Përfaqësues të disa institucioneve qeveritare përfshirë Këshillin e Ministrave dhe Policinë e Shtetit ishin të pranishëm në takim. Njëkohësisht të pranishëm ishin edhe përfaqësues të shumë organizatave ndërkombëtare, si Delegacioni i Bashkimit Evropian, OSBE, PAMECA, FMN dhe UNODC.
Në fjalën e tij të hapjes, zv. Ministri i Financave, Ervin Mete, theksoi se takime të tilla shërbejnë si platformë diskutimi për të gjitha palët e interesuara. Ndërkohë që vlerësoi performancën e Doganave në gjashtë muajt e fundit, Mete tha se përpjekjet e përbashkëta të Doganave dhe Crown Agents kanë rritur ndjeshëm zbatueshmërinë dhe përputhshmërinë ligjore, e cila ka sjellë shumë rezultate pozitive. Ndërkohë që nënvizoi se përfitimet për Doganat do të shihen në planin afatgjatë, zv. Ministri përmendi shkurtimisht rritjen e të ardhurave nga Doganat, të cilat në 12 muajt e fundit kanë mundur të mbledhin $ 350 mln më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Ndërsa Elisa Spiropali, njoftoi se të ardhurat për muajin shtator 2014 u realizuan plotësisht, duke shënuar edhe një rritje prej 28,4% krahasuar me muajin shtator 2013. Ky është muaji me rritjen më të lartë për periudhën 12 mujore. Po për këtë periudhë, rritja në total llogaritet 14.2%, konkretisht 18.9 miliard lekë më shumë. Spiropali theksoi gjithashtu se Doganat duhet të ruajnë ritmin pozitiv për sa i përket mbledhjes së të ardhurave, e të mos e konsiderojnë këtë moment si sporadik, por të punojnë më tej për rritjen e qëndrueshme të tyre.
Gjatë gjashtë muajve të fundit, së bashku me Crown Agents, i është dhënë përparësi luftës kundër evazionit, informalitetit dhe korrupsionit.
Drejtorja e Përgjithshme e Doganave përmendi disa nga iniciativat më të rëndësishme që janë ndërmarrë në bashkëpunim me Crown Agents, përfshirë Fushatë e Ndërgjegjësimit dhe Kontrollit për Zbatimin e Ligjit për Akcizat dhe fushatën për Regjimin e Lejimit të Përkohshëm të Automjeteve për përdorim privat (RLP).
“Rezultatet janë premtuese, por objektiva të tjerë madhorë do të duhet të përmbushen në të ardhmen dhe ne mbetemi të përkushtuar të punojmë së bashku për arritjen e tyre”- tha Spiropali.
Përmes një prezantimi të shkurtër, Drejtori i Programit të Crown Agents, David Smith, raportoi për 3-mujorëshin e dytë të Programit, bazuar në kontratën me qeverinë shqiptare. Ai bëri gjithashtu një përmbledhje të 6 mujorit të parë të Programit, i cili përfshiu aspektet operative dhe asistencën që i është ofruar Doganave në nivel qendror. Smith informoi se Crown Agents ka punuar së bashku me grupet e Anti-Kontrabandës si një njësi e vetme, me qëllim implementimin e një metodike të vetme përmes bashkëpunimit.
Në këto gjashtë muaj e gjysmë, deri në datën 29 shtator, Crown Agents ka ndërmarrë 2373 kontrolle të hollësishme dhe 1999 kontrolle të pjesshme. Si rezultat i këtyre kontrolleve, janë identifikuar 1187 raste shkeljesh të regjimeve doganore. Duhet theksuar se jo të gjitha këto shkelje përbëjnë vepra penale. Z. Smith theksoi se procesi i reformimit të Doganave kishte filluar përpara se Crown Agents të fillonte punë dhe se vullneti për të përmirësuar situatën ishte i dukshëm. Në këtë aspekt, Crown Agents iu bashkëngjit përpjekjeve të Doganave për të përshpejtuar procesin e reformimit. Më pas, z. Smith, falënderoi Drejtoren e Përgjithshme të Doganave për punën e mrekullueshme që është bërë nga tetori i vitit 2013 e deri më sot, si edhe për progresin e arritur.
Gjatë sesionit të diskutimeve, përfaqësuesit e institucioneve qeveritare shprehen mbështetjen e tyre për Programin dhe për punën e bërë nga Doganat, ndërkohë që kërkuan nga Crown Agents të ofrojë rekomandime specifike për Doganat dhe qeverinë shqiptare. Përfaqësuesit e organizatave të huaja të pranishme në tryezën e rrumbullakët vlerësuan punën e Crown Agents në Shqipëri si tejet pozitive dhe propozuan më tepër koordinim ndërmjet partnerëve, me qëllim promovimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ndërinstitucional.
Në përfundim të takimit, Crown Agents ritheksuan gatishmërinë për të asistuar në procesin e rritjes së qëndrueshme të nivelit të të ardhurave, si edhe në parandalimin dhe zbulimin e korrupsionit; gjë e cila është evidentuar edhe përmes disa aktiviteteve dhe fushatave të profilit të lartë, të cilat janë ndërmarrë së bashku me Doganat. Koordinimi dhe operacionet e përbashkëta ndërmjet Doganave dhe Crown Agents janë rritur ndjeshëm gjatë muajve të fundit, duke mundësuar bashkëpunim më të afërt të të dyja palëve në të gjitha nivelet.
Redaksia Online
(g.f/shqiptarja.com)