Dështon politika fiskale,
u shpall 5 vjet më parë

Dështon politika fiskale, <br />u shpall 5 vjet më parë
TIRANË - Qeveria ka hequr dorë, pesë vjet pas fillimit të aplikimit, nga pagat e referencës. Në mbledhjen e fundit të Task Force rregullatore, në prani të kryeministrit Sali Berisha, është deklaruar se “për pagesat e taksave, do të ulet kontributi i punëdhënësit nëpërmjet heqjes së pagës së referencës dhe thjeshtimit dhe shkurtimit të kohës, kostove dhe procedurave nëpërmjet veprimeve që do të kryhen online”. Në këtë mënyrë, ka përfunduar me dështim ajo, që u konsiderua një politikë e re fiskale, por që synonte vetëm mbushjen me çdo kusht të arkës së shtetit, duke çrregulluar konkurrencën dhe duke krijuar kosto shtesë për bizneset.
Në një takim, që shoqatat përfaqësuese të bizneseve patën në fund të muajit mars 2007, pikërisht pesë vjet më parë, ato sollën argumente në lidhje me hapësirat e mëdha për interpretim që kishte vendimi i Këshillit të Ministrave, mbasi, nga njëra anë, i nxit tatimpaguesit drejt shmangies nga deklarimi dhe pagimi i kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore, shëndetësore dhe i tatimit mbi të ardhurat personale dhe, nga ana tjetër, shërben si parakusht për qëndrime arbitrare dhe presion të zyrtarëve tatimorë mbi tatimpaguesit, çka do të çonte në një mjedis tipik korruptiv. Por, një protestë e tillë nuk është marrë parasysh nga qeveria.
Në fakt, tatimi mbi të ardhurat personale rriti dyfish sasinë e parave të mbledhura nga Tatimet vetëm nga viti 2007 në 2008-ën, duke kaluar nga 14.8 miliardë, në 24.5 miliardë lekë. Por, më pas, kjo shumë duket sikur stabilizohet dhe ka ndryshime tepër të vogla, me 26.8 miliardë në 2009-ën, 27.1 miliardë në 2010-ën dhe 27.9 miliardë lekë vitin e kaluar.
Konfindustria shprehu menjëherë shqetësimin e saj për të dhënat e para që erdhën për mënyrën e aplikimit të Vendimit të Këshillit të Ministrave për pagat e referencës nga institucionet tatimore. Sistemi i pagave të referencës, i vendosur nga Ekzekutivi, merret me pasojat dhe jo me shkaqet e prodhimit të evazionit fiskal. Kjo nuk është mënyra e duhur për të formalizuar tregun e punës, aq shumë të dëshiruar dhe të kërkuar nga industrialistët më të rëndësishëm të vendit. Në këto kushte, sipas administratorit të përgjithshëm Gjergj Buxhuku, këta të fundit këshilluan institucionet përgjegjëse të shtetit shqiptar që të saktësojnë plotësisht, me akte të hollësishme nënligjore, në zbatim të vendimit në fjalë, të gjitha rastet kur dokumentacioni i paraqitur nga punëdhënësit duhet të konsiderohet i plotë për nëpunësit tatimorë. Në rast të kundërt, rrezikohet që përdorimi i pagave të referencës nga institucionet e fiskut të kthehet, nga një rast i veçantë, në një rast të përgjithshëm, të kthehet në rast të përdorimit të sanksioneve ndaj biznesit, duke dëmtuar rëndë marrëdhëniet shtet-biznes, rritjen e kostove të panevojshme të biznesit dhe vërshimin e rasteve për zgjidhje në gjykatë. Sipas biznesmenëve, shteti duhet të rishikojë në themel vetë sistemin e pagave të referencës kur, bazuar në të dhënat e mjaft industrive të rëndësishme të vendit, kemi shmangie të konsiderueshme nga tregu real i punës. Sa më sipër, shkakton, sipas tyre, probleme të rënda për rritjen e panevojshme të kostove të prodhimit dhe të shërbimeve shqiptare, prodhim të konkurrencës së padrejtë brenda vendit dhe rrezikim serioz edhe të jetëgjatësisë së industrive shqiptare në garën e ashpër për tregje në kushtet e zbatimit dhe të pasojave të MSA.


(aq/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare: Ai është i shqetësuar nga përshkallëzimi i konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës

Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare: Ai është i shqetësuar nga përshkallëzimi i konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës