Covid, në Itali 323 viktima në 24 orë! Më shumë se 3 milionë raste infeksioni në botë...Shkencëtarët kinezë: Koronavirusi do rikthehet në formën e gripit

Covid, në Itali 323 viktima në 24 orë! Më shumë se 3 milionë raste infeksioni në botë...Shkencëtarët kinezë: Koronavirusi do rikthehet në formën e gripit

Në të gjithë botën janë regjistruar mbi 3 milion raste të koronavirusit.

Vendi më i prekur nga pandemia është Shtetet e Bashkuara me 1.008.066 raste, e ndjekura nga Spanja dhe Italia, përkatësisht me 232,128 dhe 201,505 raste infeksioni.

2,200 vdekje në SHBA në 24 orë

Në SHBA në 24 orët e fundit janë regjistruar 2,200 vdekje nga infeksioni i koronavirusit për një total viktimash prej 58 335

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:08
Covid-19, në Itali 323 viktima nga koronavirusi, 71215  totali i të shëruarve  

Sipas autoriteteve të Mbrojtjes Civile Italiane gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar  323 viktima nga koronavirusi, për një total prej 27682  vdekje që nga fillimi i epidemisë. 

Numri i përgjithshëm i të të shëruarve është rritur në më shumë se 71215 teksa vetëm sot u regjistruan të shëruar 2311

Autoritetet raportuan gjithashtu se sot pati 2086 raste të reja pozitiv me Covid

se numri total i të infektuarve është më 203 591 mijë  që nga fillimi i epidemisë

Në Lombardi sot u regjistruan 104 viktima dhe numri i përgjithshëm i rasteve pozitive në këtë rajon që nga fillimi i pandemisë është më shumë se 75 mijë, teska sot pati 786 raste të reja me Covid, kurse totali i vdekjeve është 13 679.

Instituti i Lartë i Shëndetësisë dhe Komiteti Teknik-Shkencor në Itali kanë hipotezuar një skenar për fazën 2 të emergjencës nga koronavirusi. Sipas tyre nëse Italia do të rihapej plotësisht duke hequr të gjitha masat e izolimit dhe bllokimit dhe rinisjen e të gjitha aktiviteteve, deri në muajin qershor do të kishte 151 mijë persona të shtruar në kujdes intensiv. Vetëm rihapja e sistemit shkollor do të shkaktonte 7.600 të infektuar në kujdes intensiv. Indeksi i infeksionit R0 në vend do të rritej mbi pragun 1, dmth 1 i infektuar do të infektonte më shumë se 1 tjetër person.

Kanë mbetur 5 ditë deri në 4 maj, kur fillon një lehtësim gradual i masave të kontrollit, izolimit dhe bllokimit. Plani i qeverisë është gjithashtu që duke filluar nga data 1 qershor të rihapen baret, restorantet, parukeritë, sallonet e bukurisë, berberët dhe qendrat e masazheve gjithmonë me masa të adoptuara kurse shkollat do të qëndrojnë të mbyllura deri në shtator.

Ora 16:58
Covid, Belgjika regjistron 170 vdekje në 24 orë...Në Francë 367 viktima

Belgjika ka regjistruar brenda 24 orëve të fundit 170 viktima nga koronavirusi dhe 525 të testuar pozitivë nga Covid.

Numri i përgjithshëm i rasteve të koronavirusit është rritur në 47.859, ndërsa vdekjet në lidhje me epideminë kanë arritur në 7,501.

Numri i përgjithshëm i pacientëve të shtruar në spitale është 4,050, nga të cilët 797 në kujdes intensiv.

Franca ka patur 367 vdekje në 24 orët e fundit, me një ulje në krahasim me 437 viktima krahasuar me një ditë më parë.

Në total numri i përgjithshëm i vdekjeve në Francë është 23694 për një total të prekurish nga Covid prej 169 mijë.

Ora 16:43
Covid, Britania e Madhe regjistron 601 viktima në 24 orët e fundit

Anglia, Skocia dhe Uellsi regjistruan këtë të mërkurë edhe 601 viktima të tjera si pasojë e koronavirusit.

Gjithsej në Britani kanë humbur jetën 22,279 persona. Anglia shënoi 445 viktima, Skocia 83 dhe Uellsi 73.

