TIRANË- Këmbësorët kanë rezultuar më të pabindur krahasuar me drejtuesit e mjeteve, ku brenda 24 orëve të fundit janë gjobitur 281 persona. Nga këta, 81 këmbësorë kanë dalë jashtë orarit, që do të thotë përtej orës 13:00 dhe 200 të tjerë të cilët kishin dalë nga shtëpia pa asnjë arsye.
Ndërkohë 302 persona të ardhur nga zona e kuqe u është ushtruar kontrolli në banesë për të parë nëse po zbatonin rregullat e vetëkarantinimit, nga të cilët u konstatua në shkelje 1 person. E për pasojë u gjobit me gjobë prej 700 mijë lekë. Nga ana tjetër, janë gjobitur edhe 18 shoferë dhe 7 administratorë lokali.
Policia bën apel qytetarëve që të respektojnë rregullat, e ndërsa të dërgojnë mesazh në numrin 55155 për të marrë autorizim për të dalë nga shtëpia.
Policia apelon për qytetarët se edhe në ditët në vazhdim nuk do të lejohet asnjë këmbësor të dalë për shëtitje, aktivitet sportiv apo për motive të tjera, përveç emergjencave mjekësore dhe atyre që shkojnë në punë, të cilët duhet të kenë me vete kartën e identitetit dhe vërtetimin e punës nga punëdhënësi. Për të bërë pazar në qendrat urbane, një pjesëtar i familjes duhet të aplikojë në e-Albania apo në numrin falas 55155, për t’u pajisur me autorizim, ndërsa pensionistët nuk lejohen në mënyrë kategorike të dalin nga banesa. Shërbimet e Policisë, nëse do konstatojnë këmbësorë me mungesë të email-it apo mesazhit konfirmues nga e-Albania, do të aplikojnë gjobat ndaj tyre. Policia e Shtetit apelon për të gjithë qytetarët që të respektojnë masat kufizuese, për të bërë të mundur parandalimin e përhapjes së COVID-19.