Forcimi i bashkëpunimit mes dy qyteteve në kuadër të marrëveshjes së binjakëzimit të nënshkruar para pak kohësh, ishte në fokus të bashkëbisedimit gjatë takimit të Kryetarit të  Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako me kryetarin e Bashkisë së Selanikut Yiannis Boutaris i cili ndodhet për vizitë zyrtare në Durrës.
Në këtë takim, ishin të pranishëm edhe konsulli i përgjithshëm i Shqipërisë në Selanik Riza Poda, zv/ambasadori grek në Tiranë Konstantinos Piperigos si dhe përfaqësuesi i komunitetit shqiptar në Selanik dr. Luan Zyka.

Kryebashkiaku Dako u shpreh se të dy qytetet Durrësi dhe Selaniku do të bashkëpunojnë ngushtë në projekte madhore që do të jenë në dobi të qytetarëve por edhe komunitetit të madh shqiptar që jeton dhe që është integruar më së miri në Selanik.

Sipas kryebashkiakut Dako marrëveshja e binjakëzimit midis dy qyteteve e cila ka filluar të zbatohet është një marrëveshje e rëndësishme që i hap rrugën realizimit të shumë projekteve të përbashkëta në fushat e turizmit, kulturës, transportit, ekonomisë dhe biznesit midis dy qyteteve Durrësit e Selanikut. Në fund të takimit kryebashkiaku Dako i dhuroi homologut të Selanikut një pikturë me një nga simbolet e Durrësit si Bukuroshja e Durrësit ndërkohë që nga ana e tij kryebashkiaku Boutaris i dhuroi kryebashkiakut Dako një punim ku ishte gdhendur një nga simbolet e Selanikut.

Ndërsa në një ceremoni të veçantë në sallën e këshillit bashkiak, Dako i dorëzoi  kryebashkiakut të Selanikut Yiannis Boutaris titullin "Qytetar Nderi i Durrësit" me motivacionin: "Personalitet i mirënjohur i jetës politike dhe kulturore të një prej qyteteve më të lashta në Ballkan, Selanikut, që bashkë me Durrësin ishin prej dy mijë vjetësh porta përmbi dete, me ndihmesa të shquara për ngulitjen e ndjenjave të simpatisë dhe empatisë midis popujve, veprimtar e mendimtar evropian me gjurmë të shënjuara në kujtesën e popullit të Durrësit".Ndërsa në përshëndetjen e tij Boutaris u shpreh se do të punojë gjithnjë që emigrantët në Greqi të kenë të drejta të barabarta si të gjithë qytetarët e tjerë.

"Unë e dashuroj Shqipërinë dhe shqiptarët dhe vetë jam me origjinë nga Voskopoja. Që nga dita e parë që jam marrë me politikë kam patur gjithmonë si synim dhe kam punuar shumë për të siguruar të drejta të barabarta mes emigrantëve dhe qytetarëve vendas pasi të gjithë bashkë duhet të insistojmë që të gjithë njerëzit të kenë të drejta të barabarta", tha ai.Pas ceremonisë në këshillin bashkiak është zhvilluar një tjetër ceremoni në lagjen 17 të Durrësit ku një shesh në këtë zonë u emërtua me emrin Selanik në kuadër të marrëveshjes së binjakëzimit mes dy qyteteve.

Pak kohë më parë në Selanik është zhvilluar një ceremoni e veçantë me rastin e vendosjes së emrit "Durrësi-Shqipëria" të një parku në qytetin e Selanikut ku ka marrë pjesë edhe kryabashkiaku Dako. Në sheshin përballë stacionit të trenit në Selanik, u vendos pllaka me emrin "Durrësi-Shqipëria" dhe në krah të flamurit grek valëvitet edhe flamuri shqiptar, si simbol i marrëdhënieve të mira mes dy popujve. Po kështu pranë flamurit shqiptar është vendosur edhe flamuri i Bashkisë së Durrësit me simbolin e qytetit./ATSH/