Më vonë gjatë ditës pritet dhe raportimi i Departamentit të Shëndetësisë që për herë të parë do të përfshijë në raportet e saj edhe viktimat në qendra të vogla shëndetësore dhe në shtëpi.

Deri më tani numri i të prekurve në Britani është mbi 161 mijë persona kurse në terapi intensive janë mbi 1500 pacientë.

Ora 15:58
Në Itali dhe Britaninë e Madhe po studiohet një lidhje e mundshme mes Covid dhe sëmundjes Kawasaki tek fëmijët

Studiuesit britanikë dhe italianë po shqyrtojnë nëse ekziston një lidhje midis një sëmundjeje inflamatore, e cila prek rëndë fëmijët, dhe COVID-19. Mjekët në Italinë e veriut kanë raportuar raste të shumta të fëmijëve me simptoma të ngjashme me sëmundjen Kawasaki, e cila shkakton inflamacion të enëve të gjakut tek fëmijët. Këto simptoma janë vënë re edhe në Mbretërinë e Bashkuar si dhe në Spanjë.

 “Jemi informuar ditët e fundit për një sëmundje të rëndë tek fëmijët, që mund të jetë një sëmundje e ngjashme me Kawasakin. Pra, sëmundja Kaëasaki është një gjendje inflamatore shumë e rrallë që shfaqet tek fëmijët. Shkaku shpesh nuk i dihet shpesh. Mund të lidhet me një numër gjërash“, tha Stephen Boëis, drejtor i mjekësisë në Angli.

Në Itali, kreu i pediatrisë në Institutin “Giannina Gaslini” u ka dërguar një shënim 10 mijë kolegëve të tij, duke i informuar për shqetësimin e shtimit të këtyre simptomave.

Shkaku i sëmundjes Kawasaki është i panjohur. Në raste të rënda shkakton inflamacion të arterieve të zemrës. Ajo gjithashtu shoqërohet me ethe, skuqje të lëkurës dhe fryrje të gjendrave.

Ora 15:38
Covid, Gjermania ndalon udhëtimet jashtë vendit deri më 14 qershor, bonus deri në një mijë euro për infermierët

Gjermanët, të cilët kanë qenë gjithmonë kampionë të turizmit në botë, do të duhet të mbajnë valixhen e tyre në papafingo për një kohë më të gjatë. Të paktën deri në 14 qershor. Kjo është rezultantja e propozimit propozimit të kreut të Ministrisë së Punëve të Jashtme Heiko Maas, që u miratua sot në mëngjes,

 Me fjalë të tjera, kufiri gjerman nuk mund të kalohet pa ndonjë arsye urgjente dhe udhëtimi turistik jashtë vendit nuk do të lejohet. Ata që kanë rezervuar një festë deri në atë datë, mund ta kthejnë atë.

 Kreu i Punëve të Jashtme Maas kishte paralajmëruar disa herë në të kaluarën se "një sezon normal pushimesh me bare dhe plazhe të mbushur plot nuk do të ketë.

Në Gjermani shumë hotele vazhdojnë të jenë të mbyllura. Për fatin e sezonit turistik veror, Maas planifikon të konsultohet dhe koordinohet edhe me partnerët evropianë.

 Qeveria gjermane gjithashtu mori disa vendime të rëndësishme këtë mëngjes në lidhje me epideminë e koronavirusit. Me propozimin e Ministrit të Shëndetësisë, Jens Spahn, është aprovuar një bonus për infermierët dhe personelin shëndetësor deri në 1.000 €.

 Qeveria ka vendosur gjithashtu që të rritet numri i testeve të kryera të tamponit teksa deri më 21 prill ato ishin më shumë se 800 mijë.

Ora 15:00
Covid/Shkencëtarët kinez: Koronavirusi nuk do zhduket por do rikthehet si një virus sezonal në formën e një gripi (VIDEO)

Sipas shkencëtarëve kinezë, koronavirusi i cili është duke “shkatërruar” botën nuk do të shfaroset por do të rikthehet si një virus sezonal në formën e një gripi.

Një grup virologësh dhe kërkuesish kinezë raportuan sot nga Pekini se virusi nuk do të zhduket ashtu sic bëri SARS sepse ndryshe nga ai, Covid-19 mund të infektojë edhe asimptomatikët.

Kjo do të thotë se virusi mund të përhapet pa përjetuar shenjat si temperatura e lartë dhe kollë, duke e bërë të vështirë gjurmimin e përhapjes së tij.

Kërkuesit thane gjithashtu se zyrtarët e shëndetësisë kineze, ditë pas dite vijojnë të konfirmojnë një duzinë individësh asimptomatikë.

Sipas drejtorit të Institutit të Patologjisë Biologjike pranë Akademisë Kineze të Shkencave Mjekësore, “Ka shumë gjasa që kjo epidemi do të bashkëjetojë me njerëzit për një kohë mjaft të gjatë, dhe të shndërrohet në sezonale dhe të mbartet brenda trupit të individit”.

Kudo nëpër botë mjekët kanë pranuar se virusi me shumë gjasa nuk do të eliminohet plotësisht dhe pavarësisht karantinimit dhe masave të tjera shtrënguese që janë ndërmarrë nga vende të ndryshme.

Sipas kërkuesve kinezë nuk shihet ende asnjë shenjë që përhapja e virusit të ngadalësohet përgjatë stinës së verës.

Por në të kundërt me konkluzionet e tyre, dje Valter Ricardi, ekspert i organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe këshilltar i ministrit italian të shëndetësisë, tha se i ngrohti dhe lagështira mund të zhdukin virusin dhe se për këtë bindje ai është mbështetur tek një studim i 24 prillit të prezantuar nga nënsekretar për sigurinë e brendshme në Shtëpinë e Bardhë.

Sipas këtij studimi, në një ambient të mbyllur me një temperatura 24 gradë dhe me një lagështirë prej 20 për qind virusi mund të rezistojë në një sipërfaqe për 18 orë, ndërsa me 35 gradë dhe me 80 për qind lagështirë, jetëgjatësia e tij nuk është më shumë se një orë. Por nëse flasim për ambient të hapur, në diell. Mjafton një temperaturë prej 24 gradësh dhe i njëjti nivel lagështire (80%) që virusi të zhduket për dy minuta.

Ora 14:57
Covid/OBSH kundër konkluzionit të studimit francez: Duhani zvogëlon kapacitetin e mushkrive dhe rrit vdekshmërinë

Duhani mendohet se vret rreth tetë milion njerëz çdo vit. Por një studim i para disa ditëve spekuloi se duhanpirësit mund të kenë më pak të ngjarë të kontraktojnë Covid-19.

Por çfarë thonë ekspertët e shëndetit në botë?

A kanë duhanpirësit më pak të ngjarë të marrin koronavirusin?

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetit (OBSH), ata që pinë duhan kanë shumë të ngjarë të jenë më të prekshëm nga infeksioni i Covid. Edhe për një çështje shumë praktike.

"Pirja e duhanit nënkupton të kesh gishtërinj (por edhe cigare të kontaminuara potencialisht) në kontakt me buzët, gjë që rrit mundësinë e transmetimit të koronavirusit nga dora në gojë", thotë OBSH.

"Duhanpirësit gjithashtu mund të kenë zhvilluar sëmundje të mushkërive dhe të kenë zvogëluar kapacitetin e tyre, gjë që rrit shumë rrezikun."

Studimet tregojnë gjithashtu se duhanpirësit ishin më të rrezikuar nga vdekja gjatë epidemisë MERS në vitin 2012.

OBSH ka njoftuar se aktualisht po rishikon kërkimet dhe studimet për pirjen e duhanit dhe nikotinës. "Provat e tanishme sugjerojnë se ashpërsia e Covid-19 është më e madhe tek duhanpirësit".

"Të vetmit njerëz që duhet të përdorin ngjitëse nikotine janë ata që duan të lënë duhanin"- thotë OBSH

Ministria Franceze e Shëndetësisë para pak ditësh deklaroi se duhanpirësit "janë më të rrezikuar nga zhvillimi i formave serioze të sëmundjes". Franca gjithashtu ka kufizuar shitjen e produkteve me bazë nicotine.

