Covid, në Itali 382 vdekje në 24 orët e fundit! Eksperti i OBSH: Në diell në temperaturë 24° koronavirusi zhduket për dy minuta! Në SHBA viktima sa në luftën e Vietnamit...

Covid, në Itali 382 vdekje në 24 orët e fundit! Eksperti i OBSH: Në diell në temperaturë 24° koronavirusi zhduket për dy minuta! Në SHBA viktima sa në luftën e Vietnamit...

Në Shtetet e Bashkuara, në 24 orët e fundit u regjistruan 1,303 vdekje të tjera nga infeksioni i koronavirusit për një total viktimash prej më shumë se 56 000 kurse të identifikuarit pozitiv janë 988 mijë.

Në vetëm dy muaj në SHBA numri i atyre që kanë humbur jetën nga Covid është pothuajse i barabartë me numrin e të vrarëve gjatë 20 vite lufte midis Vietnamit dhe SHBA në vitet 1955-1975

Presidenti Donald Trump tha gjatë një konference për shtyp në Shtëpinë e Bardhë se është i bindur që shumë shkolla në Amerikë do të rihapen, megjithëse për një periudhë të shkurtër kohe, pas mbylljeve për shkak të pandemisë nga koronavirusi- duke përsëritur se projeksionet ishin që në SHBA të kishte një numër katastrofik vdekjesh por fal masave të marra u shmang tragjedia.

Trump tha se ai nuk ndihej përgjegjës për faktin se disa njerëz kanë tentuar të konsumonin dezinfektues si një ilaç për koronavirus teksa para pak ditësh ishte Trump ai që propozoi të provohej në luftën kundër pandemisë injeksioni me zbardhues apo dezinfektues.

Ndërkohë në Kinë në 24 orët e fundit u regjistruan 6 raste të reja të koronavirusit nga të cilat tre të importuara dhe asnjë vdekje.

Deri tani në Kinë numri total i të infektuarve është 82 836 kurse numri total i viktimave që nga fillimi i pandemisë është 4633.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:07
Covid-19, në Itali 382 viktima në 24 orë nga koronavirusi, totali i të shëruarve  68.941

Sipas autoriteteve të Mbrojtjes Civile Italiane gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar  382 viktima nga koronavirusi, për një total prej 27359 vdekje që nga fillimi i epidemisë. 

Numri i përgjithshëm i të të shëruarve është rritur në 68.941 dhe vetëm sot u regjistruan 2.317 të shëruar brenda një dite.

Autoritetet raportuan gjithashtu se numri total i të infektuarve nga Covid është mbi 200 mijë që nga fillimi i epidemisë teksa sot pati 2,091 raste të reja infeksioni

Në kujdesin intensiv janë të shtruar 93 pacientë më pak se dje për një total prej 1863 pacientësh  

"Kanë mbetur 6 ditë deri në 4 maj, kur fillon një lehtësim gradual i masave të kontrollit, izolimit dhe bllokimit. Ne nuk mund të mashtrojmë veten duke menduar se kemi dalë nga rreziku dhe t’i nënvlerësojmë masat mbrojtëse”, - tha Komisioneri Italian për emergjencën nga koronavirusi, Domenico Arcuri në një konferencë për shtyp në Mbrojtjen Civile

Plani i qeverisë është gjithashtu që duke filluar nga data 1 qershor të rihapen baret, restorantet, parukeritë, sallonet e bukurisë, berberët dhe qendrat e masazheve gjithmonë me masa të adoptuara kurse shkollat do të qëndrojnë të mbyllura deri në shtator.

Ora 17:02
Covid, Gjermania e pakënaqur me saktësinë e testimeve për koronavirusin

Autoritetet e shëndetësisë në Gjermania nuk janë të kënaqur me shumë prej testeve të dala në treg për koronavirusin.

"Shumë prej testeve aktualisht në treg nuk janë shumë të sakta dhe kjo nuk është gjë e mirë, kur për shembull keni një test ku 10 persona kanë antitrupa kundër virusit dhe testi vetëm njeh 7 prej tyre si pozitivë. Kjo tregon një saktësi 70%, e cila natyrisht nuk është e mirë. Mund ta imagjinoni që nëse tre nga 10 janë gabim, atëherë mbetet vetëm të hamendësojmë", tha Lothar Wieler, kreu i Institutit gjerman "Robert Koch" për Sëmundjet Infektive.

Wieler nënvizoi se në Gjermani gjithçka mund të ndryshojë dhe situata mund të dalë nga kontrolli nëse rritet sadopak niveli i përhapjes.

"Tani për tani niveli i riprodhimit është afërsisht një, kështu që një person infekton një person tjetër. Nëse supozojmë se çdo person infekton 1.1 persona të tjerë, ne do të arrijmë në pikën e mbingarkesës për shtretërit e njësive të kujdesit intensiv deri në mujain tetor. Nëse kjo normë është 1.2, ose me fjalë të tjera, 20% më shumë, kështu që nga pesë persona, njëri infekton dy të tjerë dhe katër persona një person tjetër, atëherë ne do të arrijmë në pikën e mbingarkesës së sistemit shëndetësor në korrik tashmë. Me 1.3, që nuk tingëllon shumë pasi kemi ardhur nga 3 në 5 infeksione, ne do të kemi një pikë krize në muajin qershor - tha Wieler.

Disa javë më parë, Kancelarja Angela Merkel tha se duhej kujdes për të luftuar koronavirusin e ri pasi situata në vend ishte akoma e brishtë.

Numri i rasteve të konfirmuara të koronavirusit në Gjermani u rrit me 1.144 raste të reja, pra me një total prej 156.337, treguan të martën të dhënat nga Instituti Robert Koch.

Numri i vdekjeve u rrit me 163 në 5,913 viktima gjithsej, sipas raportit.

Ora 16:58
Covid, Presidenti portugez: Gjendja e jashtëzakonshme nga koronavirusi do të përfundojë më 2 maj

Presidenti portugez, Marcelo Rebelo de Sousa ka njoftuar se gjendja e jashtëzakonshme në Portugali do të përfundojë më 2 maj.

Megjthatë, ai ka tërhequr vërejtjen se kjo nuk nënkupton që përfundon edhe shpërthimi i virusit, ndërkohë që ka theksuar se rihapja e ekonomisë do të bëhet në mënyrë graduale.

“Çfarë ka rëndësi në këtë fazë është që portugezët ta dinë se infektimi është faktor i rëndësishëm dhe ne duhet të marrim hapa të vegjël për ta analizuar situatën”, ka thënë ai në një konferencë për media.

Portugalia deri më tani ka regjistruar 24,322 raste të infektimit dhe 948 vdekje si pasojë e Covid-19.

Vendimi për gjendje të jashtëzakonshme është marrë më 18 mars, duke shtyrë njerëzit që të qëndrojnë në shtëpi si dhe u ndaluan udhëtimet nga njëri qytet në tjetrin.

Ora 16:55
Covid, në Turqi 120 të burgosur testohen pozitivë nga koronavirusi

Ministri i Brendshëm turk, Abdulhamit Gul ka deklaruar se 120 të dënuar në katër burgje në Turqi janë testuar pozitiv nga koronavirusi, duke saktësuar se të gjithë janë trajtuar në spitalet e Ankarasë dhe janë në kushte optimale shëndetësore.

Dy javë më parë Turqia ka aprovuar një maxi amnisti e cila ka lejuar lirimin e rreth 90 mijë të burgosurve, rreth një e treta e numrit total të të burgosurve, në tentativë për të zvogëluar rrezikun e përhapjes së Covid-19 në burgjet e mbipopulluara në vend.

Deri tani Turqia ka regjistruar më shumë se 112 mijë të infektuar nga koronavirusi për një total prej 2900 viktimash.

