Dënimet, Petrit Vasili në takimin ndërgjegjësues mbi ndikimin e masave alternative

Ministri i Drejtësisë, Petrit Vasili, mori sot pjesë në takimin ndërgjegjësues me aktorët e sistemit dhe shoqërinë civile mbi rolin dhe forcimin e Shërbimit të Provës.

Në takim, ku ishte i pranishëm dhe Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, z. Bernd Borchardt ministri Vasili theksoi rëndësinë e këtij shërbimi, që lidhet me një politikë penale e cila sipas tij orientohet në një drejtim të ri, që del gjithnjë e më shumë nga tradicionalizimi i qëndrimit të egër dhe jo proporcional i dënimeve.
Ministri i Drejtësisë shprehu gjithashtu vlerësimet për OSBE-në, dhe veçanërisht Ambasadorin Borchardt, duke inkurajuar vazhdimësinë  e mëtejshme të mbështetjes për Shërbimin e Provës, të cilën deri më tani OSBE e ka ofruar me shumë efektivitet, drejt orientimit të problematikave.
Duke u ndalur tek disa shifra të Shërbimit të Provës, z. Vasili tha se pas vitit 2009 e në vazhdim, trajtimin e këtij shërbimi e kanë marrë rreth 25 mijë vetë.
“Në sistemin aktual janë nën trajtimin në Shërbimin e Provës rreth 4500 persona. Publiku mund të bëjë një krahasim shumë të thjeshtë. Ne në sistemin tonë penitenciar kemi rreth 5500 të dënuar. Shifrat lëvizin shumë pak, në një kohë që në Shërbimin e Provës janë rreth 4500. Kushdo bën lehtësisht balancën se sa i rëndësishëm, pse jo vendimtar është ky shërbim, jo vetëm në drejtim të politikës penitenciare. Ju e kuptoni se në mungesë të këtij shërbimi do të kishim mbipopullim të paarsyeshëm, të pamotivar dhe të padrejtë në burgje. Thënë më thjesht, mjaft qytetarë që janë dënuar për shkaqe të caktuara, fare mirë duke iu nënshtruar Shërbimit të Provës kanë mundësinë edhe dënimin ta vuajnë por edhe riintegrimin ta kenë më të lehtë dhe shumë më efektiv”, theksoi ministri i Drejtësisë.
Ministri Vasili theksoi se njerëzit nëpërmjet Shërbimit të Provës mund ta vuajnë dënimin por njëkohësisht edhe të jenë aktiv në shoqëri, por dhe në familjet e tyre.
“Do të ishte i padrejtë një sistem izolimi shumë më i rreptë, jo proporcional me dënimin që ata kanë marrë. E padrejtë do të ishte edhe që një personi i cili ndërkohë që vuan dënimin njëkohësisht dhe riintegrohet në shoqëri, në të kundërt shoqëria të paguante para për ta mbajtur atë në burg, duke marrë të gjithë së bashku vetëm humbje; humbje psikologjike, humbje familjare, humbje finaciare, mbipopullim të paasyeshëm e të pakuptimtë të burgjeve, Në fund të ditës gjithë politika penale nuk do të realizonte thelbin e saj si një politikë edukative, por do të mbetej politikë e vjetër, e një drejtësie të dhjetra viteve më parë, e cila dënon rreptë dhe nuk mendon se cila do të ishte e ardhmja e këtyre të dënuarve, të cilët nuk mund të jenë kurrë të përjashtuarit absolutë e të përjetshëm të shoqërisë, por njerëz të cilët pasi marrin një dënim të caktuar natyrshëm duhet të riintegrohen në shoqëri, të jenë pjesë e familjeve të tyre dhe të vazhdojnë punën e tyre”, u shpreh z. Vasili.
Më tej, ministri Vasili nënvizoi edhe njëherë rëndësinë e një dënimi të drejtë e proporcional, riintegrim sa më parë në shoqëri të të dënuarve, si pjesë aktive në shoqëri dhe jo një barrë për të.
“U përpoqa që në mesazhin tim të jem shumë i drejtpërdrejtë, por edhe i thjeshtë, pasi ne jemi pjesë e realizimit të kësaj sfide. Qytetarët janë ata të cilët kanë nevojë të dëgjojnë e të njohin çfarë është kjo politikë, çfarë është Shërbim i Provës. Prandaj duhet të jetë e qartë pse aplikohet, pse jemi kaq të hapur në këtë drejtim, pse kërkojmë që të përmirësojmë gjithnjë e më shumë legjislacionin, por njëkohësisht gjithnjë e më shumë ta mbështesim financiarisht, pasi është një shërbim efektiv dhe një e mirë e madhe për shoqërinë. Që nga viti 2009 kur u krijua ky shërbim dhe deri më sot janë gati 8 vite. Sot detyra e re është të ecim fort e pa kthim, në bashkëpunim edhe me aktorë të tjerë, Qeverinë Shqiptare në radhë të parë, Policinë e Shtetit, Prokurorinë e të gjithë së bashku, ku secili ka vendin e kontributin e tij, ta intesifikojmë një qasje të tillë që do t’a bënte shoqërinë më të shëndetshme dhe edukimin nëpërmjet dënimeve gjithmonë e më korrekt”, vijoi më tej z. Vasili.
Në përfundim të fjalës së tij, Ministri Vasili shprehu vlerësim për punonjësit e Shërbimit të Provës, duke evidentuar se numri i tyre në raport me ngarkesën që mbajnë është joproporcianal.
“Ne do të vazhdojmë të punojmë fort me qeverinë për të zgjeruar më tej mundësinë edhe të financimit, edhe të forcimit të zyrave. Disa zyra janë hapur nëpër rrethe, por dhe të tjera do të hapen në të ardhmen, në mënyrë që shërbimi të jetë kapilar. Sa më i lartë efektiviteti i këtij shërbimi, aq më e qetë është shoqëria”, tha z. Vasili.

 

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Cilat janë pengesat për arritjen e armëpushimit mes Izraelit dhe Hezbollahut?