Ora 14:14
Covid-19, fëmijët mund të përqafojnë sërish gjyshërit në Zvicër

Autoritetet zvicerane kanë thënë se tani është e sigurt që fëmijët nën moshën 10-vjeçare mund të përqafojnë gjyshërit e tyre, në kohën e pandemisë me koronavirus.

Shefi për Sëmundje Infektuese në Ministrinë e Shëndetësisë, Daniel Koch, ka thënë se shkencëtarët kanë vërtetuar që fëmijët e vegjël nuk bartin virusin. Megjithatë, ai ka thënë se takimet mes tyre duhet të jenë të shkurtra.

“Fëmijët e vegjël nuk infektohen dhe nuk e bartin virusin. Ata nuk kanë receptorë për të marrë sëmundjen”, ka thënë ai.

Koch ka thënë edhe se shumë gjyshër “jetojnë për të parë nipat dhe mbesat” dhe kjo gjë është shumë e rëndësishme për shëndetin e tyre mendor.

Zvicra është një prej dhjetëra vendeve në Evropë që kanë filluar të lehtësojnë masat e tyre të izolimit.

Këtë javë janë lejuar që të hapen kopshtet dhe parukeritë, derisa shkollat dhe dyqanet tjera që shesin produkte jo të domosdoshme do të mund të rihapen në dy javë

Deri tani në Zvicër janë regjistruar rreth 29 500 raste infeksioni dhe 1700 viktima nga koronavirusi

Ora 13:37
Covid, Luksemburgu i vogël dhe i pasur do testojë gjithë popullsinë brenda një muaji

Edhe Luksemburgu i vogël dhe i pasur po përgatitet për fazën 2 të epokës së koronovirusit, me një ndryshim në krahasim me vendet e tjera të Unionit: Dukati i Madh brenda pak ditësh fillon fushatën për të testuar të gjithë popullsinë brenda një muaji.

"Më shumë testime do të thotë të japësh pak më shumë liri për të gjithë," shpjegoi Ministri i Kërkimit Claude Meisch. Pjesa e parë e popullsisë që do të ekzaminohet do të jenë nxënësit e shkollave, domethënë 8.500 studentë dhe mësues për t'u përgatitur për kthimin e tyre në klasa, e planifikuar për 4 maj.

Kostoja e operacionit është 40 milion euro, me qëllim që të kryhen 20 mijë testime në ditë dhe me qëllim që të ekzaminohet e gjithë popullata brenda një muaji.

Testet masive do të kryhen në 17 laboratorë të shpërndarë në të gjithë Luksemburgun. Edhe pse testet janë vullnetare, të gjithë qytetarët do të marrin një letër nga autoritetet me ditën dhe vendin e provës së tamponit. Sa më shumë njerëz të testohen, aq më i suksesshëm do jetë projekti për të shoqëruar zbutjen e bllokimit dhe izolimit.

Luksemburgu deri më tani ka regjistruar rreth 3,900 raste dhe 88 vdekje.

Ora 12:42
COVID-19/ Rusia raporton për herë të parë mbi 100 viktima në një ditë

Rusia ka regjistruar për herë të parë mbi 100 viktima brenda 24 orëve nga Covid-19.

Autoritetet raportuan se 105 persona ndërruar jetë në spitale, duke e çuar totalin e viktimave të pandemisë 972. Kjo është dita e dytë radhazi që Rusia raporton shifra rekord sa i përket vdekjeve. Ditën e djeshme vendi njoftoi për 73 jetë të humbura.

Sa i përket rasteve të reja, është raportuar një ulje e lehtë por mbetet sërish trendi më i lartë në botë pas SHBA. 5,841 persona janë identifikuar të prekur me koronavirus.

Aktualisht Rusia ka 99,399 raste të konfirmuara me COVID-19 prej të cilëve 10,286 raportohen se janë shëruar.

Megjithatë vendi po përballet me një valë të lartë infektimesh pasi në 5 ditët e fundit mesatarja e rasteve të reja është rreth 6 mijë persona. 

Ora 11:06
Covid/Itali, studimi epidemiologjik: Koronavirusi ka qarkulluar në Lombardi që në 26 Janar

Covid-19 ka qarkulluar në rajonin italian të Lombardisë që në 26 Janar, gati një muaj para zbulimit të ‘Pacientit 1’ në Codogno në zonën e Lodi.

Sipas gazetës italiane ‘Corriere della Sera’ më 26 janar të paktën 160 njerëz kishin kontraktuar me koronavirusin në Milano dhe rrethina kurse në në të gjithë Lombardinë ishin infektuar nga koronavirusi rreth 1200 persona.

Është kjo një analizë e dalë nga një grup pune që po studion përhapjen e pandemisë dhe në tërësi emergjencën shëndetësore

Analiza është bazuar në një grafik që analizon "shpërndarjen e kurbës së fillimit të simptomave për rastet pozitive të Covid".

Sipas studimit, teksa u regjistruan rastet e para më 21 shkurt, rastet pozitive kishin kohw që ishin regjistruar dhe shkurti do të ishte maja e ajsbergut të epidemisë.

Ora 10:51
Covid/Suedi, epidemiologu që udhëheq strategjinë kundër koronavirusit: Mbyllja e kufijve është kundërproduktive dhe qesharake! (VIDEO)

Ndërsa shumica e Evropës vendosi kufizime të mëdha në jetën publike për të frenuar përhapjen e koronavirusit, një vend u dallua për të kundërtën.

Suedia nuk hyri në bllokim dhe nuk imponoi politika të rrepta për distancim social. Përkundrazi, ajo mobilizoi popullsinë, duke u bazuar tek besimi që ka tek qytetarët e saj. Këshilloi të moshuarit të shmangin kontaktin shoqëror dhe rekomandoi që njerëzit të punojnë nga shtëpia, të lajnë duart rregullisht dhe të shmangin udhëtimet e panevojshme. Gjithashtu shkollat ​​për fëmijët nën-16 vjeç mbeten të hapura, ashtu si dhe shumë biznese, përfshirë restorante dhe bare.

Arkitekti i strategjisë, Anders Tegnell, një epidemiolog në Agjencinë e Shëndetit Publik të Suedisë, tha se kjo që po ndodh është e mbivlerësuar. “Kjo- tha ai- nuk është një sëmundje që mund të ndalet ose zhduket, të paktën deri sa të prodhohet një vaksinë. Ligjet suedeze për sëmundjet ngjitëse, kryesisht bazohen në masa vullnetare dhe në përgjegjësinë individuale. Karantina mund të vendoset për njerëz ose zona të vogla dhe jo për zona të tëra gjeografike.

Epidemiologu Tegnell tha gjithashtu se “Mbyllja e kufijve është qesharake, sepse COVID-19 është në çdo vend europian tani. Si shoqëri, ne jemi më shumë tek tërheqja e vëmendjes: duke i kujtuar vazhdimisht njerëzve të përdorin masa dhe duke i përmirësuar ato dita-ditës. Nuk është e nevojshme të mbyllim gjithçka sepse do të ishte kundërproduktive”.

Ora 10:20
Covid-19, Kina raporton 22 raste të reja me koronavirus, Koreja e Jugut vetëm dy viktima dhe 9 pozitiv

Kina ka raportuar vetëm 22 raste të reja me koronavirus dhe asnjë vdekjenë 24 orët e fundit.

Sipas Komisionit Kombëtar të Shëndetit 21 nga rastet janë të importuar kurse vetëm njëri është lokal nga Guangdong, në kufi me provincën e Hong Kong dhe Macau

Lidhur me rastet e reja, janë 26 të tjera simptomatike të raportuara. Janë 993 pacientë asimptomatikë që mbesin nën kontroll gjithandej vendit.

Në Kinë numri total i rasteve të konfirmuar është 82 mijë e 858, me 77 mijë e 587 të shëruar dhe 4 mijë e 633 vitkima që nga fillimi i epidemisë nga koronavirusi

Koreja e Jugut raportoi nëntë raste të reja të koronavirusit, nër të cilat pesë janë importuar.

Autoritetet nga Koreja e Jugut gjithashtu raportuan se në 24 orët e fundit u regjistruan dy viktima nga Covid duke rritur totalin në 246.

Numri i të shëruarve në këtë vend ka arritur në 8,922, kurse numri i përgjithshëm i rasteve të koronavirusit të regjistruar në Korenë e Jugut është 10.761

Ora 10:16
Covid-19, Spanja prezanton planin e lehtësimit të masave të izolimit

Spanja ka prezantuar planin me katër faza për lehtësim të masave të izolimit dhe kthimit në “normalitetin e ri” deri në fund të muajit qershor, pas situatës së krijuar nga pandemia e koronavirusit.

Kryeministri Pedro Sanchez ka thënë se secili rajon do të lirojë masat në kohë të ndryshme, varësisht prej shkallës së infektimit.

Katër ishuj spanjollë do të jenë të parët që do të lehtësojnë masat nga 4 maji, duke vazhduar më vonë me pjesën tjetër të territorit spanjoll një javë më vonë.

Nga shpërthimi i koronavirusit në Spanjë deri tani kanë vdekur gati 24,000 persona.

Shteti iberik ka marrë disa prej masave më të ashpra të izolimit në gjithë botën që nga 14 marsi, duke përfshirë edhe ndalimin e lëvizjes për fëmijët për gjashtë javë rresht. Mirëpo tani ka shenja se shkalla e infektimit është duke u ulur.

Numri i të vdekurve nga koronavirusi në 24 orët e fundit  ka shkuar në 301 sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë për dallim nga një rekord prej 950 viktimave sa ishin regjistruar në fillim të muajit prill.

Numri i të infektuarve po ashtu ka rënë në 1,308, duke shënuar kështu shifrën më të vogël qëkurse prej Spanja ka shpallur gjendje alarmi më 14 mars.

Të dielën, fëmijët spanjollë nën moshën 14-vjeçare janë lejuar të dalin nga shtëpitë e tyre për një orë në ditë por të shoqëruar nga prindërit.

Ora 09:56
Covid-19, Gjermania regjistron 202 viktima në 24 orë, totali i rasteve pozitive mbi 157 mijë

Gjermania ka regjistruar 202 vdekje në harkun e 24 orëve.

Numri i përgjithshëm i viktimave është rritur në mbi 6.000 kurse numri i përgjithshëm i të infektuarve është mbi 157,000.

Teksa Gjermani ka lehtësuar masat e bllokimit dhe izolimit prej koronavirusit, shkalla e infeksionit është rritur në 1, pra çdo person i infektuar infekton një tjetër, kjo sipas të dhënave të lëshuara nga Instituti Robert Koch (RKI).

Që nga mesi i prillit, shkalla e infeksionit ka rënë në 0.7 para se të rritej përsëri këto ditë në 1.  Ndërkohë, shkalla e vdekshmërisë nga sëmundja e Covid është rritur gjithashtu dita ditës. Sipas të dhënave të RKI, dje arriti në 3.8 përqind.

Ora 09:29
Covid-19, regjistrohen dy viktima në harkun e 24 orëve në Greqi! Autoritetet: Më 4 maj nis faza 2 e pandemisë

Sakrificat që janë bërë ‘rroba më e mirë’ e veshur nga grekët në dhjetë vitet e fundit për shkaqe financiare, i kanë mësuar ata me flijime teksa që prej fillimit të emergjencës kanë qenë të detyruar të heqin dorë nga një pjesë e lirive të tyre për të mbrojtur jetën. Nuk kishte asnjë alternativë tjetër për Athinën zyrtare pasi në të kundërt, sistemi shëndetësor nuk do ta duronte ndikimin e fortë të pandemisë.

"Dalja nga karantina do të bëhet hap pas hapi. Askush nuk mund të përjashtojë një përkeqësim të mundshëm të krizës - kështu u shpreh kryeministri Kyriakos Mitsotakis teksa shtoi se në fazën 2 qëllimi ynë do të jetë gjetja e çdo vatre të re koronavirusi sado e vogël qoftë, në mënyrë që çdo kufizim i ri të jetë i shpejtë, lokal dhe të mos prekë të gjithë vendin.

Që nga e hëna tjetër, 4 maj, në Greqi kufizimet në lëvizjen e qytetarëve do të hiqen ashtu si dhe autorizimet për daljet nga shtëpia.