Ora 16:01
Covid-19, Spanja optimiste, faza 2 do të kalibrohet sipas zonave

Tendenca në rënie në Spanjë duket e konfirmuar, teksa numri i vdekjeve në 24 orët e fundit ishte 301. Rastet e pozitivëve të rinj janë mbi 1300 dhe në total Spanja ka 211 mijë të infektuar, nga të cilët më shumë se gjysma janë shëruar.

Duke pasur parasysh shifrat inkurajuese, qeveria spanjolle synon të lehtësojë masat e kontrollit.

Prej ditës së sotme fëmijët nën moshën 14 vjeç lejohet dalja nga shtëpia gjithonë të shoqëruar nga prindërit apo një anëtar tjetër i familjes, por mbajtja gjithmonë më maska, doreza dhe duke respektuar distancimin social.

Më 9 maj, ideja e qeverisë është që të clirojë nga izolimi edhe personat mbi 65 vjeç.

Qeveria ka filuar të shpërndajë maska ​​në metro dhe stacionet e autobusëve, por sipas udhëzimeve të Ministrisë së Shëndetësisë drejtuar punëtorëve, pasi të kthehen në shtëpi, ata u kërkojnë atyre që të mbajnë distancat e tyre sociale në mënyrë që të mos rrezikojnë të infektojnë pjesën tjetër të familjes.

De-përshkallëzimi i masave do të vazhdojë me gjeometri të ndryshueshme sipas situatës pandemike.

Plani i rihapjes do të lidhet me aftësinë e Rajoneve për të aktivizuar njësitë e kujdesit intensiv, në rast të një përshkallëzimi të ri në kurbën e ngjitjes së infeksionit nga koronavirusi.

Ndoshta ende herët për të kënduar fitoren, por emergjenca shëndetësore duket se është lënë pas.

Ora 15:03
Gjermania lehtëson masat por shtohen rastet e infeksionit, Franca shtyn për më vonë rihapjen e shkollave

Teksa Gjermani ka lehtësuar masat e bllokimit dhe izolimit prej koronavirusit, shkalla e infeksionit është rritur në 1, pra çdo person i infektuar infekton një tjetër, kjo sipas të dhënave të lëshuara nga Instituti Robert Koch (RKI). Që nga mesi i prillit, shkalla e infeksionit ka rënë në 0.7 para se të rritej përsëri këto ditë në 1.  Ndërkohë, shkalla e vdekshmërisë nga sëmundja e Covid është rritur gjithashtu dita ditës. Sipas të dhënave të RKI, dje arriti në 3.8 përqind.

Në Gjermani numri total i rasteve të infeksionit është 158.758 kurse numri i viktimave ka shkuar në  6.126

Franca shtyn për në një tjetër fazë rihapjen e shkollave

Sipas informacioneve të zbuluar nga ‘Bfm-TV’, shkollat ​​franceze do të qëndrojnë të mbyllura të paktën deri në qershor. Presidenti Emmanuel Macron fillimisht kishte deklaruar se ata gradualisht do të rihapeshin nga 11 maji, data e fillimit të fazës 2, me përfundimin e masave të rrepta të kufizimit të dekretuar prej gati dy muajsh, më 17 mars.

Ora 12:53
Covid-19, Austria i rikthehet normalitetit më 1 Maj, të detyrueshme maskat dhe distanca sociale

Ministri i Brendshëm i Austrisë, Rudolf Anschober ka njoftuar se masat e rrepta që janë ndërmarrë në vend, për të frenuar përhapjen e koronavirusit do të hiqen në 1 maj, duke e rikthyer disi në normalitet jetesën.

Sipas ministres së turizmit Elisabeth Kostinger, ky lehtësim i masave, i vendosur deri në fund të qershorit, do të përfshijë rihapjet e sektorëve të ndryshëm gjatë gjithë muajit të ardhshëm

Restorantet dhe kafenetë do të mund të hapen nga 15 maj, ndërsa hotelet do të duhet të presin pak më shumë, saktësisht deri më 29 maj.

