhdojmë të trajtojmë epideminë, duke mbajtur ende jetën e një kombi të lirë”.

Ora 13:26
Rekord tjetër i rasteve të reja me COVID-19 në Rusi në 24 orë

Numri i rasteve me koronavirus në Rusi ka kapërcyer atë në Francë dhe Gjermani për t’u bërë i pesti më i lartë në botë pas një rritjeje rekord në 24 orët e fundit.

Shifra zyrtare shkoi në 177.160 të infektuar pasi numri i rasteve të reja të koronavirusit u rrit me 11,231 në 24 orët e fundit.

Kryetari i Bashkisë së Moskës tha se shifra e vërtetë është shumë më e lartë.

Më shumë se gjysma e të gjitha rasteve dhe vdekjeve në Rusi janë në Moskë, ku të enjten u raportuan shifra rekord prej 6.703 rastesh të reja, duke e çuar në total zyrtarin në 92.676.

Por kryetari i Moskës Sergei Sobyanin tha se numri i vërtetë i rasteve në kryeqytetin rus ishte rreth 300,000, ose më shumë se trefishi i shifrës zyrtare.

Sobyanin, një aleat i ngushtë i presidentit Vladimir Putin, tha se numri i rasteve po rritet ndjeshëm sepse autoritetet kishin dyfishuar sasinë e testeve që po kryenin në Moskë.

Në mbarë vendin, Rusia thotë se ka kryer mbi 4.8 milion teste.

“Fakti që ne kemi identifikuar kaq shumë njerëz të sëmurë është një plus i madh, jo një minus,” tha Sobyanin për televizionin shtetëror. Identifikimi i njerëzve që ishin infektuar do të thoshte se ata mund të karantinohen dhe përhapja e virusit u ngadalësua, tha ai.

Ora 10:05
Covid, numri i vdekjeve nga koronavirusi në Gjermani i tejkalon 7 mijë

Më shumë se 7,000 njerëz në Gjermani kanë vdekur pasi janë kontaminuar me virusin Covid-19.

Duke iu referuar qendrës së Gjermanisë për kontrollin e sëmundjeve deri më tani koronavirusi në këtë shtet ka shënuar plotë 7,275 viktima.

Instituti i Robert Koch gjithashtu regjistroi një rritje të infeksioneve të reja në 1.284 raste, ndërsa 2.500 u shëruan nga sëmundja në të njëjtën periudhë kohore.

Të mërkurën, kancelarja gjermane Angela Merkel deklaroi se Gjermania e kishte bërë gjënë e duhur gjatë fazës së parë të pandemisë dhe njoftoi një lehtësim të kufizimeve të vendosura për të ndaluar përhapjen e virusit.

Ora 09:54
Covid-19, Trump: Sulmi i koronavirusit më i keq se i ’11 Shtatorit’ dhe ai në ‘Pearl Harbor’

Koronavirusi vijon të përhapet me ritme të shpejta në SHBA, ku deri më tani janë infektuar më shumë se 1.2 milionë persona nga të cilët kanë ndërruar jetë rreth 74 mijë.

Presidenti Donald Trump është shprehur se COVID-19 ka shkaktuar pasoja të renda në SHBA, ndërsa ka theksuat se ky virus është sulmi më i keq se ai i 11 shtatorit në Kullat Binjake dhe sulmi në Pearl Harbor.

 “Jemi duke kaluar sulmin të më të keq se Pearl Harbour dhe se sulmi në Kullat binjake më 11 shtator. Asnjëherë nuk ka pasur sulm si ky”- ka thënë presidenti Trump.

Deri tani në botë kanë humbur jetën mbi rreth 265 mijë persona dhe janë infektuar rreth 3,7 milionë.

Sulmet e 11 Shtatorit janë një seri sulmesh të kordinuara terroriste, të udhëhequra nga grupimi terrorist Al Kaeda, kundrejt Shteteve të Bashkuara më 11 Shtator 2001.

