TIRANË, 16 Korrik/ATSH-Z. Tosku/- Kryetarja e Komisionit të Politikës së Jashtme të Kuvendit të Shqipërisë, Arta Dade, i ka dërguar telegram ngushëllimi Kryetarit të Komisionit për Politikën e Jashtme të Bundestagut Gjerman Norbert Röttgen, për ndarjen nga jeta të Zëdhënësit të CDU-së per Politikën e Jashtme në Bundestagun Gjerman Philipp Missfelder.
"Me pikëllim të madh kam mësuar për ndarjen e papritur nga jeta të një kolegu të shquar, Philipp Missfelder, i cili me gjithë moshën e tij të re ka lënë gjurmë në veprimtarinë e politikës së jashtme, jo vetëm në Bundestag, por edhe në Europë për elokuencën dhe qëndrimet e tij parimore për çështje të rëndësishme të tilla si Izraeli, marrëdhëniet transatlantike dhe zhvillimet e kohëve të fundit në Europën Lindore", shkruan Dade.
Ndërkaq, Dade në emër të Komisionit për Politikë të Jashtme të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, ka shprehur keqardhjen e thëllë dhe ngushëllimet për familjen e dashur të Missfelder, kolegëve të tij dhe njerëzve që ai ka përfaqësuar në Bundestagun Gjerman.
"Mendimet tona janë me ju këto ditë", ka përfunduar Dade në telegramin e ngushëllimit. /a.g/