Ministri Rudolf Anschober theksoi se ndërsa njerëzit do të kenë më shumë liri-dalje, ata do të duhet të respektojnë masat distancuese sociale.

Maska do të vazhdojë të jetë një kërkesë, dhe distanca prej së paku 1 metri do të jetë ende e detyrueshëm, për të gjithë ata që dalin jashtë shtëpisë.

Gjithashtu, dhe grumbullimet me më shumë se 10 persona janë të ndaluara, ndërsa një përjashtim bëhet për funeralet, ku mund të marrin pjesë deri në 30 persona.

Dyqanet gjithashtu do të kenë kapacitet të zvogëluar, duke lejuar vetëm një klient për çdo 10 metra katrorë.

Ora 12:44
Covid, Turqia ndihmon SHBA-në me pajisje mjekësore në luftën kundër koronavirusit

Turqia nisi në SHBA një aeroplan me pajisje mjekësore dhe mbrojtëse, për ta ndihmuar atë në luftën kundër koronavirusit.

Shtetet e Bashkuara kanë numrin më të madh të të infektuarve dhe viktimave: mbi 980,000, përkatësisht mbi 56,000.

"Me krenari njoftojmë se Turqia do t'iu dërgojë furnizime mjekësore Shteteve të Bashkuara, pas kërkesës së tyre për ta mbështetur luftën e Amerikës kundër koronavirusit", tha përmes një komunikate Drejtoria e Komunikimeve e Turqisë.

Ndihma përmban maska kirurgjikale, dezinfektues, syze dhe mburoja të fytyrës.

SHBA-ja e cilësoi këtë si “donacion bujar”.

Ankaraja tashmë ka dërguar donacione mjekësore në 55 shtete, përfshirë Italinë, Spanjën, Britaninë, Iranin, Kinën dhe disa vende të Ballkanit.

Turqia është e shtata në botë për nga numri i rasteve me koronavirus, por zyrtarët kanë njoftuar se numri i të infektuarve të rinj dhe i viktimave është duke rënë.

Sipas Ministrisë turke të Shëndetësisë, në këtë vend janë infektuar 112,000 njerëz, ndërsa kanë vdekur 2,900.

Ora 11:39
Suedia, 'delja e zezë' e Europës regjistron rreth 19 mijë raste infeksioni dhe më shumë se 2270 vdekje

Suedia ka qenë një “dele e zezë” gjatë shpërthimit të pandemisë nga koronavirus. Vendimet e autoriteteve nuk i janë bashkuar masave të ndërmarra nga qeveritë e vendeve europiane për të frenuar pandeminë. Baret dhe rastorantet janë të hapura, njerëzit në rrugë pa maska, fëmijët e vegjël kanë vazhduar të shkojnë në shkollë, megjithëse universitetet dhe shkollat ​​për nxenes më të rritur po praktikojnë mësimin në distancë.

Më 7 Prill, qeveria prezantoi një projekt-ligj që e lejon atë të veprojë shpejt dhe të marrë vendime për masa të përkohshme, kur është e nevojshme. Vizitat në shtëpitë e të moshuarve u ndaluan që nga 1 Prilli dhe Ministria e Shëndetësisë dhe Çështjeve Sociale u kërkoi njerëzve që të minimizojnë udhëtimet jo të domosdoshme.

Kontrasti i Suedisë me vendet fqinje është i madh. Finlanda shpalli gjendjen e jashtëzakonshme, shkollat u mbyllen dhe u ndaluan mbledhjet e më shumë se 10 personave.  Që më datën 16 mars ajo kufizoi udhëtimet kurse më 28 mars mbylli restorantet, kafene dhe baret.

Shkalla e vdekshmerise në Suedi tani është rritur në mënyrë të konsiderueshme, krahasuar me shumë vende të tjera në Europë, duke arritur në më shumë se 21 vdekje për 100,000 njerëz, sipas shifrave nga Universiteti Johns Hopkins.

