AFP reportazh qytetit të Hasit: ‘Londra e Vogël’ e Shqipërisë që jeton me paratë e emigrantëve në Angli

AFP reportazh qytetit të Hasit: ‘Londra e Vogël’ e Shqipërisë që jeton me paratë e emigrantëve në Angli

Foto nga një lokal në qytetin e Hasit

Një flamur britanik valëvitet krenar pranë një fotoje në kornizë të Mbretëreshës Elizabeth II, ndërsa një kabinë telefonike e kuqe tipike londineze është vendosur në një kënd në Britain Resto Lounge, teksa makina me targa angleze kalojnë aty pranë.

Sikur të mos ishte sfondi mahnitës malor, mund të ngatërroheshe lehtësisht duke menduar se po qëndroje në kryeqytetin britanik, raportojnë mediat e huaja.

Por qyteti i Hasit në verilindje të Shqipërisë, me nofkën Londra e Vogël, tani shërben si homazh për vendin që ka marrë aq shumë nga qytetarët e tij, pavarësisht planeve të qeverisë për të goditur fluksin e emigrimit prej më tepër se 12 mijë personash gjatë këtij viti.

Rajoni me rreth 22 mijë banorë është ndërtuar kryesisht me paratë e dërguara nga burra në moshë pune që kanë bërë udhëtimin e rrezikshëm përmes La Manshit drejt brigjeve të Britanisë në kërkim të një jete më të mirë. Tani i bëjnë nderime atdheut të tyre të dytë në Has, me makinat me targa angleze, por edhe me projektet për një statujë të Mbretëreshës së ndjerë.

Ashtu si kryeministri shqiptar Edi Rama, edhe banorët e Hasit u indinjuan nga akuzat nga Londra se janë pjesë e një invazioni migrantësh.

Banorët e Hasit thonë se vajtja në Britani iu jep mundësi të sigurojnë jetesën por shoqërohet me dhimbjen e një udhëtimi të rrezikshëm dhe me punë të madhe, nga e cila përfitojnë edhe punëdhënësit e tyre britanikë.

Shqiptarë janë tani grupi më i madhe që kalon La Manshin me gomone, sipas statistikave zyrtare britanike. Mbi 12 mijë kanë mbërritur këtë vit, krahasuar me 50 më 2020.

Duke folur nga zyra e tij, ku flamuri shqiptar dhe ai britanik qëndrojnë pranë, kryebashkiaku i Hasit, Liman Morina, thotë për AFP se 80% e banorëve të tij “mbijetojnë falë punës së madhe e të ndershme të të armëve të tyre në Britani”.

Klodian Kastrati, sociolog që punon në Has, thotë: “Emigrimi është një epidemi që prek të gjithë të rinjtë këtu të infektuar nga ideja e largimit drejt Britanisë me shpresën për të ardhme më të mirë”.

Rajoni i Hasit është më i varfëri në Shqipëri dhe emigrimi është burimi i vetëm real i mbështetjes për banorët e tij. Që kur Shqipëria hapi kufijtë në vitet ’90, banorët janë larguar pasivisht, të dëshpëruar për të lënë pas jetën e vështirë dhe izolimin e një shtypjeje brutale nga diktatura komuniste.

Rreth 1.7 milion shqiptarë kanë ikur, kryesisht në Itali, Greqi dhe Britani, thonë shifrat zyrtare. Në gjashtë muajt e parë të vitit, emigrantët dërguan atje 323 milion paund, sipas bankës kombëtare.

Rreth 140 mijë shqiptarë jetojnë në Britani, ku iu bashkuan shqiptarëve nga Kosova që kërkuan strehë gjatë luftës kundër forcave serbe. Ndërsa më të pasurit munden t’i çojnë fëmijët në universitetet britanike, shumica e shqiptarëve punojnë në catering apo ndërtim. Hasjanët ia atribuojnë kulmimin e kalimeve në La Mansh fjalëve të përhapura.

“Zërat për vende të lira pune në Britani për shkak të efektit të kombinuar të pandemisë dhe Brexit kanë qarkulluar me shpejtësinë e dritës”, tha Granit Gojani për AFP.

Pasi jetoi në Londër për një dekadë, 31-vjeçari u kthye në Has ku ka hapur barin e tij.

“Rrjetet sociale ofrojnë çmime të favorshme për të kaluar me gomone. Dëshira për të besuar më tepër se për të ditur bëri që turmat të lëshoheshin”, tha ai.

Këtë vit, shkolla e mesme në Has ka 40 nxënës më pak se më 2021.

Autoritetet franceze kanë konfirmuar rritjen e numrit të shqiptarëve në anën e tyre të Ngushticës, përfshirë edhe në radhët e ndërmjetësve, ndonëse për këtë dominojnë bandat kurde irakene.

Ani, një i ri që përdor pseudonim, është penduar për udhëtimin e bërë nga Dunkirku në veri të Francës. Ai e përshkroi si “udhëtim skëterre prej më tepër se gjashtë orësh në një gomone të mbushur plot në det të egër”. Ai iku në fund të shtatorit me shpresën e një pune të paguar mirë në industrinë e ndërtimit në Londër.

Qëndroi një muaj para se të kthehej, duke u dorëzuar para lutjeve të nënës së tij, e cila ndiqte me vëmendje komentet e disa politikanëve britanikë për shqiptarët.

“Unë nuk jam kriminel, thjesht ëndërroja për një jetë më të mirë në një vend të madh. Në djall të venë ato 4 mijë paund që pagova”, tha Ani për AFP, i neveritur nga atmosfera anti-emigrant në Britani.

Tani mendon të studiojë për drejtësi në Universitetin e Tiranës. Sekretarja e Brendshme britanike Suella Braverman foli për emigrantët dhe veçoi “kriminelët shqiptarë”, duke shkaktuar zemërim në Tiranë.

“Shqiptarët në Britani punojnë shumë dhe paguajnë taksa”, shkroi në Twitter Rama në nëntor. Ai tha se Britania duhet të ndalojë “diskriminimin për të justifikuar dështimet politike”.

Disa emigrantë janë të përfshirë në aktivitete të paligjshme, sidomos për të shlyer ndërmjetësit.

Por “një grusht njerëzish që kanë probleme me ligjin nuk mund të dëmtojnë një komunitet të tërë, përfshirë biznesmenë, mësues, doktorë, punëtorë ndërtimi e fëmijë që aspirojnë rritjen”, tha Gojani.

Por pavarësisht parave e gjithë të mirave që ka sjellë në Has, emigrimi në Britani ka shkaktuar edhe dhimbje. Familja e Drita Meshit pësoi një humbje të madhe më 2016 dhe që atëherë ajo e ka bërë si qëllim të jetës t’u mbushë mendjen të rinjve të qëndrojnë.

Djali i saj, i cili shkoi në Angli për një jetë më të mirë, u vra nga dy adoleshentë britanikë që i vunë zjarrin makinës ku po flinte. Ai ishte 32 vjeç. Çdo ditë ajo vajton te varri i tij.

Meshi, punonjëse e bashkisë së Hasit, ka edhe dy fëmijë të tjerë që ende jetojnë në Londër. Ajo dëshiron të tërheqë investime, në mënyrë që të rinjtë të kenë një shtysë për ta ndërtuar të ardhmen pranë shtëpisë.

“Për mua, emigracioni është një plagë që ende rrjedh gjak”, tha Mehsi me lot në sy për AFP.

S.S//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë