Kompania kanadeze e telefonave "Blackberry" ka pranuar në parim të blihet nga një shoqëri e drejtuar nga "Fairfax Financial" për 4.7 miliardë dollarë.

Kështu është njoftuar nga vetë kompania me anë të një deklarate, në të cilën tuhet se "Fairfax"-  aksioneri më i madh i tyre -  u ka ofruar 9 dollarë për njësi për të blerë kompaninë. Kompania tha gjithashtu se do të vazhdonte të kërkonte edhe mundësi të tjera, ndërkohë që bisedimet me "Fairfax" do të vazhdonin.

Të premtën, kompania kanadeze "Blackberry" lajmëroi shkurtimin e 4500 vendeve të punës në përpjekje për të ulur humbjet; ajo pret gati 1 miliardë USD humbje pas shitjeve të fundit. 

Në deklaratën e saj ka vënë në dukje  se "presim që të arrijmë një marrëveshje deri më 4 nëntor 2013".

Miliarderi kanadez, Prem Watsa, i cili është edhe pronari, edhe shefi ekzekutiv i "Fairfax"-it është shprehur se beson se ky transaksion do të hapë një kapitull të ri për "Blackberry"-in, klientët e tij dhe punonjësit.

Brian Colello, analist i "Morningstar"-it ka komentuar se shitja e "Blackberry"-t do ta lejonte kompaninë të riorganizohej, pa qënë nën vëmendjen e investitorëve të "Wall Street"-it.

Ai tha: "Bazuar në humbjet e fundit, besoj se duhet të ndodhte një marrëveshje e tillë dhe sa më shpejt aq më mirë.
 
Përfitimi i kësaj marrëveshjeje është mundësia më e mirë për "Blackberry"-in dhe partnerët e saj për të rikrijuar kompaninë pa qënë nën vëmendjen e publikut.

Problemet financiare të "Blackberry"-it dolën në shesh këtë vit, pas shitjeve të pakta të modelit të ri "Smartphone  Z10".
 
Me daljen në treg pas shumë vonesash, telefoni nuk qe shumë i pëlqyeshëm nga klientët.
 
Aksionet e kompanisë në bursë ranë me 17% që të premtën, pas lajmërimit për shkurtimin e vendeve të punës.
 
Redaksia online
(e.d/arsh/shqiptarja.com)