BEOGRAD - Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiç deklaron se është gati të vazhdojë dialogun me Kosovën pas kthimit të tij nga Moska.

Daçiç udhëton sot drejt Moskës ku do të qëndrojë për dy ditë, (të mërkurën dhe të enjten) dhe temë dialogu pritet të jetë dhe dialogu me Kosovën, i cili është bllokuar nga refuzimi i Beogradit për të nënshkruar marrëveshjen e propozuar nga Brukseli.

Gjatë qëndrimit në Moskë, Daçiç pritet të takohet me presidentin rus Vladimir Putin për të diskutuar për Kosovën. Ndërsa dje ka theksuar se nuk ka pasur kontakte me Brukselin për çështjen e bisedimeve.

Në axhendë është dhe takimi me kreministrin Dimitri Medvedev, ministri i mbrojtjës Sergej Shojgou, dhe zyrtarë tjerë rus me të cilët do të nënshkruaj një varg marrëveshjes bilaterale dhe ekonomike.

Në konferencën për media në Beograd, pas takimit me Zëvendëskryeministrin e Belgjikës Didier Reynders, Daçiç tregoi se ku qëndrojnë mospajtimet me palën kosovare dhe BE-në.

“Çështja kryesore është siguria, policia, gjyqësia – përfaqësimi etnik dhe vija e komandimit, çështja rregullimit të kuadrove në polici, pastaj që në veri të ketë njësi të përhershme të gjykatës së apelit si dhe një moratorium për praninë e ushtrisë së ardhshme të Kosovës”, ka thënë kryeministri serbe Ivica Daçiç.


(sg/shqiptarja.com)