Albin Kurti që pritet të drejtojë Kosovën si kryeministër së shpejti po bën fushatë politike si opozitar në Shqipëri. Emocionet e forta të fitores që shënoi në zgjedhjet e 14 shkurtit në Kosovë me Lëvizjen Vetëvendosje ja kanë shtuar urinë Albin Kurtit për të pasur pushtet edhe jashtë kufijve të Kosovës.

Vizitën e tij në Lezhë me mision të qartë politik në mbështetje të kandidatëve të Vetëvendosjes në Shqipëri, Kurti tentoi ta kamuflojë mes motiveve kombëtarë.  Ai ishte sot në Lezhë ku u bë pjesë e një marshimi për 557 vjetorin e Besëlidhjes së Lezhës.

Kurti përtej marshimit 'patriotik" nuk harroi të bënte politike në mbështetje të kandidatëve të Vetëvendosjes, ku u bëri thirrje qytetarëve të Lezhës të votojnë kandidatin e pavarur që garon në ketë qark.

"Një i nderuar kandidat për deputet nga Besëlidhja e Lezhës në Kuvendin e Republikës duhet të ndjekim pishtarin që përgjatë historisë nga brezi në brez në mënyrë që populli shqiptare kudo që është të faktorizohet të nxjerrë përfaqësuesit e tij më të mirë dhe të devotshëm dhe në këtë mënyrë krizën e shumëfishtë që ka pllakosur ta zëvendësojë me çlirimin, me bashkim, me zhvillim dhe përparimin e të gjithanshëm", tha Kurti sot nga Lezha.

Pas mbështetjes që i bëri kandidatit në Lezhë Iliaz Shehu, në ditët në vijim Albin Kurti do të ndalojë në Tiranë dhe në Gjirokastër, ku do të prezantoj edhe 2 kandidatët e tjetër, Bojken Abazi dhe Kreshnik Merxhani. Lëvizja Vetëvendosja edhe pse prej 2 vitesh vijon aktivitetet e saj në Tiranë dhe këta kandidatë të pavarur janë rreshtuar në krah të opozitës duke parë dhe qëndrimet që kanë pasur për çështje të ndryshme politike dhe sociale në Shqipëri.

Në fakt këto çudira ndodhin vetëm me shqiptarët, ku një kryeministër i Kosovës vjen dhe bën opozitarin në Shqipëri, përfshihet në fushatë dhe jep 'mësime' se si mund të zhvillohet vendi, ku një ngjarje historike të përdoret për kontekste politike.