Protestat e dhunshme, Rama dhe ministri Demo takim me drejtuesit e policisë së Shtetit.

Dje është kaluar vija e kuqe. Nuk mund të quhet më protestë studentore, nuk mund të quhet më as protestë. 295 të lënduar, 186 prej tyre janë punonjës policie, raporti tregon vetëpërmbajtjen e policisë. Protestuesit kanë gjetur azil politik në një parti të caktuar”, tha Demo.

“Policët po përballen me një valë dhune që nuk ka të bëjë me asnjë arsye legjitime, për të pasur pakënaqësi dhe për të kërkuar më shumë nga qeveria. Kam ardhur sot prapë me këtë me vete, duhet ta mbash me vete, ta peshosh, sa i shtohet pesha kur vjen në drejtimin e njerëzve me uniformë dhe çfarë mund të bëjë mbi këdo. Me këtë nuk negociohet. Në momentin kur shteti negocion me të, ka rënë. Dhe kur fiton ky, atëherë, logjika e këtij bëhet vetë shteti. E ka parë Shqipëria këtë film më shumë se njëherë, pasoja janë plagë që duhen vite për t’u shëruar. Nuk do të thotë aspak se kush sot proteston paqësisht, edhe pse janë shumë pak, duan përmbysje. Janë të rinj dhe të reja të ekstremizuar nën frymëzimn e asaj force të errët dhe të re që është shfaqur në Europe dhe SHBA, që presidenti e ka shpallur organizatë terroriste, Antifën. Ata janë peng i një ideologjie të re, shkatërro gjthçka”, theksoi ai.

"Dërgojnë në protestë adoleshentët, që larg qoftë të ketë ndonjë viktimë dhe të thotë se ky është një tjetër 21 Janar, duke na barazuar, me ata që nuk kemi barazim", tha Rama.

lajm ne perditesim...

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 08:36
Rama: Nuk është rastësi që ideologu i Putinit përshëndet protestat dhe ata që i kundërvihen rendit demokratik europian

Kryeministri Edi Rama ka komentuar mbështetjen e ideologut të Vladimir Putinit, Aleksandër Dugin, për protestat në Shqipëri, duke thënë se nuk është rastësi që ai përshëndet ata që, sipas tij, i kundërvihen rendit demokratik europian.

"Armiqtë e Shqipërisë, dashakeqësit e Shqipërisë. Rusia nuk është aleate e Shqipërisë. Rusia nuk është partnere e Shqipërisë. Rusia nuk është një vend që e do Shqipërinë më të mirë, që e do Shqipërinë stabël, që e do Shqipërinë me investime, që e do Shqipërinë me ekonomi, që e do Shqipërinë në Bashkimin Europian, që i do studentët shqiptarë të barabartë me studentët e të gjithë Europës, për të cilët çdo universitet, si në Tiranë, si në Varshavë, si në Bruksel apo në Paris, të jetë universiteti i një studenti europian me pasaportën europiane. Rusia nuk i do të gjitha këto dhe nuk është aspak rastësi që babai ideologjik i Vladimir Vladimiroviçit atje në Kremlin del dhe përshëndet kombin shqiptar, përshëndet kombin shqiptar të ortodoksëve dhe të sufistëve, që më në fund po tregojnë se kush janë në të vërtetë dhe po i kundërvihen rendit demokratik europian", tha Rama. 

Ora 08:36
Protestat/ Rama: 2500 euro shtesë për çdo efektiv në front! Shteti do ta fitojë këtë betejë

1792390584_edirama.jpg

Rama tha se do të rrisin pagat e policisë së shtetit

 “Ne do ta rrisim në mënyrë të konsiderueshme pagën tuaj. Kur policinë e gjetur të tradhtuar dhe të braktisur, bëmë rritje të konsiderueshme atëherë. Në vite, nuk e kemi rritur aq sa duhet pagën tuaj. Po bisedonim përpara disa javësh. Me buxhetin e ri, nga 1 janari, paga juaj do të rritur në mënyrë të konsiderueshme. Ne do vëmë në dispozicion një shumë prej 2500 eurosh, për çdo efektiv në front. E vendosëm kështu, për të mos bërë asnjë diferencë. Jeni një, dhe një për të gjithë. Shteti do ta fitojë këtë betejë”, theksoi ai.

Ora 08:35
Rama për protestuesit e maskuar: Adhurojnë dhunën dhe kaosin, kanë nevojë për psikolog

1792391124_edirama.jpg

Kryeministri Edi Rama i cilësoi protestuesit e maskuar si njerëz që adhurojnë dhunën, molotovët dhe kaosin, ndërsa tha se ata kanë nevojë për psikolog.

