COVID-19 ka vrarë po aq amerikanë sa edhe gripi spanjoll

COVID-19 ka vrarë po aq amerikanë sa edhe gripi spanjoll

Numri i personave që kanë vdekur nga Covid-19 në Shtetet e Bashkuara tashmë është i barabartë me numrin e amerikanëve që humbën jetën nga pandemia e gripit spanjoll të viteve 1918-1919, pra rreth 675,000. Ashtu si fatkeqësia mbarëbotërore e një shekulli më parë, edhe koronavirusi nuk mund të zhduket kurrë plotësisht.

Shkencëtarët shpresojnë që koronavirusi do të shndërrohet në një grip të butë sezonal me forcimin e imunitetit të njeriut përmes vaksinimit dhe infeksioneve të përsëritura. Por kjo do të marrë kohë.

"Shpresojmë se kjo do të bëhet si një rast ftohjeje, por nuk ka asnjë garanci për këtë", thotë biologu i Universitetit Emory, Rustom Antia, i cili sugjeron një skenar optimist, sipas të cilit, kjo mund të ndodhë pas disa vitesh.

Tashmë pandemia vazhdon të ketë një ndikim të madh mbi Shtetet e Bashkuara dhe pjesën tjetër të botës.

Shtimi i infeksioneve të reja, i shkaktuar nga varianti delta mund të ketë arritur kulmin, por numri i vdekjeve vazhdon të jetë mesatarisht mbi 1,900 në ditë, niveli më i lartë që nga fillimi i marsit. Sipas të dhënave të mbledhura nga Universitetit Johns Hopkins, deri të hënën në mëngjes numri i përgjithshëm i të vdekurve nga Covid-19 në Shtetet e Bashkuara ka arritur në afër 674,000, por mendohet se numri real është më i lartë.

Sipas një modeli të njohur parashikimi, dimri mund të sjellë një rritje të re të rasteve, megjithëse do të jetë më pak vdekjeprurëse se vitin e kaluar. Modeli i Universitetit të Uashingtonit parashikon vdekjen e rreth 100,000 amerikanëve të tjerë nga COVID-19 deri më 1 janar, duke e çuar në 776 mijë numrin e përgjithshëm të të vdekurve nga Covid-19 në Shtetet e Bashkuara.

Pandemia e gripit spanjoll e viteve 1918-19 shkaktoi vdekjen e rreth 675,000 amerikanëve, kur Shtetet e Bashkuara kishin një popullsi tre herë më të vogël se sot. Rreth 50 milionë njerëz në nivel global vdiqën nga gripi spanjoll. Ndërsa, Covid-19 ka shkaktuar vdekjen e 4.6 milionë njerëzve në nivel global.

Shifrat e të vdekurve nga gripi spanjoll janë llogaritje të përafërta, duke patur parasysh regjistrimet jo të plota të epokës dhe njohuritë e pakëta shkencore mbi shkaqet e sëmundjes. Shifra 675,000 është raportuar nga Qendrat Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve.

Para COVID-19, gripi i vitit 1918-19 konsiderohej si pandemia më e rëndë në historinë e njerëzimit. Nuk është e qartë nëse pandemia aktuale në fund të do jetë më vdekjeprurëse.

Në shumë mënyra, gripi i viteve1918-1919, i cili u quajt gabimisht grip spanjoll, sepse në fillim u raportua gjerësisht për atë në mediat në Spanjë, ishte më i rëndë.

I përhapur nga lëvizjet e shumta të njerëzve gjatë Luftës së Parë Botërore, gripi shkaktoi vdekjen e një numri të madh të të rinjve pa probleme të tjera shëndetësore. Vaksinat nuk ekzistonin për ta ngadalësuar përhapjen e tij, dhe nuk kishte antibiotikë për të trajtuar infeksionet bakteriale dytësore. Dhe, natyrisht, popullsia e botës ishte shumë më e vogël se sa sot.

Megjithatë, udhëtimet me avion, migrimet masive dhe ritmi ende ulët i vaksinimit kërcënojnë të rrisin pasojat e pandemisë aktuale./VOA

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Rriten investimet e huaja në vend, rekord në pasuri të patundshme! Kryesojnë Turqia, Italia dhe Holanda

Rriten investimet e huaja në vend, rekord në pasuri të patundshme! Kryesojnë Turqia, Italia dhe Holanda