Greqia raportoi në 24 orët e fundit për dy viktima dhe 15 raste të reja me COVID-19 për një total prej 2566 të prekur kurse numri i vdekjeve është vetëm 138, shifra ekstremisht të ulta për nga numri i popullsisë dhe krahasuar me vende te tjera.
Mosha mesatare e viktimave është 74 vjeç dhe mbi 90 përqind e tyre vuanin edhe nga sëmundje të tjera.

Ora 09:28
Covid, Apple dhe Google, njoftim në telefon për ekspozimin ndaj koronavirusit

Telefoni inteligjent në xhepin tuaj mund t'ju njoftojë së shpejti nëse keni qenë të ekspozuar ndaj COVID-19.

Ndërsa komunitetet në mbarë botën po shqyrtojnë hapat e parë drejt rihapjes, ekziston frika se kur njerëzit të fillojnë të lëvizin, virusi do të përhapet. Por COVID-19 paraqet sfida unike për të ndalur përhapjen e tij. Disa që janë të infektuar nuk kanë pasur kurrë simptoma; ata që sëmuren mund të përhapin sëmundjen për një ose dy ditë para se të kenë kollë ose të dridhura të trupit, disa nga simptomat e zakonshme të COVID-19.

Kompanitë Apple, Google dhe të tjerë janë duke punuar për një plan për të përdorur telefonat inteligjentë për të informuar ata që janë shkëmbyer me një person të infektuar. Ata e quajnë "njoftim për ekspozimin".

Një mjet dixhital për autoritetet e shëndetësisë

Muajin tjetër, Apple, prodhuesi i celularëve iPhone, si dhe Google, sistemi operativ Android i të cilit gjendet në shumicën e telefonave inteligjentë të botës, do të bëjnë të disponueshëm programe që do t'i lejojnë pajisjet të shkëmbejnë informacione përmes valëve Bluetooth. Autoritetet e shëndetit publik dhe partnerët e tyre do të ndërtojnë aplikacione që ata do t'i përdorin për të njoftuar njerëzit nëse janë ekspozuar ndaj dikujt që ka rezultuar pozitiv për virusin.

Por a do të funksionojë kjo? Ekzistojnë shumë pengesa përpara. Do të duhet ta shkarkojnë aplikacionin një numër i madh njerëzish që ai të arrijë të funksionojë siç duhet, ndërkohë që shumë njerëz mund të dëshirojnë të sigurohen që privatësia e tyre nuk do të komprometohet, se të dhënat e tyre nuk do të vidhen. Dhe ka edhe shumë sfida teknike, si për shembull, nëse aplikacioni zvogëlon aftësinë e funksionimit të telefonit.

"Kjo është e komplikuar sepse është teknologji spekulative e paprovuar", tha Harper Reed, një sipërmarrës dhe ish-zyrtari kryesor i teknologjisë për fushatën e ish-Presidentit Obama. "Nëse nuk funksionon, mund t'i vëmë njerëzit në rrezik. Por nëse funksionon, një njoftim i hershëm i ekspozimit mund të ndihmojë në mënyrë dramatike komunitetet tona ta kufizojnë dhe ti mbijetojnë COVID-19".

Ku mbahen të dhënat?

Në mbarë botën, ka një debat mbi teknologjinë dhe politikën. A duhet që autoritetet qeveritare të shëndetësisë të mbledhin të dhëna apo të dhënat duhet të mbeten në telefonat inteligjentë? Apple, Google dhe disa grupe në Shtetet e Bashkuara këmbëngulin se të dhënat duhet të qëndrojnë në telefon - për të mbrojtur privatësinë e njerëzve, por edhe për t'i bërë më pak objektiv sulmi për hakerat të dhënat e tyre.

Disa qeveri janë duke punuar në aplikacione që përdorin të dhënat e sistemit global të pozicionimit (GPS). Teknologjia e kompanive Apple dhe Google nuk shfrytëzon sistemin GPS.

Nëse aplikacioni është privat dhe i sigurt, njerëzit ka më shumë të ngjarë ta përdorin atë, tha Henry de Valence me TCN Coalition, një koalicion i zhvilluesve të aplikacioneve dhe të tjerë që punojnë me teknologjinë dhe politikat që janë në themel të njoftimit të ekspozimit.