"Nuk ka dalë të himnizojë dhunën, gurin, drurin, hurin e një mase kapuçzinjsh të maskuar, pas të cilëve nuk ka studentë, pas të cilëve nuk ka të reja dhe të rinj që duan një Shqipëri më të mirë, por ka vetëm qorra, njerëz pa shkollë, njerëz që nuk dinë as nga vijnë, as ku shkojnë, viktima të shumëçkaje, të cilët adhurojnë këtë, adhurojnë molotovin, adhurojnë ato llastiqet me vida, me të cilat godasin kafkat e policëve, adhurojnë rrëmujën dhe kaosin.

Dhe pastaj u turren dyqaneve si brumbuj që brejnë jetën, brejnë djersën, brejnë gjakun e familjeve që jetojnë me ato dyqane.

Si mund të përkrahet, si mund të himnizohet, si mund të adhurohet kjo masë, e cila ka nevojë për psikolog, e cila ka nevojë për t'u trajtuar nga shoqëria si një masë njerëzore vajzash dhe djemsh që vijnë nga periferitë për të shkatërruar qendrën dhe që kanë brenda të gjitha keqkuptimet e mëdha të një kohe kur shohin në ekranin e telefonit se si disa të tjerë e disa të tjera, që jetojnë me online-in dhe marrin e bëjnë nga dhjetëra mijëra euro në muaj pa paguar asnjë taksë, mund të hanë e të pinë, të vishen e të jetojnë në luks.

Dhe ata pastaj përdoren nga këto forca të tjera, nga Antifa, nga shërbime të huaja dhe nga armiqtë e Shqipërisë", tha Rama. 

Ora 08:34
Rama për protestat e dhunshme: Shoqëria shqiptare nuk mund ta tolerojë këtë flamë vulgariteti

1792390938_rama.jpg

Kryeministri Rama po mban një takim me drejtuesit e Policisë së Shtetit.

"Rezistenca juaj i bën nder Republikës. Pashë dje një police, që kishte një tjetër vajzë, të veshur e të mbathur nga koka te këmbët si e dalë nga Instagrami e me kufje në vesh, që i kthehej vajzës me uniformë me fjalor rrugaçëror, prej burrash të dehur. Ja simbolet e protestës. Shoqëria shqiptare nuk mund ta tolerojë këtë flamë vulgariteti. Dua të shpreh solidaritet me të gjithë efektivët dhe familjet e tyre”, u shpreh Rama.

Ora 08:24
Rama: Si mund të jenë studentë ata që duartrokasin djegien e një polici?

1792391124_edirama.jpg

Kryeministri Rama thotë se këta që po përmbysin  vendin nuk mund të jenë studentë

“Kjo nuk është revoltë për arsimin. Ishin 20 mijë nxënës, e bllokuan i bllokuan universitetet, e bllokuan mësimin, por ishin paqësorë dhe kishin kërkesa për universitetin. Çfarë studentësh janë këto? Si mund të jenë studentë këta që adhurojnë gurin, që duartrokasin djegien e policit, me djegien e bizneseve, që duartrokasin djegin e bankave, si mund të jenë studentë. Këta nuk janë studentë. Këta nuk ka si të jenë studentë, edhe pse mund të jenë regjistruar në shkollë. Vullneti i popullit do kthehet përmbys?”, tha Rama.

Ora 08:23
Rama: PD u dha strehim politik protestuesve të dhunshëm! Ëndërrojnë që një polic t'i marrë jetën një të mituri, duan të rikthejnë 21 Janarin

1792391365_rama.jpg

Kryeministri Edi Rama tha se Partinë Demokratike se u dha strehim politik protestuesve të dhunshëm, ndërsa tha se të miturit po përdoren si “mish për top” në përplasjet me Policinë. Sipas Ramës, ata që qëndrojnë pas protestave ëndërrojnë që një efektiv policie t'i marrë jetën një të mituri, për të rikthyer një tjetër 21 Janar dhe për të vendosur shenjën e barazimit mes qeverisë së tij dhe atyre që, siç tha, vrisnin protestues në bulevard.

"Ata që mbrëmë u dhanë strehim politik, duke bërë të njëjtën gjë edhe kur ishin në kohë të tjera, refuzimin për ta lënë Policinë të bëjë punën e vet. Por s'e kishin deri në fund kurajën të bënin këtë që po bëjnë sot.

U gjetën të miturit, që merren dhe vihen përpara me shufra hekuri dhe çohen atje mish për top, duke ëndërruar që një polici t'i shpëtojë dora dhe t'i marrë jetën një të mituri, që pastaj të justifikohet e keqja edhe më e madhe.

Duke ëndërruar që të kthehet këtu prapë 21 Janari, për të bërë shenjën e barazisë mes meje dhe nesh, që e kemi sjellë Shqipërinë deri këtu dhe e kemi ndërruar faqen e këtij vendi dhe e kemi ngritur dinjitetin e këtij vendi, me ata që në bulevard i vrisnin protestuesit.

