Të veshur kuqezi, me flamuj dhe pankarta në duar dhe thirrjet 'O sa mirë me qen shqiptar', miijëra emigrantë u mblodhën këtë të shtunë në Londër për t’i treguar qeverisë britanike se nuk janë kriminelë. Me këngë shqipe në sfond dhe duke hedhur valle, ata kërkonin dorëheqjen e sekretares së brendshme Suella Braverman për deklaratat e saj ndaj shqiptarëve. Teksa protestonin në urën ‘Westminster’, ku afishuan edhe pankartën ku shkruhej: “Shqiptarët s’janë kriminelë.” Një prej kërkesave të tyre është kërkim falje nga qeveria britanike apo Braverman, deklaratat e së cilës kanë ndikuar te fëmijët pasi i thonë se kanë prindër kriminelë ose vijnë nga familje mafiesh.

Që prej orës 10:30 u mblodhën në Westminster, ku qëndruan për më shumë se 3 orë dhe nën kontrollin e policisë marshuan në rrugët e Londrës për t'iu drejtuar më pas parlamentit britanik. Nuk munguan thirrjet për mbrojtje të lirive dhe të drejtave të tyre, si dhe deklaratat se janë punëtorë dhe taksapagues të rregullt. Pavarësisht zemërimit dhe zhgënjimit që kishin, ata arritën të ruanin qetësinë dhe të realizonin një protestë paqësore. Megjithatë, në rast se nuk ka reagim, paralajmërojnë protestë tjetër më 28 nëntor. 

Përveç atyre që jetojnë në Britani, në mbështetje mbërritën edhe shqiptarë të tjerë nga Zvicra që iu bashkuan kërkesave të tyre për deklaratat e sekretares britanike. Dy prej shqiptarëve të pranishëm në protestë folën nga Londra për Report Tv duke thënë se ka konflikte edhe në vendet e punës ndërsa shton se ndihen të sulmuar nga të gjitha anët.   

“Akuzat kanë pasur ndikim te fëmijët. Ka raportime për acarime dhe konflikte nëpër vende të punës. Kur je i sulmuar në çdo anët, një pyetje e lehtë mund të duket provokim. Kërkesat janë të shumta, shumë ka që të kërkohet dorëheqja e ministres, të kërkohet falje nga kryeministrja. Shumica e shqiptarëve punojnë në ndërtim”, tha emigranti Taulant.

“Dihet si ka shkuar situata këto 2 javët e fundit në Britani që janë kundër emigrantëve dhe po bëjnë ekzagjerim të tmerrshëm kundër shqiptarëve. Kemi një atmosferë shumë të mirë. Ende s’kemi filluar të flasim por jemi me parulla anglisht dhe shqip duke i treguar se kush jemi ne, duke nisur nga punëtori i thjeshtë te biznesmenët, profesorët. Kushdo që e ka ndjerë veten të fyer ka ardhur sot. Nuk mund të thonë e kanë pushtuar shqiptarë. Dështimi i emigracionit e ka sjellë këtë”, tha emigranti tjetër, Enkelejd Omi.

Kjo vjen në një kohë kur diskutimet për emigrantët shqiptarë në Britaninë e Madhe kanë qenë të nxehta. Braverman, e cila nuk ka kursyer gjuhën e ashpër ndaj atyre që hyjnë në mënyrë ilegale, është zotuar se do të gjejë një mënyrë që të funksiojë skema e Ruandës. Si kundërpërgjigje, shqiptarët zgjodhën të mblidheshin këtë të shtunë për t’i treguar sekretares britanike që ata janë bashkë, por nuk janë kriminelë.

Në deklaratat e saj, Suella Braverman tha se shqiptarët gënjenin për arsyen përse largoheshin nga vendi dhe shumë prej tyre i etiketoi si persona me rekorde kriminale. Ndaj kësaj deklarate është përgjigjur edhe kryeministri, Edi Rama i cili i konsideroi deklaratat e saj si “britmë në çmendinë”, duke shtuar se ishte përgjegjësi e Britanisë që të bashkëpunonte për të menaxhuar situatën me emigrantët e paligjshëm shqiptarë që mbërrijnë me gomone në Mbretërinë e Bashkuar.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:55
Gazetari i njohur britanik në mbështetje të protestës së shqiptarëve në Londër: Mesazh për sekretaren Braverman

Gazetari dhe ish-këshilltari i Toni Blair, Alastair Campbell ka postuar në twitter foto nga protesta e organizuar ditën e sotme nga shqiptarët në Britaninë e Madhe. Gazetari i njohur britanik ka dalë në mbështetje të protestës, teksa shkruan se është një mesazh për sekretaren Suella Braverman.

“ Ne jemi taksapagues dhe jo pushtues” … Shqiptarët që jetojnë në Britani duke bërë të qartë se çfarë mendojnë për sekretaren tonë të Brendshme të demokratëve në protestë në Parlament”, shkruan ai.