Në të kundërt me Suedinë, Danimarka ka regjistruar më shumë se shtatë vdekje për 100,000 njerëz, dhe Norvegjia dhe Finlanda më pak se katër.

Suedia gjithashtu ka regjistruar 18.640 raste me koronavirus dhe 2,194 vdekje në mesin e popullatës së saj prej 10.3 milion njerëz. Danimarka ka pasur 8,773 raste dhe 422 vdekje në një popullsi prej 5.8 milion, Norvegjia 7,449 raste dhe 202 vdekje në mesin e 5.4 milion njerëzve të saj, dhe në Finlandë 4,576 raste dhe 190 vdekje në popullsinë e saj prej 5.5 milion. Danimarka dhe Norvegjia tani kanë filluar të lehtësojnë pengesat e tyre, me fëmijët që kthehen në shkollë në 10 ditët e kaluara, në klasa më të vogla me shënues për të ndihmuar të mbajnë ata dy metra distancë mes tyre. Sallonet dhe bizneset e tjera do të rihapen në Norvegji nga e hëna. Finlanda ka shtrirë kufizimet e saj deri më 13 maj.

Më 28 Mars, një peticion i nënshkruar nga 2,000 studiues suedezë, bëri thirrje që qeveria “menjëherë të ndërmarrë hapa për t’u pajtuar me rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (WHO).

 “Këto masa duhet të bëhen sa më shpejt që të jetë e mundur, siç ndodh aktualisht në vendet tona fqinje evropiane,” kanë shkruar ata. “Vendi ynë nuk duhet të jetë një përjashtim nga puna për të frenuar pandeminë.”

Ora 11:09
Covid/OBSH: Lehtësimi i masave, secili vend merr përgjegjësinë e tij...urgjentisht identifikime, izolime dhe testime

"Ndërsa disa vende në Europë kanë filluar të lehtësojnë masat e bllokimin dhe izolimit si rezultat i rënies së numrit të rasteve të reja me Covid-19, ne urgjentisht kërkojmë të vazhdohet me identifikimin, izolimin, testimin dhe trajtjtimet për t’u siguruar që rënia e kurbës epidemike do të vazhdojë."

Ky është apeli i drejtorit të Organizatës Botërore të Shëndetit (OBSH), Tedros Adhanom Ghebreyesus në konferencën e zakonshme për shtyp në lidhje me pandeminë.

"Ne mund t'u japim vetëm këshilla, por nuk kemi mandat për t'i detyruar vendet të zbatojnë rekomandimet tona," tha Ghebreyesus

"Kur ne shpallëm emergjencën shëndetësore në botë më 30 janar - tha drejtori i agjencisë së OKB - me vetëm 82 raste koronavirus jashtë Kinës, bota duhet të na kishte dëgjuar më shumë. Të gjitha vendet mund të kishin aktivizuar maksimumet e niveleve të sigurisë atë kohë. Ne japim këshilla, disa vende i pranojnë ato, të tjerët i refuzojnë. Secili vend merr përgjegjësinë e tij."

Ora 10:52
New York, nuk shihte dot pacientët duke vdekur, vetëvritet mjekja 49 vjeçare që luftoi me koronavirusin

Një nga mjeket më të mira të vijës së parë të luftës kundër koronavirusit në Nju Jork Siti ka vrarë veten. Dr. Lorna Breen, e cila ishte drejtoreshë e departamentit të urgjencës në Spitalin All Jork-Presbyterian Allen në Manhatan, vdiq nga plagët e vetë-shkaktuara të dielën, tha policia.

Babai i 49-vjeçares, Dr Philip Breen, i tha Nju Jork Tajms: “Ajo u përpoq të bënte punën e saj dhe kjo e vrau atë”. Ai shtoi se vajza e tij nuk kishte vuajtur nga sëmundjet mendore.

Vetë Lorna Breen ishte prekur nga koronavirusi gjatë punës së saj dhe u kthye në punë rreth një javë e gjysmë më vonë pasi ishte shëruar.

