Duke marrë shkas nga problematikat e evidentuara javët e fundit nga mediat për dëmtimin e kulturave bujqësore, kryesisht perime, të kultivuara në serat e Qarkut Fier, bazuar në Urdhërin e Ministrit të Bujqësisë, Z.Edmond Panariti, nga  Drejtoria e Përgjithshme e AKU u ndërmor një aksion për kontrollin në nivel kombëtar të të gjitha farmacive bujqësore nëpërmjet hartimit të Plan Veprimit, i cili është realizuar gjatë muajit Prill 2016.

Nga të gjitha Drejtoritë Rajonale të AKU-së në qarqe, janë kryer inspektime në farmacitë bujqësore, por vëmendja e Drejtorisë së Përgjithshme të AKU u përqëndrua në rajonin e Myzeqesë, si një ndër rajonet më të rëndësishëm të bujqësisë në vendin tonë dhe më të prekurat.

Fokusi kryesor gjatë inspektimeve  ishte  respektimi i kërkesave ligjore për tregtimin e Produkteve të Mbrojtjes së Bimëve (PMB), farave dhe inputeve bujqësore, si dhe marrja e kampionëve për analizimin e tyre, me qëllim përcaktimin e treguesve cilësor.

Krahas inspektimeve të bëra nga vetë inspektorët e AKU Fier, u kryen inspektime të përbashkëta edhe me inspektorët e Drejtorisë së Përgjithshme të AKU, për të bërë të mundur jo vetëm dhënien e një asistence më të specializuar gjatë inspektimeve, por edhe për të ndjekur më nga afër mënyrën e tregtimit, ruajtjes dhe ambalazhimit të PMB-ve dhe inputeve bujqësore.
 
Përgjatë muajit prill, nga AKU Fier janë kryer gjithsej 110 inspektime përkatësisht:
•        Për Produkte për Mbrojtjen e Bimëve    66  inspektime;
•        Për Plehrat e Përdorimit për Bimësinë   25  inspektime;    
•        Për Materialin Mbjellës dhe Shumëzues Bimor 19  inspektime. 
 
Ndaj operatorëve të biznesit që gjatë inspektimeve u konstatuan shkelje ligjore, u morën masa administrative, përkatësisht:
      Gjobë për 11 subjekte me vlerë totale prej 835.000 lekësh;
      Pezullim aktiviteti për 5 subjekte;
      Bllokim i tregtimit të inputeve bujqësore në 4 subjekte;
 
Me qëllim garantimin e tregtimit të inputeve bujqësore të sigurta, U BËJMË THIRRJE jo vetëm fermerëve të zonës së Myzeqesë, por fermerëve të të gjithë vendit tonë që të blejnë Produkte për Mbrojtjen e Bimëve, farëra dhe inpute bujqësore VETËM NË SUBJEKTE TË CERTIFIKUARA NGA AKU, subjekte të cilat janë objekt i kontrollit të vazhdueshëm nga ky institucion!

AKU nuk mund t'ju garantojë për sigurinë e inputeve bujqësore që shiten nga subjekte të palicensuara, në rrugë apo nga shitës ambulant.
 
- Në vijim të inspektimeve të kryera nga Drejtoria e Përgjithshme AKU, fokusi është përqëndruar edhe mbi thertoret. Kështu, gjatë inspektimeve të kryera në Qarkun Tiranë, problematika u shfaqen në thertoren “DUKA R.J.M.I”, me seli në Vorë, e licencuar në vitin 2010. Nga inspektimi i kryer rezultoi se, subjekti “DUKA R.J.M.I”, nuk plotësonte kushtet higjeno-sanitare të ruajtjes së mishit, si dhe në një nga ambientet e tij frigoriferikë, kishte një sasi të konsiderueshme (mish, të brendshme, dhjamë dhe mbeturina të mishit), të cilat ishin grumbulluar nga dëmtimi i tyre për defekte të frigoriferëve, apo dhe gjatë transportit. Për këtë sasi produkti, ndaj subjektit “DUKA R.J.M.I” u morën  këto  masa:
 
Bllokimi i sasisë së konstatuar së mishit dhe iu la detyrë subjektit që të marrë masat për kryerjen e  asgjësimit të tij duke njoftuar më parë DRAKU – Tiranë për datën e asgjësimit; 
Gjobë në masën 150.000 lekë; 
Bllokim aktiviteti; 

Gjithashtu, Drejtoria e Përgjithshme e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, si institucioni kompetent e përgjegjës për garantimin e sigurisë ushqimore dhe shëndetin e konsumatorëve njoftoi Prokurorinë Tiranë, për nisjen e procedimit penal ndaj dy inspektorëve Neki Hysko dhe Elvis Vllamasi, të cilët në inspektimin e kryer me datë 22.02.2016, kanë lejuar thertoren të ushtrojë aktivitet në këtë gjëndje dhe nuk kanë njoftuar për problematikat e konstatuara.

Redaksia online
(s.m/shqiptarja.com)