Postimi i tij është ndarë edhe nga kryeministri Edi Rama.

Ora 14:46
Shqiptarët në Mbretërinë e Bashkuar, peticion Britanisë: STOP fushatës së shpifjeve raciste! Jemi 140 mijë këtu, nga biznesmenë e pedagogë në punëtorë të thjeshtë

Përmes një peticioni, me një gjuhë të fortë dhe krenare, shqiptarë rezidentë në Mbretërinë e Bashkuar kanë kërkuar ndalimin e menjëhershëm të fushatës së shpifjeve raciste ndaj tyre. Ata kanë thënë se kjo është raciste dhe po krijon një perceptim të gabuar për të gjithë komunitetin.

Peticioni i plotë

Gjatë muajve të fundit komuniteti shqiptar në Mbretërinë e Bashkuar ka qenë objekt i një sulmi të pamëshirshëm dhe të paprecedentë nga segmente të cakatuara të mediave britanike të cilat me rrëfimet e tyre të shtrembëruara kanë kontribuar në krijimin e një perceptimi negativ për komunitetin tonë.

Në këtë fushatë të dëmshme kanë kontribuar edhe deklaratat dhe përfshirja e segmenteve të caktuara të politikës britanike, që rrjedhin nga raportet e agjencive të zbatimit të ligjit ku përmendet kombësia e atyre që janë të përfshirë në veprimtari të paligjshme.

Për të gjithë ata që u mungon tabloja e plotë, duam të bëjmë të ditur se komuniteti shqiptar në Mbretërinë e Bashkuar numëron rreth 140 mijë njerëz. Dy të tretat e këtyre kanë ardhur nga Italia dhe Greqia, për shkak të krizave ekonomike të viteve 2008-2014 në këto vende, dhe pjesa tjetër kanë ardhur legalisht në fillimet e viteve '90.

I jemi mirënjohës këtij vendi për atë që na ka ofruar dhe që na ka dhënë mundësinë për t'u integruar në shoqërinë e gjerë britanike. Për më shumë se dy dekada ne jemi taksapagues të rregullt të këtij vendi dhe respektues të ligjit si qytetarë. Arsyet pse kemi zgjedhur këtë vend janë të ndryshme, por më së shumti e rëndësishme është mundësia për prosperitet individual që ofron ky vend. Për këtë shkak të këtij fakti ky vend pret gjermanë, francezë, amerikanë etj. Për ne, shqiptarët, ky vend i madh është për edhe i ynë, askush prej nesh nuk ndihet i huaj apo i paragjykuar për shkak të ngjyrës së lëkurës, përkatësisë fetare ose kombësisë.

Falë këtij realiteti, vetëm në Londër janë 1200 biznese të drejtuara nga shqiptarë. 58 janë akademikët që japin leksione në aulat e universiteteve në të gjithë vendin, dhjetëra të rinj të arsimuar shqiptarë punojnë në Qendrën Financiare të Qytetit.

Por kjo anë e historisë, ajo e mira, shpesh humbet ose hidhet poshtë me dëshirë nga segmentet e përzgjedhura të medias dhe politikës britanike të cilët me një axhendë të qartë raciste në sfond portretizojnë me zë të lartë shqiptarët si ‘kriminelë’ dhe ‘trafikantë të qenieve njerëzore’.

Sulmi, i huaj për traditën britanike, ka ndikuar dhe ka krijuar një perceptim negativ për ne në mendjet e njerëzve normalë britanikë me të cilët ndërveprojmë çdo ditë. Historia ka treguar se krijimi i perceptimeve negative çon në vendosjen e stereotipe të cilat nga ana e tyre çojnë dhe kanë vetëm rezultat, RACIZMIN.

Në këtë fazë, ne nuk e dimë qëllimin dhe axhendën e qartë pas retorikës malinje që burojnë nga media dhe politikanë individualë, të përfshirë në mënyrë aktive në fushatë shpifjesh. Në këtë histori, ajo që ne dimë si fakt është se është përgjegjësi personale për të gjithë ata që shkelin ligjin dhe duhet të japin llogari për të. Origjina etnike, përkatësia politike, besimet fetare, ngjyra e lëkurës apo orientimi seksual nuk janë përcaktuese të elementeve të profilit të individit që shkel ligjin.

Për të njëjtat arsye, ne komuniteti shqiptar në Mbretërinë e Bashkuar, kërkojmë me këtë Peticion STOP kësaj fushate shpifjeje dhe RACISTE. Sekretarja e Brendshme, znj. Suella Braverman, duhet t'i kërkojë falje komunitetit shqiptar në MB dhe shqiptarëve në tërësi për përdorimin e terminologjisë së papranueshme ndaj tyre. Përveç kësaj ne i bëjmë thirrje ligjit agjencitë e zbatimit të ndërpresin praktikën e përmendjes së kombësisë së atyre që thyejnë ligjet e këtij vendi në raportet e tyre publike.

