Një paciente shtatzënë, e prekur me koronavirus, ka vdekur sot në Klinikën Infektive në Prishtinë.

Në njoftimin e kësaj klinike thuhet se pacientja V.P., 40 vjeçe, me vendbanim në Gjakovë, ka qenë në mjekim intensiv që nga data 15 prill.

Infektologu, Valbon Krasniqi ka dhënë detaje për gjendjen me të infektuarit me koronavirus në Klinikën Infektive në Kosovë. Sipas tij, "Ajo ka ardhur në Klinikë me datën 15. Prej momentit që ka ardhur ka qenë në gjendje kritike. Për pesë ditë ajo ka qenë nën kujdesin e plotë të infektologëve. Krahas kësaj kanë qenë në konsultime të vazhdueshme edhe specialistët e gjinekologjisë”.

“Është rasti i parë fatal i një gruaje shtatzënë në Kosovë. Është rast i ndjeshëm dhe nuk mund të jipen detaje të tjera"

Me këtë vdekje, numri i viktimave nga koronavirusi në Kosovë arrin në 16.

Deri më tash, Kosova ka regjistruar 598 raste të të infektuarve – prej tyre 123 janë shëruar.

Në njoftimin e Klinikës Infektive thuhet po ashtu se në këtë repart, aktualisht janë të shtruar 55 pacientë me koronavirus.

Prej tyre, një është në gjendje kritike, 12 janë në trajtim me oksigjenoterapi dhe përkujdesje intensive, ndërsa 42 janë në gjendje stabile.