Daçiç: Nuk e di nëse Radoiçiç është në videon që nxori Sveçla

Daçiç: Nuk e di nëse Radoiçiç është në videon që nxori Sveçla

1695811804_dacic.jpg

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç, tha se nuk e dinte nëse në videon e publikuar nga ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, është nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiç, por shtoi se është “e dukshme” se videoja nuk është nga dita e sulmit në veri të Kosovës.

“Nuk kam asnjë informacion nëse ai [Radoiçiç] është në video apo jo, vërtet nuk e di”, tha Daçiç për Radio Televizionin e Serbisë më 26 shtator.

Sipas tij, bëhet fjalë për “mashtrim” - videoja “nuk është e ditës” kur ka ndodhur sulmi.

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, publikoi më 26 shtator një video, ku tha se Radoiçiç duket në mesin e personave të armatosur që u përleshën me policinë e Kosovës në manastirin e Banjskës në Zveçan, më 24 shtator.

“Ata vazhdojnë të thonë se ato janë grupe kriminale dhe se nga UÇK-ja janë luftëtarë të lirisë. Ata janë gjithashtu luftëtarë të lirisë, nëse është kështu”, tha Daçiç.

Sipas tij, Kosova “po përpiqet të dëshmojë dhe të tregojë se Millan Radoiçiç apo Zvonko Vesellinoviç kanë qenë ata që i kanë kryer këto veprime”.

“Ata më së shumti do të donin të kishin hasur në [Millan] Mojsilloviçin [shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë serbe] sepse u duhet një lidhje me Beogradin”, tha Daçiç.

Ai, po ashtu, tha se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është “i vetmi fajtor për gjithçka që ka ndodhur” dhe shtoi se Beogradi nuk e justifikon asnjë veprim të dhunshëm.

“Na vjen keq për vrasjen e një polici, për humbjen e jetëve serbe dhe që ka ndodhur një incident i tillë që nuk është në interesin e Serbisë”, tha Daçiç.

Sveçla, bashkë me videon e postuar më 26 shtator, shkroi se Radoiçiç “ishte lider i grupit terrorist dhe i sulmit që la të vrarë policin Afrim Bunjaku”.

Lista Serbe është partia më e madhe e serbëve të Kosovës që ka mbështetjen e Beogradit, ndërsa Radoiçiç dhe biznesmeni nga veriu i Kosovës, Zvonko Vesellinoviç, për të cilin foli Daçiç, janë në listën e zezë të SHBA-së për korrupsion dhe krim ndërkombëtar.

Ata janë të lidhur edhe me vrasjen e politikanit opozitar serb, Oliver Ivanoviç, nga veriu i Kosovës.

Policia e Kosovës u sulmua më 24 shtator nga një grup personash të maskuar dhe të armatosur në fshatin Banjskë, ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku, ndërsa disa të tjerë u plagosën.

Në shkëmbimin e zjarrit që pasoi, policia vrau tre sulmues të nacionalitetit serb, ndërsa gjashtë prej tyre u arrestuan. Një ditë më vonë, më 25 shtator, dy të tjerë u arrestuan në Banjskë.

Policia e Kosovës, gjatë kontrollit në zonën përreth Banjskës, gjeti një arsenal të madh armësh të rënda.

Në një intervistë për Euronews Albania, dhënë në të njëjtën ditë, Sveçla përsëriti se videoja në të cilën tha se duket Radoiçiçi, është filmuar nga një dron i policisë dhe se Radoiçiç ishte në ambientet e manastirit të Banjskës.

Sipas tij, në sulmin e 24 shtatorit morën pjesë “mbi 30 terroristë të udhëhequr nga Millan Radoiçiçi”./REL


Lajmi kryesor:

Sulmi me armë në veri/ Identifikohet sulmuesi i dytë! Sveçla: Njëri nga të vrarët në Banjskë, truproja i Vulinit! Lirohen 4 nga të arrestuarit! Largohen postblloqet


S.S/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Fotoja e Google Maps zbulon vrasësin që ngarkon trupin në makinën e tij

Fotoja e Google Maps zbulon vrasësin që ngarkon trupin në makinën e tij