Spitali e kishte dërguar atë përsëri në shtëpi, përpara se familja e saj “të ndërhynte” për ta sjellë në Charlottesville, tha babai i saj.

Ai tha se kur kishin folur për herë të fundit, vajza e tij ishte dukur “e shkëputur” dhe i tha atij se si pacientët Covid-19 po vdisnin para se të mund të nxirreshin nga ambulancat.

Sipas gazetës, Dr Lorna Breen ishte një e krishterë e devotshme që ishte shumë afër familjes së saj. Ajo ushtronte sportin e skive dhe vallëzimin e salsës. Ajo shkonte vullnetarisht një herë në javë në një shtëpi për të moshuarit.

Shefi i policisë tha në një deklaratë: “Profesionistët e kujdesit shëndetësor në vijën e parë nuk janë imun ndaj efekteve mendore ose fizike të pandemisë aktuale.

“Çdo ditë” shtoi ajo, “këta profesionistë operojnë nën rrethanat më stresuese dhe koronavirusi e ka shtuar atë”.

Ora 10:32
Covid/Itali, kroçera ‘Costa Magica’ mbërrin në Ancona: 617 njerëz në bord, 130 të infektuar

Kroçera 'Costa Magica' me 617 njerëz në bord nga të cilët 130 janë të identifikuar pozitiv nga koronavirusi, ka mbërritur në portin e Ankona në Itali pasi ishte nisur nga Karaibet dhe kishte kryer dy ndalesa në Miami dhe më pas në Canarie, nga ku u largua të mërkurën e kaluar.

Nga 130 të testuarit pozitive, asnjëri prej tyre nuk është në gjendje kritike, por si personeli mjekësor në bord ashtu edhe autoritetet shëndetësore italiane po e trajtojnë çështjen me shumë kujdes.

Të gjitha operacionet do të kryhen në përputhje me një protokoll shumë të rreptë të sigurisë.

Askush nuk do të jetë në gjendje të hipë në bord derisa të jenë verifikuar kushtet shëndetësore dhe rreziku i mundshëm i infektimit të secilit prej anëtarëve të ekuipazhit të cilët do t’i nënshtrohen testit të tamponit, dy në 24 orë, dhe më pas karantinës.

Ora 09:55
Covid, Greqia po e përballon koronavirusin në mënyrë ekzemplare, ja përse...

Dhjetë vjet më parë Greqia ishte vetë një paciente për Evropën, kurse sot duket se po e kapërcen emergjencën shëndetësore nga koronavirusi në mënyrë ekzemplare fal edhe kujdesit dhe disiplinës që i është imponuar nga autoritetet europiane vitet e fundit.

Me një numër të ulët të rasteve të identifikuar pozitiv me Covid dhe me një numër të ulët të vdekjeve, pushtetarët e saj mund të deklarojnë me kokën e mbajtur të lartë se ata kanë qenë në gjendje të kapërcejnë krizën e pandemisë.

Sakrificat që janë bërë ‘rroba më e mirë’ e veshur nga grekët në dhjetë vitet e fundit për shkaqe financiare, i kanë mësuar ata me flijime teksa që prej fillimit të emergjencës kanë qenë të detyruar të heqin dorë nga një pjesë e lirive të tyre për të mbrojtur jetën. Nuk kishte asnjë alternativë tjetër për Athinën zyrtare pasi në të kundërt, sistemi shëndetësor nuk do ta duronte ndikimin e fortë të pandemisë.

Programet shtrënguese që lejuan Greqinë të rikuperohej nga kriza financiare kanë çuar gjithashtu në një rishikim dixhital të sistemeve që administrojnë shtetin grek.

Shërbimet publike në internet, siç janë ato të përdorura nga agjensia e mbrojtjes civile dhe autoritetet tatimore, i kanë lejuar shtetit të funksionojë edhe në kushte bllokimi.