"Njerëzit duan të jenë në gjendje të ndihmojnë dhe të frenojnë përhapjen e sëmundjes," tha ai. "Dhe kështu, nëse u jepni atyre një mundësi që nuk përbën asnjë rrezik për ta, por i lejon ata të ndihmojnë veten dhe të tjerët, njerëzit thjesht do të bëjnë një gjë të tillë, pa u dashur t'iu kërkohet."

Ka ende shumë të panjohura rreth asaj se si do të funksionojë një aplikacion i njoftimit të ekspozimit dhe nëse do të shohë adoptim të gjerë. Por ka shpresë se teknologjia mund të luajë një rol në ngadalësimin e përhapjes së virusit.

Ora 09:09
Covid-19, Europa nis lehtësimin e masave kufizuese dhe bllokuese por strategjitë janë të ndryshme

Europa nis lehtësimin e masave kufizuese dhe bllokuese por strategjitë janë të ndryshme

Austria

Qeveria austriake ka njoftuar se masat e bllokimit të lidhura me udhëtimet do të hiqen nga 1 maj kurse baret dhe restorantet do të fillojnë aktivitetin duke filluar nga data 15 maj me rregulla të sakta për distancimin e klientëve.

Belgjika

Autoritetet në Belgjikë kanë njoftuar për hapjen e dyqaneve në 11 maj kurse shkollat ​​një javë më pas por me kufizime në numrin e nxënësve në klasa.

Bullgaria

Qeveria e Sofjes tashmë ka vendosur të rihapë për publikun parqet dhe kopshtet në përputhje me masat e mbrojtjes personale. Ndalohen grumbullimet e në shumë se dy personave dhe konsumimi i pijeve alkoolike. Për më tepër, mbetet detyrimi për të mbajtur maska në parqe dhe kopshte publike, të respektojnë distancën sociale prej dy metrash dhe të ndjekin itineraret e detyrueshme.

Republika Çeke

Në Çeki rihapja masat e rihapjes do të fillojnë nga dita e sotme. Duke nisur nga dita e djeshme janë rihapur universitetet. Do të vazhdojnë të jenë të ndaluara grumbullimet e më shumë se dhjetë personave dhe udhëtimet për nevoja jo esenciale. Gjithashtu mbetet detyrimi për të mbajtur masak në vendet publike.

Kroacia

Më 27 Prill filloi faza e parë e relaksimit të kufizimeve, me rihapjen e pothuajse të gjitha aktiviteteve tregtare dhe dyqaneve artizanale, përveç qendrave të mëdha tregtare dhe parukierëve, por me detyrimin për të respektuar masa të rrepta higjienike dhe distancë sociale. Nga e diela më 3 maj do të rihapen vendet e adhurimit dhe brenda një jave gjithashtu do të lejohen të punojnë libraritë, bibliotekat dhe muzetë.

Ora 08:41
Covid-19, Franca e kujdesshme në lehtësimin e masave në fazën 2 të pandemisë

Rihapje e pashmangshme por e ngadaltë në Evropë. Franca, e cila tashmë kishte paralajmëruar datën 11 maj si datën e zbutjes së masave të izolimit dhe bllokimit për shkak të pandemisë tani duket se ka shtuar edhe me shumë kujdesin dhe ka paralajmëruar që  nëse treguesit nuk plotësojnë pritshmëritë, nuk do të bëhet asnjë hapje dhe kjo do të thotë që infeksionet duhet të qëndrojnë midis 1000 dhe 3000, pastaj bazuar në këto shifra departamentet do të ndahen në zona të gjelbërta dhe të kuqe dhe kjo deri në 2 qershor.

Sipas informacioneve të zbuluar nga ‘Bfm-TV’, shkollat ​​franceze do të qëndrojnë të mbyllura të paktën deri në qershor. Presidenti Emmanuel Macron fillimisht kishte deklaruar se ata gradualisht do të rihapeshin nga 11 maji, data e fillimit të fazës 2, me përfundimin e masave të rrepta të kufizimit të dekretuar prej gati dy muajsh, më 17 mars.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

NBA/ Oklahoma lider në Perëndim, fiton Celtics! Zhgënjejnë Golden State dhe Denver

NBA/ Oklahoma lider në Perëndim, fiton Celtics! Zhgënjejnë Golden State dhe Denver