Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi ka zhvilluar një takim me Sekretaren britanike të Punëve të Brendshme, Suella Braverman. Takimi është zhvilluar një ditë më parë në Home Office në kuadër të vizitës zyrtare që delegacioni shqiptar zhvilloi në Britaninë e Madhe.

Një ndër çështjet më të rëndësishme që është biseduar në këtë takim është edhe çështja e emigrantëve shqiptarë të paligjshëm. Në njoftimin për mediat, thuhet se Çuçi ka shprehur shqetësim në lidhje me gjuhën që Braverman ka përdorur ndaj shqiptarëve, duke i quajtur ata kriminelë. Çuçi ka thënë se kjo është një gjuhë e patolerueshme dhe se komuniteti shqiptar nuk mund të veçohet në mënyrë të atillë, vetëm nga disa shqiptarë të tjerë që mund të jenë të përfshirë në botën e krimit, pasi komuniteti shqiptar jep kontributin e tij në Britaninë e Madhe.

“Me homologen britanike Suella Braverman diskutuam mbi bashkëpunimin dypalësh për të adresuar çështje komplekse si emigracioni i paligjshëm dhe krimi i organizuar, fenomene transnacionale që kurrsesi nuk mund të identifikohen me etni të caktuara. Ndava me homologen time shqetësimin se është e patolerueshme që komuniteti shqiptar të veçohet dhe stereotipizohet vetëm nga disa personazhe të botës ilegale”, tha Çuçi.

Ministri Çuçi i ka bërë një propozim konkret homologes së tij britanike, për të amnistuar shqiptarët pa viza në Mbretërinë e Bashkuar, por që punojnë ndershmërisht dhe s’kanë rekorde kriminale në ngarkim. Ai gjithashtu vlerësoi asistencën dhe ekspertizën britanike në ngritjen e kapaciteteve tona dhe në mbështetje të modernizimit të Institutit të Policisë Shkencore.

“Qasja jonë është se emigracioni i paligjshëm nuk mund të adresohet si problem pa përmirësuar kushtet e emigracionit përmes rrugëve legale. Në këtë pikë i kërkova homologes Braverman të rishikojnë edhe njëherë regjimin e trajtimit të shtetasve shqiptarë që jetojnë e punojnë në Britaninë e Madhe, për t’i lehtësuar në raport me mundësi të reja punësimi apo lëvizjet sezonale. I kërkova gjithashtu të amnistojë çdo shqiptar pa vizë, por që punon në mënyrë të ndershme dhe nuk ka rekorde kriminale në ngarkim”, deklaroi ministri Çuçi.

Kritika për gjuhën e Braverman ka pasur edhe kryeministri Edi Rama, i cili e ka shfaqur pakënaqësinë e tij jo vetëm tek homologu britanik Rishi Sunak, por edhe në një intervistë për BBC radio, duke thënë se duhet t’i thuhet stop përdorimit të shqiptarëve për politikë të brendshme.

Çështja e emigrimit të shqiptarëve drejt Britanisë së Madhe pati nxitur një debat të madh, për shkak të deklaratës së ashpër të sekretares së Brendshme Britanike Suella Braverman, e cila i cilësoi shqiptarët që shkojnë drejt Britanisë me gomone, si kriminelë dhe pushtues. Kjo nxiti edhe reagimin e madh nga ana e shqiptarëve në Britani të Madhe, të cilët organizuan edhe protestë të madhe në Londër, ku i kërkuan që Braverman të kërkonte ndjesë për deklaratën.

Çuçi dhe Braverman