Dinjiteti me të cilin ju po i rezistoni kësaj flakë, kësaj lodhjeje, dhe kuraja me të cilën ju po i qëndroni këtij presioni, i bën nder uniformës suaj, shtetit shqiptar dhe është borxh që të gjithë qytetarët e kthjellët dhe familjet e zakonshme të këtij vendi, që sot duan të shkojnë në punë, nuk duan të rrinë para televizorit, nuk duan të jenë nën presionin e lloj-lloj analistësh që u tregojnë se Policia po gjuan me gurë protestuesit, ua kanë borxh", tha Rama. 

Ora 08:17
Protestat e dhunshme/ Rama: Janë të rinj të ideologjizuar e ekstremizuar nga fryma e Antifa-s, SHBA e ka shpallur organizatë teroriste

1792390584_edirama.jpg

Kryeministri Edi Rama tha se të rinjtë që marrin pjesë në protestat e dhunshme janë të ideologjizuar dhe të ekstremizuar nga fryma e Antifa-s, të cilën, siç theksoi ai, presidenti amerikan Donald Trump e ka shpallur organizatë terroriste. Rama u shpreh se kjo nuk do të thotë që të rinjtë janë terroristë, por se janë pengje të një ideologjie që synon të shkatërrojë dhe të përmbysë gjithçka.

"Natyrisht që kjo nuk do të thotë aspak që kush sot proteston paqësisht, edhe pse janë shumë pak ata që protestojnë paqësisht, sepse edhe vajzat dhe djemtë që i bashkohen këtij, në thelb nuk duan paqe, duan përmbysje. Janë të rinj e të reja të ideologjizuar, të ekstremizuar, nën trysninë apo nën frymëzimin e asaj force të errët dhe të re që është shfaqur në Europë dhe në Shtetet e Bashkuara, të cilën presidenti i Shteteve të Bashkuara e ka shpallur organizatë terroriste, Antifa-n. Organizatë terroriste e ka shpallur presidenti i Shteteve të Bashkuara.

Kjo nuk do të thotë që vajzat dhe djemtë që mendojnë se jeta është TikTok dhe se me TikTok dhe pa lidhur dot shtatë fjalë bashkë mund ta bëjnë Shqipërinë më të mirë, janë terroristë. Aspak! Janë studentë dhe studente? Po, patjetër. Janë nxënës dhe nxënëse? Po, patjetër. Por janë pengje të një fryme, të një ideologjie të re, e cila ka vetëm një mision: shkatërro, ktheje të gjithën përmbys, rrëno gjithçka. Bëje rrafsh se do ta fillojmë nga e para.

Ata që janë këtu pak më në moshë i kanë ende kujtimet e asaj kohe nga ku ne dolëm pas 50 vitesh iluzion se do bëhej rrafsh dhe do fillonte nga e para. Kështu që, po, është fatkeqësi shumë e madhe. Unë do ta quaj një fatkeqësi kombëtare sot që forcat e Policisë, që djemtë dhe vajzat, burrat dhe gratë dhe, mbi të gjitha, të gjithë ju nën uniformë që jeni aty për të mbrojtur shtetin, jeni jo vetëm nën sulmin e gurëve, por jeni edhe nën sulmin e ekraneve.

Kjo është absolutisht rrëqethëse, pasi, siç e tha ministri, kjo po ndodh në Francë, kjo po ndodh në Itali, kjo po ndodh në Portugali, kjo po ndodh në Belgjikë. Kjo paralajmërohet se do të ndodhë kudo, por në asnjë nga këto vende, asnjë parti politike nuk ka dalë të mbajë anën e dhunuesve. Nuk ka dalë t'u bëjë hyzmet flakëve mbi institucione", tha Rama. 

Ora 08:16
Rama nxjerr gurin e përdorur në protestë: Me këtë nuk negociohet. Shqipëria bëhet me studentë, jo me terroristë

1792390220_edirama.jpg

Kryeministri Rama tha se me gurë nuk negociohet.

“Po përballen me një valë dhune që nuk ka të bëjë me asnjë arsye legjitime, për të pasur pakënaqësi dhe për të kërkuar më shumë nga qeveria. Kam ardhur sot prapë me këtë me vete, duhet ta mbash me vete, ta peshosh, sa i shtohet pesha kur vjen në drejtimin e njerëzve me uniformë dhe çfarë mund të bëjë mbi këdo. Me këtë nuk negociohet. Në momentin kur shteti negocion me të, ka rënë. Dhe kur fiton ky, atëherë, logjika e këtij bëhet vetë shteti. E ka parë Shqipëria këtë film më shumë s enjë herë, pasoja janë plagë që duhen vite për t’u shëruar. Nuk do të thotë aspak se kush sot proteston paqësisht, edhe pse janë shumë pak, duan përmbysje. Janë të rinj dhe të reja të ekstremizuar nën frymëzimn e asaj force të errët dhe të re që është shfaqur në Europe dhe SHBA, që presidenti e ka shpallur organizatë terroriste, Antifën. Ata janë peng i një ideologjie të re, shkatërro gjthçka”, theksoi ai.