Gjatë ditës së sotme përfaqësuesit e KFOR-it kanë mbajtur një takim me serbët në Zubin Potok rreth zgjidhjes së situatës në Jegenicë dhe në zonat përreth.

Burime të Kosovapress kanë bërë të ditur se përveç idesë se problemi duhet zgjidhur në mënyrë paqësore, palët nuk janë pajtuar në asnjë pikë tjetër. Sipas këtyre burimeve, KFOR-i ka kërkuar që serbët të largojnë barrikadat pa kushte, ndërsa pala serbe që KFOR-i të largojë pikëkontrollin tek udhëkryqi i Jegenicës dhe të lirojë rrugën Zubin Potok-Zveçan për lëvizjen e lirë të serbëve në këtë drejtim.

Kryetari paralel i komunës së Zubin Potokut, Sllavisha Ristiq ka thënë para gazetarëve se janë në kërkim të ndonjë zgjidhje gjatë ditëve në vijim.

“KFOR-i ka kërkuar të mbajë pikëkontrollin në Jegenicë për të vazhduar kontrollimin selektiv të automjeteve në kërkim të armëve, kurse ne nuk pranuam një gjë të tillë”, ka thënë mes tjerash Ristiq. “KFOR-i duhet të kuptojë se problemet nuk mund të zgjidhen me forcë”.

“Janë kushte që edhe më herët i janë propozuar KFOR-it nga ana e banorëve serbë të cilat ata nuk i kanë pranuar, andaj vështirë se do të arrihet ndonjë zgjidhje”, kanë thënë burimet, duke shtuar se barrikadat do të vazhdojnë të qëndrojnë.