“Vlerësoj se të gjitha çështjet e hapura në rajon duhet të zgjidhen përmes rrugës paqësore dhe mjete paqësore, dialog dhe me marrëveshje”, tha Daçiç.
Pyetjes për heqjen e lapidarit të UÇPMB-së dhe faktit se kur shqiptarët në Luginës e Preshevës do të gëzojnë të drejta ashtu siç gëzojnë serbët në Kosovë, Kryeministri serb u përgjigj se të drejtat e shqiptarëve në Luginë janë të njëjta me të drejtat e gjithë qytetarëve të Serbisë. Daçiç përsëriti edhe njëherë krahasimin e ushtarëve të UÇPMB-së me terroristët e Al-Kaedës duke thënë që nuk ekziston asnjë përmendore e grupeve terroriste në asnjë vend të botës, duke theksoi se zhvillimet e fundit janë provokime për shtetin serb.
"Të drejtat e shqiptarëve në Luginë janë të njëjta ashtu siç i gëzojnë të drejtat e tyre të gjithë qytetarët e Serbisë. Nëse mendoni për përmendoren e cila u largua, më duhet të theksoj se Serbia nuk është “banana-republikë” në të cilën nuk vlejnë ligjet. Nëse mund të më thoni në ekziston përmendore e Al-Kaedës në Nju Jork ose ekziston përmendore e grupeve terroriste në Spanjë ose Londër. Unë zhvillimet e fundit nuk mund t'i komentoj veçse si provokim për shtetin serb. Në Preshevë ekzistojnë 22 përmendore të UCK-së, UÇPMB-së, etj., dhe ne si shtet heshtëm. Deri kur u vendos ajo përmendore para komunës që për ne ishte e papranueshme, sepse kjo nuk ka të bëjë fare me të drejtat e njeriut. Ata që vendosën përmendoren, paraprakisht duhej të merrnin leje nga institucionet”, është shprehur Daçiç në Shkup.
Ardhjen e Kryeministrit serb në Maqedoni grupi nga Shkupi "Shvercerat" e ka pritur dhe përcjellur Ivica Daçiçin me një flamur gjigant shqiptar, të cilin e kishin vendosur në ndërtesën "Mavrovka", pranë bustit të Hasan Prishtina. Përfaqësues të këtij grupi u shprehën se “me këtë i kemi treguar Daçiçit se Shkupi është i shqiptarëve dhe se ne jemi me shqiptarët e Luginës së Preshevës".
Ndërkohë që sot komisioneri i lartë për pakica kombëtare pranë OSBE-së, Knut Volebek, do të takojë në Bujanoc përfaqësuesit e të gjitha partive shqiptare të Luginës së Preshevës, ku do të bisedohet zgjidhja e problemit të lapidarit të UÇPMB-së.
Për shkak të kësaj vizite, përfaqësuesit e subjekteve politike në Bujanoc kanë njoftuar ndryshimin e ditës së mbajtjes së protestës që ishte paralajmëruar se do të mbahej sot në Bujanoc.
Mëngjesin e 20 janarit, xhandarmëria serbe largoi nga Presheva lapidarin e UÇPMB-së, çfarë ka nxitur reagimin e autoriteteve shqiptare atje, por edhe të atyre të Prishtinës, Tiranës dhe ndërkombëtarëve.
Redaksia online
(eç/shqiptarja.com)