SERBI - Ambasadat amerikane dhe britanike në Beograd kanë shprehur keqardhje për vendimin e njëanshëm të Qeverisë së Serbisë për ta hequr monumentin e UÇPMB-së në Preshevë.

Ndërsa Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiç ka thënë se “ka mbaruar rrëfimi për monumentin në Preshevë pa shkaktuar krizë”, por sipas tij kriza është shkaktuar “nga shqiptarët në jug të Serbisë”.

"Unë nuk besoj se veteranët e Al-Qaedas pyeten në Shtetet e Bashkuara, apo ata që kanë bërë akte terroriste në Londër e Madrid nëse duan të vendosin monument”, tha Daçiç.

Duke shtuar më tej se “fakti që Serbia dëshiron të negociojë, dikush këtë e sheh si dobësi tonën”.

"I keni dëgjuar deklaratat e tyre, se ata do të vazhdojnë të luftojnë me ndihmën e komunitetit ndërkombëtar. Cili komuniteti ndërkombëtar? Mbase unë e njoh bashkësinë ndërkombëtare dhe negocioj me ta", ka thënë Daçiç.

Më tej Kryeministri serb theksoj se “Në Serbi do të respektohen ligjet. Thaçi mund të vë doganierët në pikëkalimet administrative e pastaj thonë se duhet të respektohen ligjet e Kosovës, por kur duhet të respektohen ligjet e Serbisë, thonë hajt të bisedojmë. Nuk ka negociata me terroristët", tha Daçiç duke shtuar: “Me ata që lëvdojnë terrorizmin nuk mund të negociohet. Mund të negociohet me ata që duan të jenë pjesë e sistemit tonë politik dhe kushtetues”.

Redaksia online
(eç/shqiptarja.com)