TIRANE - Deputeti i PS, anëtar i Komisionit të Sigurisë dhe ish-komandant i Gardës së Republikës, Arben Çuko akuzon Imamin për korrupsion, trafiqe e deklaron se në Ministrinë e Mbrojtjes duhet ‘kirurgji’.
 
Keni pasur shumë akuza ndaj Imamit, tashmë jeni në pushtet...?
Forcat e Armatosura janë instrument kryesor përbërës i sistemit të integruar të sigurisë sonë kombëtare. Duhej të ishin në fakt por s’janë. Fatkeqësisht gjendja e ushtrisë është dëshpëruese, me kapacitetet operacionale më të limituara nga viti ’92. E përdorur në mënyrën më skandaloze. Mjafton të kujtosh “Gërdecin”, rastin e kampionatit të peshëngritjes e struktura të veçanta të ushtrisë që u përfshinë në fushatën elektorale në Elbasan e Tiranë. Ne i kemi evidentuar këta ushtarakë që kanë shkelur ligjin nga 2009.
 
Po korrupsioni dhe përgjimi i opozitës do hetohet...?
Korrupsioni i paparë në Ministrinë e Mbrojtjes këtë herë ka një veçori domethënëse. Z.Imami përdori shërbëtorë me uniformë dhe grada madhore për të grabitur pronën ushtarake. Një farë Titi i “Blurit”, sekseri i Imamit futi kthetrat nga klubi i Ministrisë e deri te skrapi që u shit me tre herë më pak se sa vlera reale. Interesohuni se po ky person do të furnizojë ushtrinë tonë me uniforma për 7 vitet e ardhshme. Skandal, poshtërsi dhe grabitje në mes të ditës dhe pa pasur frikë nga ndëshkimi i ligjit. Me sa duket prokuroria do të ketë shumë punë në ditët që do të vijnë. Sa për përgjimet e SHIU bërë ndaj opozitës e liderit të saj nuk do të flas sepse kjo është një çështje që i përket prokurorisë dhe në opinionin tim është e lidhur me masakrën e 21 janarit.
 
Që do të thotë...?
Në FA paaftësia po merr vlerat e virtytit. Nëpërmjet të ashtuquajturit sistem të menaxhimit të burimeve njerëzore, në fakt po ndodh shkatërrimi sistematik i personelit ushtarak dhe prishja e kohezionit. Janë 5 drejtori që merren me këtë punë dhe kjo është bërë me qëllim të mbrapshtë për të vënë në poste ushtarake elementët e paaftë e të përfshirë politikisht. Janë me dhjetëra rastet që paguhen dy persona për të njëjtin funksion me një dëm të madh ekonomik. E habitshme që po nxiton z.Imami të bëjë emërime të beniaminëve që graduan duke ndryshuar rregullat e lojës sipas stilit stalino-berishist. Harron ushtari i mirë Imam se 1 milionë shqiptarë ia ndaluan këtë gjë më 23 qershor.
 
Çfarë reformash duhet bërë për një ushtri dinjitoze shqiptare?
Shqipëria është vend anëtar i NATO-s, por në fakt deri më tani vetëm emrin ka në NATO. FA nuk kanë asnjë lloj kapaciteti që ti ofrojnë aleancës dhe kjo është përgjegjësia më e madhe e stafit politik me në krye Imamin dhe lidershipit të saj ushatarak. Në Ministrinë e Mbrojtjes dhe në Forcat e armatosura duhet bërë një reformë kirurgjikale:

1. Reforma ligjore. Duhen rishikuar me deomos të gjitha ligjet që rregullojnë problemet FA sepse deri më tani është punuar me ligjet e 2004, që nuk pasqyrojnë e nuk rregullojnë realitetin e sotëm të Forcave të Armatosura.

2. Duhet hartim urgjent i strategjisë së sigurisë kombëtare dhe strategjisë ushatarake.

3. Hartim i planit afatmesëm e afatgjatë të planit të zhvillimit të FA.

4. Reforma strukturore. Gjendja e strukturave të Ministrisë së Mbrojtjes është skandaloze. Ka struktura e reparte ushtarake madhësia e të cilave nuk i përgjigjet misionit dhe detyrave të tyre. S’mund të kesh një polic ushtarak për 8 ushtarakë, apo një agjent të Shërbimit Informativ të Ushtrisë për 8 ushtarakë apo të kesh mbi 100 njerëz të qendra kulturore e ushtrisë që paguhen vetëm se janë miqtë e Imamit. Reforma strukturore është thelbësore për mirëfunksionimin e FA. Strukturat e tepërta të Ministrisë, Shtabit të Përgjithshëm duhet urgjentisht të hiqen.

5. Mbrojtja e një sistemi efektiv të menaxhimit të burimeve njerëzore, materiale e financiare. Fakti që për menaxhimin e personelit janë 5 drejtori të ndryshme bën imnperative këtë lloj reforme. Pasja e një buxheti ushtarak 200 milion USD në vit e të kesh atë gjendje të mjeruar pajisjesh dhe pagese të ushtarakëve është një nga fajet më të mëdha që ka z.Imami e lidershipi ushtarak. Mjafton të mos vjedhësh.

6. Rivitalizimi i industrisë ushtarake. Deri tani Imami me bandën e vet është mjaftuar vetëm duke e vjedhur e shitur për skrap. Por aty është një aset shumë i rëndësishëm material e financiar si pasuri e ushtrisë dhe shtetit shqiptar. Me rivitalizimin e saj duke shfrytëzuar burimet e tregut ndërkombëtar për municione mundet që përveç fitimeve financiare të punësohen me qindra e mijëra shqiptarë.

7. Modernizimi i pajisjeve dhe armatimit. Deri tani aq pak sa është bërë është bërë pa profesionalizëm dhe me klientelizëm. Me burimet që jep buxheti i shtetit duhej bërë shumë herë më tepër. Mjafton të mos vjedhësh. Kryerja se më shpejt dhe në mënyrë të studiuar i këtyre reformave do të qojë në atë që NATO e quan “Zhvillim të kapaciteteve ushtarake”. Ne na duhet një ushtri e vogël, e mirëmotivuar, e mirëpajisur, e mirëstërvitur dhe jashtë politikës. Vetëm atëherë do të mund të krenohemi si anëtarë të NATO-s.

Ky shkrim u botua sot në Shqiptarja.com, versioni print, dt.07.08.2013
Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)