Ukraina dhe Hungaria po afrohen drejt zgjidhjes së një konflikti që prej vitesh ka rënduar marrëdhëniet mes dy vendeve dhe që është kthyer në një pengesë konkrete për rrugën e Kievit drejt Bashkimit Evropian.
Në qendër të përplasjes janë të drejtat e pakicës hungareze që jeton në Ukrainën perëndimore dhe, veçanërisht, mundësia e saj për t'u arsimuar në gjuhën hungareze.
Sot nw parlamentin ukrainas është paraqitur një projektligj që zgjeron të drejtat arsimore të pakicave kombëtare dhe forcon garancitë për përdorimin e gjuhës së tyre në shkolla. Budapesti e ka mirëpritur hapin dhe, nëse ligji miratohet, Hungaria mund të heqë kundërshtimin për hapjen e pjesëve të tjera të negociatave të Ukrainës me BE-në.
Nga nisi konflikti mes Hungarisë dhe Ukrainës?
Në rajonin e Transkarpatisë, në skajin perëndimor të Ukrainës dhe pranë kufirit me Hungarinë, jeton një komunitet i konsiderueshëm hungarez. Vlerësimet aktuale variojnë, ndërsa qeveria hungareze flet për rreth 100 mijë hungarezë etnikë në Ukrainë.
Prej vitesh Budapesti ka kundërshtuar ndryshimet që Ukraina ka bërë në legjislacionin për gjuhën dhe arsimin, duke argumentuar se ato kanë kufizuar të drejtat e hungarezëve për t'u arsimuar në gjuhën e tyre.
Çështja mori një peshë shumë më të madhe pasi Ukraina mori statusin e vendit kandidat dhe nisi negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Për avancimin e procesit kërkohet mbështetja e vendeve anëtare dhe Hungaria e përdori këtë pozicion për t'i kërkuar Kievit garanci konkrete për të drejtat gjuhësore, kulturore dhe arsimore të pakicës hungareze.
Çfarë ndryshoi pas largimit të Viktor Orbanit?
Marrëdhëniet mes dy vendeve ishin veçanërisht të tensionuara gjatë qeverisjes së Viktor Orbanit. Përveç konfliktit për pakicën hungareze, Budapesti dhe Kievi përplaseshin vazhdimisht edhe për luftën me Rusinë dhe mbështetjen evropiane për Ukrainën.
Pas ardhjes në pushtet të Peter Magyar në Hungari, Budapesti ka ndjekur një qasje më pak konfrontuese ndaj Kievit. Por kryeministri i ri nuk hoqi dorë nga kërkesa për pakicën hungareze: ai e bëri përparimin në këtë çështje kusht për mbështetjen e mëtejshme të Ukrainës në procesin e anëtarësimit në BE.
Në qershor, Hungaria dhe Ukraina arritën një marrëveshje mbi të drejtat gjuhësore, kulturore dhe arsimore të hungarezëve në Ukrainë. Problemi ishte se Budapesti kërkonte që premtimet të mos mbeteshin vetëm në letër, por të ktheheshin në ligj.
Hapi i Kievit që mund të zhbllokojë situatën
Projektligji i regjistruar në parlamentin ukrainas parashikon më shumë hapësirë për arsimin në gjuhët e pakicave kombëtare që janë njëkohësisht gjuhë zyrtare të Bashkimit Evropian. Në këtë kategori hyn hungarishtja.
Ndër të tjera, shkollat ku më shumë se gjysma e nxënësve arsimohen në gjuhën e një pakice mund të marrin status të posaçëm, ndërsa drejtuesit e tyre duhet të njohin gjuhën përkatëse. Formulimi për gjuhët zyrtare të BE-së është gjithashtu i rëndësishëm për Kievin, sepse mundëson zgjerimin e të drejtave për hungarishten pa i shtrirë automatikisht të njëjtat dispozita te rusishtja.
Magyar e mirëpriti publikisht projektligjin, duke theksuar se Budapesti pret që e drejta për arsim në gjuhën amtare të garantohet edhe në praktikë.
Ministrja e Jashtme e Hungarisë, Anita Orban, tha se propozimi është rezultat i javëve të negociatave mes ekspertëve hungarezë dhe ukrainas, si dhe konsultimeve me përfaqësuesit e komunitetit hungarez në Transkarpati.
Çfarë merr Ukraina në këmbim?
Sipas diplomatëve të BE-së të cituar nga Reuters, miratimi i ndryshimeve mund të bëjë që Hungaria të tërheqë kundërshtimin për avancimin e negociatave të anëtarësimit të Ukrainës në fusha të tjera, përfshirë tregun e brendshëm dhe konkurrueshmërinë.
Negociatat për anëtarësim nuk zhvillohen si një bisedë e vetme, por ndahen në grupkapituj që mbulojnë fusha të ndryshme, nga drejtësia te ekonomia, energjia dhe tregu i brendshëm. Ukraina synon hapjen e të gjashtë grupkapitujve deri në fund të vitit 2026, por kundërshtimet politike kanë penguar avancimin e disa prej tyre.
Projektligji për pakicat pritet të hidhet në votim në parlamentin ukrainas gjatë tetorit. Nëse miratohet dhe Budapesti e konsideron se Kievi ka përmbushur angazhimet e marra, një pengesë e rëndësishme në marrëdhëniet Hungari-Ukrainë mund të hiqet.








Komente
Komento