TIRANE - Pak ditë pasi Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë rrëzoi kërkesën e një grupi veteranësh, të cilët kërkonin ndryshimin e emrit të rrugës “Ibrahim Rugova”, në “Dëshmorët e 4 Shkurtit, paditësit kanë apeluar vendimin.

Përfaqësuesit ligjorë të Organizatës së Veteranëve dhe Dëshmorëve të Atdheut, depozituan përgjatë së premtes në Gjykatën e Apelit, kërkesën për kundërshtimin e vendimit të datës 21.02.2013. Në apelimin e çështjes, avokatët mbrojtës e kanë cilësuar vendim absurd ligjor, vendimin e Shkallës së Parë.

Sipas tyre, veteranëve ua njeh ligji të drejtën për hedhjen poshtë të vendimit të Këshillit Bashkiak. Së dyti, sipas paditësve, ishte e panevojshme që t’i hiqej emërtimi Rrugës “Dëshmorët e 4 Shkurtit”, i vendosur me një vendim të organit kompetent në vitin 1945, dhe që vazhdonte me këtë emërtim për plot 67 vjet, dhe të zëvëndësohej me emrin “Ibrahim Rugova”, emër i cili figuronte në një rrugë dhe ligji e ndalon kategorikisht ekzistencën e dy rrugëve me të njëjtin emër në të njejtin qytet.

Rruga e parë që mban emrin “Ibrahim Rugova”, që nga viti 2008, ndodhet në Njësinë Bashkiake Nr.7. Por pas ndërrimit me forcë të emrit të kësaj rruge nga Njësia 7, kryebashkiaku Basha vendosi të kalonte emërtimin e rrugës “Ibrahim Rugova”, në atë që deri vonë njihej si “Dëshmorët e 4 Shkurtit”, rruga pranë ish-Parkut “Rinia”.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 02.03.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)