Ora 13:51
Protesta e emigrantëve në Londër, doktori shqiptar: S'jemi kriminelë por profesionistë, japim kontributin tonë

 

Një prej mjekëve e pranishëm në protestën e mbajtur në Londër është shprehur se të gjithë kontribuojnë për Britaninë dhe s’mund të cilësohen kriminelë.

“Është protest që përfaqëson të gjithë komunitetin shqiptar nga fëmijët deri te të rriturit. Ne s’jemi kriminelë, por profesionistë, jemi punëtorë, inxhinierë, doktorë dhe mundohemi cdo ditë të cojmë përpara qeverinë britanike duke dhënë kontributin tonë edhe duke mbështetur komunitetin shqiptar. E duam vendin tonë e komunitetin tonë edhe pse jetojmë në Angli”, tha doktori.

Ora 13:38
VIDEOLAJM/ ‘Me kohë të plotë marangoz, ‘kriminel’ në kohën e lirë’, ironia e shqiptarëve në protestën në Londër

 

“Me kohë të plotë marangoz, ‘kriminel’ në kohë të lirë”. Me këtë parullë ka zgjedhur një shqiptar në Londër të ironizojë deklaratat skandalozë të Sekretares britanike për Punët e Brendshme, Suela Braverman.

Me mijëra janë shqiptarët që janë mbledhur në qendër të kryeqytetit britanik për të reaguar ndaj deklaratave diskriminuese ndaj tyre.

Ora 13:34
VIDEO/ ‘Shqiptarët po pushtojnë parlamentin britanik’, mijëra emigrantë kërkojnë dorëheqjen e Suella Braverman

 

Prej disa orësh, mijëra emigrant shqiptarë ndodhen në Westminster ku kërkojnë dorëheqjen e Suella Braverman. Ata janë drejtuar për në parlamentin britanik dhe kërkojnë që qeveria të reagojë.

“Shqiptarët realisht pushtojnë parlamentin britanik. Është e paimagjinueshme kjo shumicë populli”, thotë emigranti i pranishëm në protestë.

Ora 12:59
Protestuesi për Report Tv: M'u kundërvu një britanik sapo pa pankartën time! Më është mbushur zemra mal nga gjithë këta njerëz, Braverman bëri gabim të madh

 

Një prej protestuesve në Londër foli për Report Tv duke treguar se si iu kundërvu një britanik pasi vuri re pankartat që kërkonin dorëheqjen e sekretares britanike Suella Braverman. Po ashtu shprehet se i është mbushur zemra mal nga të gjithë të pranishmit që kërkojnë të drejtat.

“Heshtëm për shumë kohë, kërkojmë të drejtat tona. Jemi në punën tonë, s’jemi kriminela, paguajmë taksa. Çdo njeri këtu ka të drejtën e vet të flasë dhe i lutem të gjithë shqiptarëve të bashkohemi e të ngrejmë zërin. Suela të japë dorëheqjen. Ajo bëri gabimin më të madh që u shpreh në atë mënyrë. Është shumë e padrejtë dhe shpresoj që me këtë zë që po ngremë sot të kemi pak ndryshim dhe Suela të japë dorëheqjen.

Një anglez mu kundërvu sapo pa pankartën në një mënyrë shumë të irrituar dhe thjesht i buzëqesha e vazhdova punën time. Ndërsa gruaja e tij mu kthye dhe më ofendoi. Në këtë moment më është mbushur zemra mal kur shoh të gjithë këto njerëz që kërkojnë të drejtat e tyre dhe shpresoj që zëri ynë të dëgjohet në të gjithë botën dhe jo vetëm në Mbretërinë e Bashkuar. Nëse Suela nuk jep dorëheqjen deri në fund të ditës, protestat do vazhdojnë.

Ne gjithmonë bashkohemi. Nuk kanë pse të na ofendojnë dhe na kanë mbushur me zemërim dhe zhgënjim. Ne paguajmë për cdo gjë”, tha protestuesi.

Ora 12:36
Protesta në Londër, thirrjet e qindra emigrantëve në urën Westminster në Londër: O sa mirë me qen shqiptar (VIDEO)

 

Me thirrjet ‘O sa mirë me qen shqiptar’ dhe me ritmet e valles së Tropojës në sfond, shqiptarët janë mbledhur në urën Westminster për t’i treguar Britanisë se nuk janë kriminelë.

Ora 12:04
‘Kush jeni ju që quani fëmijët tanë kriminelë! Bëj gati valixhet dhe ik’, pankartat e shqiptarëve në Londër për Suella Braverman

 

Të veshur kuqezi dhe me pankarta në duar, shqiptarët kërkojnë dorëheqjen e Suella Braverman pas deklaratave të saj lidhur me emigrantët. Ata i kërkojnë që të bëjë gati valixhet e të marrë avionin për t’u larguar sepse s’mund të quajë fëmijët kriminelë.