Në sulmin e 11 shtatorit 2001 humbën jetën rreth 3 mijë persona. Viktimat në kullat binjake ishin 2 752, mes tyre 343 zjarrfikës dhe 60 policë. Pjesa më e madhe e viktimave ishin civil të 70 kombësive të ndryshme.

Më 7 dhjetor të vitit 1941 një valë prej 189 avionësh luftarakë japonezë kishin sulmuar papritur bazën ushtarake detare në Pearl Harbor.

170 aeroplanë amerikanë ishin shkatërruar pa arritur të ngriheshin në ajër. 19 anije luftarake amerikane kishin dalë jashtë përdorimit, 2400 oficerë të vrarë dhe 300 të tjerë të plagosur. Ishte katastrofa më e madhe që kishte ndodhur ndonjeherë në historinë e forcave të armatosura të Amerikës.

Ora 09:04
Covid-19, Greqia dhe Kroacia drejt hapjes së kufijve me protokolle mjekësore

Me verën vetëm rreth një hap larg, miliona qytetarë evropianë nuk dinë ende si t’i organizojnë pushimet e tyre, dhe ende nuk e dinë nëse për këtë vit do të duhet të braktisin plazhet

Sidoqoftë, të mbytësh shpresat që tani mund të jetë një zgjedhje e nxituar. Greqia në fakt po mendon për një plan për të rihapur turizmin që nga 1 korriku.

Ministri grek i turizmit, Haris Theoharis tha se digasteri që ai drejton dhe ekipi i emergjencës shëndetësore është duke punuar me protokollet mjekësore që duhet të ndjekin turistët që duan të vizitojnë Greqinë, por me të gjitha gjasat do tju kërkohet rezultati negative i të paktën një testimi. Dhe ndërsa pritet që BE të përcaktojë udhëzimet e nevojshme të rihapjes për destinacionet turistike, Greqia ashtu si dhe vendet e tjera të Europës Jugore, po përpiqet në mënyrë të shpëtojë sektorin e turizmit nga kolapsi total.

Propozimi i Kroacisë

Në veri të Adriatikut Kroacia po dërgon mesazhe të qartë dhe qetësues për pushuesit në të gjithë Europën.

Autoritetet e vendit kanë vendosur të rihapin plazhet e Kroacisë pa asnjë ndalim dhe vetëm me masa paraprake.

Drejtori i Institutit të Shëndetit Publik, Krunoslav Capak tha se “plazhet do të jenë të hapura për turistët këtë verë pavarësisht nga pandemia e koronavirusit”.

"Autoritetet lokale dhe hotelierët do të duhet të sigurohen që shtretërit dhe çadrat të mos jenë shumë afër sepse virusi do të jetë ende i pranishëm," theksoi ai.

Kroacia propozon krijimin e një certifikate të rrezikut zero ose të reduktuar nga infeksioni i koronavirusit gjë që prek jo vetëm turistët por edhe ambientet e pritjeve turistike.

Teksa Unioni Europian së shpejti do të nxjerrë udhëzime për të gjitha shtetet anëtare, rihapja e kufijve do të vendoset individualisht nga vetë shtetet

Ora 08:48
Covid, shkalla e vdekshmërisë nga infeksioni i koronavirusit, midis 0.5 dhe 3.4 për qind

Është shumë herët të dihet se sa vdekjeprurës do të jetë infeksioni nga koronavirusi, por vlerësimet sugjerojnë që midis 0.5 dhe 3.4 për qind të personave që infektohen me koronavirusin vdesin.

Ndryshimi në këtë përllogaritje varet nga shumë faktorë, përfshirë ndryshimet në mënyrën e llogaritjes dhe raportimit të vdekjeve në të gjithë botën, si dhe vështirësinë në përcaktimin e numrit total të personave të infektuar nga virusi.

Shumë vende ndërkohë po llogarisin numrin e tyre të vdekjeve duke përpjestuar numrin e pacientëve që vdesin nga virusi me numrin e pacientëve të rezultuar pozitivë me Covid-19.