Greqia raportoi në 24 orët e fundit për 17 raste të reja me COVID-19 për një total prej më shumë se 2500 të prekur kurse numri i vdekjeve është vetëm 136, shifra ekstremisht të ulta për nga numri i popullsisë dhe krahasuar me vende te tjera.
Mosha mesatare e viktimave është 74 vjeç dhe mbi 90 përqind e tyre vuanin edhe nga sëmundje të tjera.

Ndërkohë qeveria greke ka vendosur që duke filluar nga data 4 maj, ashtu si edhe në shumë vende europiane do të nis faza e dytë e pandemisë ajo e bashkëjetesës me koronavirusin dhe do të rifillojnë nga puna disa aktivitete shërbimi. Gjithashtu po shikohet mundësia e rihapjes gradualisht të disa cikleve shkollorë por me kushte dhe rregulla të forta të cilat mbeten për tu parë.

Ora 09:02
Studimi shqetësues amerikan: Covid shkakton ictus kryesisht te të rinjtë

Ndërsa e gjithë Europa po lëviz drejt fazës 2 të pandemisë, studimet mbi koronavirusin dhe implikimet e tij janë duke vazhduar.
Një studim që lidh infeksionin e Covid me ictus apo me atë që në zhargonin popullor njihet si goditje në tru, vjen nga nje spital në Manhattan, ne SHBA.

Sipas studiuesve goditja në tru që shkakton koronavirusi sidomos te moshat e reja dhe ato të mesme është një nga implikimet e koronavirusit të mësuara që fundmi dhe një e dhënë shtesë në të kuptuarit tonë të evolucionit të sëmundjes.

Megjithëse ka infektuar gati 2.8 milion njerëz në të gjithë botën dhe ka vrarë rreth 195,000 të tjerë, mekanizmat biologjikë të koronavirusit vazhdojnë të shtangin mendjet më të mira shkencore. Së pari u mendua se ishte një patogjen që kryesisht sulmon mushkëritë, pastaj u pa se Covid prekte pothuajse të gjitha sistemet kryesore të organeve në trup.

Sipas të dhënave të para nga Ëuhan mjekët atje kishin konstatuar se infeksioni i koronavirusit kishte shkaktuar ictus te shumë pacientë. Por kjo e dhënë deri dje ishte konsideruar një rast i dyshuar klinik

Tani për herë të parë, tre qendra të mëdha mjekësore të SHBA kanë dalë në përfundimin se koronavirusi nuk prek vetëm mushkritë, veshkat dhe zemrën por edhe godet fort në tru

Ictus, e cila është ndërprerje e papritur e furnizimit me gjak, është një problem shumë më kompleks. Studimet tregojnë se pacientët me koronavirus po përjetojnë kryesisht llojin më vdekjeprurës të goditjes në tru.

Shumë studiues dyshojnë se goditja në tru në pacientët me covid-19 mund të jetë një pasojë e drejtpërdrejtë e problemeve të mpiksjes së gjakut. Profesorët e Manhattan e quajnë ictus te pacientët Covid si "një nga manifestimet më dramatike" të koronavirusit.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • turp: 28/04/2020 10:25

    Turp nuk lat gje negative per te thene per shqiperine edhe tani beni artikula per greqine por shqiperia qe e menaxhon akoma me mire se greqia? apo me mente e lulit edhe ju

    Përgjigju
    • turp ti: 28/04/2020 15:23

      ik more anej ske lidhje fare shifi mire statistikat pastaj fol idiot

    • Turp ti: 28/04/2020 13:02

      Kush po e menaxhon mire mer zvarranik. Ke 97 raste ne kruje prej fasoneve qe po "inspektoheshin" nga qeveria. Menaxhim si ne nepali qe sbente testime.

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Durrës/ Makineria e duraluminit i mori jetën punëtorit 50-vjeçar, zbardhet dinamika! Ja çfarë e shkaktoi aksidentin

Durrës/ Makineria e duraluminit i mori jetën punëtorit 50-vjeçar, zbardhet dinamika! Ja çfarë e shkaktoi aksidentin