TIRANË - Qeveria miratoi shpërblimin e fundvitit për pensionistët me 2 fasha, 150 euro për ata që marrin nën 20 mijë lekë në muaj dhe 100 euro bonus kush merr mbi 20 mijë lekë në muaj. Ministri i Ekonomisë Blendi Gonxhja tha se nga bonusi do të përfitojnë mbi 724 mijë pensionistë.
“Për të gjithë 724,933 pensionistët, nga të cilët 511,173 pensionistë me pension deri 20,000 lekë do të marrin këtë fundvit bonusin 15,000 Lekë, dhe 213,760 pensionistë me pensione mbi 20,000 lekë përfitojnë bonusin 10,000 Lekë! Theksoj se të gjithë ata 65,763 pensionistë invalidë, 44,561 pensione familjare - gra e burra të ve, fëmijë jetim pavarësisht se sa pension marrin do të kenë bonusin maksimal 15,000 Lekë! Përfshihen në këtë bonus fundviti edhe 2,900 pensionet e parakohshme të ushtarakëve”, tha Gonxhja.
Gonxhja theksoi se nga këto bonuse rritet automatikisht edhe vlera e pensionit.
“Praktikisht, efekti i fondit prej 100 milionë euro të bonusit të fundvitit që miratuam sot, rrit me 9% mesatarisht një pension prej 15,000 Lekësh për të gjithë vitin 2024; rrit mesatarisht 13% një pension social; rrit mesatarisht 35% pensionin familjar”, tha Gonxhja.
Shpërndarja e shpërblimit për pensionistët pritet të nisë në mes të muajit dhjetor.
“Pagesat për pensionistët nisin javën e dytë të dhjetorit”, u shpreh Gonxhja.
Të gjithë pensionistët do të marrin edhe një bonus tjetër në pranverën e 2025-ës, në varësi të rritjes ekonomike, për këtë arsye vlera e këtij shpërblimi ende nuk është përcaktuar.
a- Personat që përfitojnë pension pleqërie, deri në masën e pensionit 20 000 (njëzet mijë) lekë përfshirë edhe këtë masë, sipas ligjeve nr.7703, datë 11.5.1993,
b)- Personat që përfitojnë pension invaliditeti, pension familjar dhe pension social, sipas ligjeve nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe nr.4171, datë 13.9.1966
c) - Personat që nuk përfitojnë pension, por janë përfitues vetëm të trajtimit financiar, si fëmijë në përkujdesje të Republikës, sipas ligjit nr.129/2021, “Për statusin fëmijë në përkujdesje të Republikës
ç)- Personat që nuk përfitojnë pension, por janë përfitues vetëm të trajtimit të veçantë financiar, sipas neneve 5/1/a ose 5/1/b, të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993
d)- Personat që nuk përfitojnë pension, por që trajtohen vetëm me shpërblimin financiar, si veteranë të LANÇ-it
dh)- Personat që përfitojnë pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi, deri në masën e pensionit 20 000 (njëzet mijë) lekë, përfshirë edhe këtë masë, sipas ligjit nr.10 142, datë 15.5.2009, “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura, të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin e të punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe nuk janë të punësuar në momentin e hyrjes në fuqi të këtij vendimi;
e) -Personat që përfitojnë pension, deri në masën e pensionit 20 000 (njëzet mijë) lekë, përfshirë edhe këtë masë, sipas ligjit nr.150/2014, “Për pensionet e punonjësve që kanë punuar në miniera në nëntokë”
ë)- Personat që përfitojnë trajtim të veçantë financiar, deri në masën e pensionit 20 000 (njëzet mijë) lekë, përfshirë edhe këtë masë, sipas ligjit nr.8685, datë 22.6.2000, “Për një trajtim të veçantë të punonjësve, që kanë punuar në miniera, në nëntokë”, të ndryshuar;
f)- Personat që përfitojnë trajtim të veçantë financiar, deri në masën e pensionit 20 000 (njëzet mijë) lekë, përfshirë edhe këtë masë, sipas ligjit nr.9179, datë 29.1.2004, “Për një trajtim të veçantë të punonjësve, që kanë punuar në disa ndërmarrje të industrisë ushtarake”, të ndryshuar
g) - Personat që përfitojnë pension për shkak të profesionit të vështirë, deri në masën e pensionit 20 000 (njëzet mijë) lekë, përfshirë edhe këtë masë, sipas nenit 5, të ligjit nr.29/2019, “Për trajtimin financiar, suplementar të punonjësve, që kanë punuar në miniera në nëntokë, të punonjësve të industrisë së naftës e të gazit dhe të punonjësve që kanë punuar në metalurgji”.
-Personat që përfitojnë trajtim të veçantë financiar, mbi masën e pensionit 20 000 (njëzet mijë) lekë, sipas ligjit nr.9179, datë 29.1.2004, “Për një trajtim të veçantë të punonjësve, që kanë punuar në disa ndërmarrje të industrisë ushtarake”, të ndryshuar;
- Personat që përfitojnë pension, me masë pensioni mbi 20 000 (njëzet mijë) lekë, sipas ligjit nr.150/2014, “Për pensionet e punonjësve, që kanë punuar në miniera në nëntokë”;
-Personat që përfitojnë trajtim të veçantë financiar, sipas ligjit nr.8685, datë 22.6.2000, “Për një trajtim të veçantë të punonjësve, që kanë punuar në miniera, në nëntokë”, të ndryshuar, me masë përfitimi mbi 20 000 (njëzet mijë) lekë;
-Personat që përfitojnë pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi, me masë përfitimi mbi 20 000 (njëzet mijë) lekë, sipas ligjit nr.10 142, datë 15.5.2009, “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura, të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin e të punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar;
-Personat që nuk përfitojnë pension, por që përfitojnë vetëm pension shtetëror të posaçëm, të caktuar në përputhje me nenin 5, të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar;
-Personat që nuk përfitojnë pension sipas ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, por përfitojnë pension suplementar, të caktuar sipas ligjit nr.8097, datë 21.3.1996, “Për pensionet shtetërore suplementare të personave që kryejnë funksione kushtetuese dhe të punonjësve të shtetit”, të ndryshuar;
-Personat që përfitojnë pension për shkak të profesionit të vështirë, sipas nenit 5, të ligjit nr.29/2019, “Për trajtimin financiar, suplementar të punonjësve, që kanë punuar në miniera në nëntokë, të punonjësve të industrisë së naftës e të gazit dhe të punonjësve, që kanë punuar në metalurgji”, me masë përfitimi mbi 20 000 (njëzet mijë) lekë.
Të drejtën për të përfituar shpërblimin, në masën e përcaktuar sipas pikave 1 e 2, të këtij vendimi, e kanë edhe ata persona që kanë datë të fillimit të përfitimit, deri në datën 31.12.2024, duke përfshirë edhe këtë datë, dhe kanë të drejtë të marrin vetëm një herë këtë shpërblim pavarësisht se mund të përfitojnë më shumë se një përfitim.
Konkretisht 3 650 000 000 nga fondi “Kontingjencë për bonusin e pensionistëve”
2 444 000 000 lekë, nga fondi “Për indeksimin e pensioneve“
3 779 862 000 lekë, nga buxheti i shtetit dhe buxheti i planifikuar për sigurimet shoqërore