Drejtori i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus e përdori këtë metodë në fillim të marsit për të llogaritur shkallën e vdekshmërisë në botë në 3.4 për qind. Megjithatë, kësaj shifre i mungojnë pacientët e patestuar, përfshirë ata me simptoma të buta ose ata pa simptoma, të cilët nuk llogariten asnjëherë zyrtarisht si të infektuar. Në një sistem të përkryer, e gjithë bota do të duhej të testohej për sëmundjen, por kjo ende nuk është e mundur.

Në disa situata është ofruar një testim i tillë universal. Njëri prej tyre ishte ai i anijes turistike Diamond Princess Cruise që u izolua në brigjet e Japonisë, ku gati të gjithë pasagjerët u testuan për virusin. Niveli i vdekjeve në anije rezultoi të ishte 1.2 për qind.

Një grup tjetër i njerëzve që u testuan gjerësisht ishin ata që riatdhesoheshin në vendet e tyre nga Wuhani, origjina e koronavirusit. Një studim i publikuar në revistën mjekësore The Lancet Infectious Diseases shqyrtoi këto të dhëna dhe vlerësoi se shkalla e vdekshmërisë nga virusi ishte 0.66 për qind.

Shkalla e vdekshmërisë mund të ndryshojë edhe në varësit të vendit dhe rajonit për shkak të dallimeve në kapacitetet mjekësore, përqindjen e popullatës së moshuar ose atyre me sëmundje paraprake, faktorë që dihet se rrisin shanset e vdekjes nga koronavirusi.

Duke krahasuar koronavirusin me sëmundje të tjera infektive, gripi sezonal ka prirje të ketë një ritëm të përhapjes prej 1.3 për qind dhe një shkallë vdekshmërie prej 0,1 për qind ose më pak, që do të thotë se është edhe më pak infektiv dhe vdekjeprurës se sa COVID-19.

Fruthi, me një ritëm të përhapjes prej 12 për qind dhe shkallë vdekshmërie prej 15 për qind, është edhe më ngjitës dhe më vdekjeprurës.

Ora 08:39
Covid/OBSH: Rritet numri i rasteve me koronavirus jashtë Europës Perëndimore

Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus ka thënë se teksa numri i rasteve të prekura me koronavirus është duke rënë në Evropën Perëndimore, e kundërta është duke ndodhur në Evopën Lindore, në Afrikë, Azinë Juglindore, Lindjen e Mesme dhe Amerikë.

Ai po ashtu pa paralajmëruar qeveritë që të menaxhojnë me kujdes vendimet për lehtësim të masave të izolimit, pasi “rreziku i kthimit të virusit është shumë real”.

Ai ka përmendur gjashtë kushte para lehtësimit të masave të izolimit;

  • Numri i rasteve duhet të jetë në rënie, por vëzhgimi i të infektuarve duhet të jetë i lartë
  • Sistemet shëndetësore duhet të jene të gatshme të testojnë, trajtojnë dhe izolojnë të infektuarit
  • Në spitale dhe shtëpi kujdesi duhet të ketë shpërthime minimale
  • Masat mbrojtëse duhet zbatuar në vende të punës dhe shkolla
  • Numri i rasteve të importuara duhet të jetë i menaxhueshëm
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Kafsha: 07/05/2020 11:34

    Tani qe jorgjeria do hapi kufijte e saj, ne ti mbajme mbyllur të mos na vinë jorgjete se do na semurin!

    Përgjigju
    • Kafsha 2: 07/05/2020 19:33

      I paske shume fiksim jorgjit ti..!! Je I pa pame. Me lot kur shkruan per jorgjit gjithmone. Te jesh mire

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Alarm në Greqi, ujërat e zeza të Athinës të ‘mbingopura’ me kokainë! Dyfishohet konsumi i drogës gjatë festave, ulet niveli i COVID-it

Alarm në Greqi, ujërat e zeza të Athinës të ‘mbingopura’ me kokainë! Dyfishohet konsumi i drogës gjatë festave, ulet niveli i COVID-it