Dakord si kuksianë!

Dakord si kuksianë!

Disa të vërteta po zënë vend vet rreth protestës së dhunshme në Kalimash. Fitorja e parë e protestës është që ka rënë në shtratin e vet si protestë e kuksianëve. Kushdo që ka gjykuar çmimin e rrugës për një kalim pesë euro, është e lartë për një qytetar të Kukësit që i duhet ta përdorë së paku një herë në muaj rrugën. Dhe si e tillë, ajo ka nevojë për ndërhyrjen e shtetit. Kjo padyshim që do ta rëndojë dhe më tej buxhetin e shtetit, por ai projekt është nisur qysh në fillim si një projekt kriminal, dhe tashmë për të dalë prej peshës së krimit të asaj rruge, duhet sakrificë.

Tarifa rrugore nuk duhet të ndryshojë, por kompania dhe qeveria duhet të prodhojnë një algoritëm që të ulë në mënyrë të ndjeshme, në një masë të përballueshme tarifën për qytetarët që përdorin rrugën më shpesh, sipas një dokumentimi rigoroz të fakteve në terren. Peshën e kësaj ndërhyrje sociale duhet ta përballojë qeveria, pra ne qytetarët e tjerë që kemi paguar dhe 1,3 miliardë eurot e Sali Berishës dhe Lulzim Bashës, dhe që nuk kemi protestuar. Kjo nga pikëpamja teknike zgjidhet duke krijuar korsinë digitale të verifikimit të pasagjerëve dhe duke i pajisur ata me një kartë speciale, që llogarit shpeshtësinë e kalimit të tyre.

Këtu debati financiar merr fund. Kuksianët do të diskriminohen për herë të dytë pozitivisht nga ky projekt. Herën e parë patën një diskriminim pozitiv kur një projekt i çmendur qeveritar harxhoi 1.3 milardë euro, për një rrugë që Shqipëria nuk ka fuqi ta bëjë as pas 20 vitesh. Kjo bëri që kuksianët nga tetë orë larg Tiranës, të arrinin në 1 orë 40 minuta, duke qenë qytetarë të favorizuar të Shqipërisë, në raport me pjesën tjetër të vendit dhe zonat turstike që nuk kanë ende rrugë.

Ende duhen pesë orë të shkosh në Sarandë, ende nuk ka mbaruar Kardhiqi dhe bay pass- i Fierit, ende janë rrugët e bregdetit në gjendje të mjerueshme, dhe ne ende duhet të paguajmë peshën e një krimi me qëllim vjedhjen, që tashmë duket sikur persekuton dhe kuksianët, që nuk kanë lekë të paguajnë tarifën. Por ky ishte fati i mirë i tyre. Tashmë që duhet të përballen me tarifën, ata nuk e përballojnë dot, ashtu si Shqipëria nuk përballon dot këtë projekt kriminal. Dhe normalisht duhet të paguajë prapë gjithë shoqëria, pasi në fund të fundit, ne heshtëm kur na vodhën 1,3 milardë euro, dhe duhet të paguajmë dhe për heshtjen tonë.

Kuksianët nuk thanë na bëni rrugë me katër korsi se do të vjedhë miliona Sali Berisha e Lulzim Basha. Vetë ua bëmë, vetë duhet t’ua paguajmë. Pjesa tjetër e protestuesve, sidomos ata nga Kosova, duhet të qëndrojnë larg protestës. I kuptoj mirë ata që bëjnë hartime patriotike, por qytetarët e Kosovës që vijnë në Shqipëri, thjesht duhet të paguajnë tarifën, e cila nuk ka lidhje me ta, por me hallet tona. Ky është mëmëdheu i tyre dhe ata duhet ta pranojnë siç është.

Dhe ky debat duhet të mbyllet. Ashtu si unë nuk kam të drejtë të protestoj për taksat e rrugës në Greqi, Maqedoni apo nesër në Kosovë, askush tjetër nuk duhet të përfshihet në protesta fiskale të një shteti tjetër, në emër të patriotizmit apo solidaritetit marksist.
Në emër të patriotizmit, Sali Berisha e bëri një varr që po na gëlltit të gjithë ekonominë brenda tij, dhe që e quajti “Rruga e Kombit”. Nuk ka nevojë të dëgjojmë hartime të tjera patriotike për këtë histori. I dimë të gjitha, po paguani rrugën! 

Nga ana tjetër, duhet thënë dhe e vërteta për mbështetjen politike të kësaj proteste, dhe atë të shoqerisë civile, e cila ka gjetur pa përgatitur dhe opozitën zyrtare. Protesta është politike dhe shumë mirë që është politike, edhe pse ngjan hipokrite. E vërteta është se organizatorët e protestës janë njerëz të Partisë Demokratike të Kukësit, të cilët kanë një distancë formale nga Lulzim Basha dhe deputetët e tij të Kukësit, por janë opozitarë. Ata e bënë protestën.

Flamur Noka biles tentoi të distancohej prej tyre në parlament, dhe vetëm kur pa që protesta dëshmoi forcë dhe dhunë, tentoi t’ua rrëmbejë flamurin e protestës. Pas tij dhe Luzlim Basha, LSI etj. Pra, ajo nisi mes të tjerash dhe si një problem brenda opozitës, që reflekton ndarjen e pjesës së korruptuar me pjesën e opozitarëve që nuk kanë përgjegjësi për vjedhjet e Berishës e Bashës.

Qeveria duhet t’i qëndrojë projektit të saj për mirëmbajtjen e autostradës, dhe pse është një barrë e rëndë për qytetarët shqiptarë, por njëkohësisht duhet të bëjë ç’është e mundur, që i gjithë ky proces të rigjykohet nga dita e parë që ka nisur. Shqipëria nuk do të gjejë kurrë qetësi, nëse një krim i pandëshkuar si “Rruga e Kombit”, kalon pa u ndëshkuar, dhe duke u maskuar tashmë me gjoja pakënaqësi sociale për çmimin. Vetëm një shoqëri primitive mund të sillet si shoqëria jonë, që kur të vjedhin 1.3 miliardë euro, je me qeverinë dhe drejtor nafte, dhe kur qeveria pasardhëse vë tarifë 5 euro për shkak të krimit tend, ti bën si shoqëri civile krah atyre që vënë zjarrin.

Drejtësia po ashtu nuk duhet të ndikohet nga protestat për dëmtuesit e pronës, pasi procesi ligjor është i ndarë nga emocionet politike. Ata që duan të jenë heronj të revolucionit, duhet të marrin përgjegjësi dhe për aktet e tyre, se ndryshe nuk ka kuptim të jenë dhe heronj.
Kurse kjo historia me shoqërinë civile dhe ndëshkimet ndaj tyre, është paksa banale.

Protagonizmi i tyre për t’i dalë zot protestës është jorealiste nga ana e tyre, pasi protesta realisht nuk është e tyre, por e atyre që përmenda më sipër. Unë nuk di të jetë në shoqëri civile Sali Lusha, Dem Dollapi, Hazgan Haklaj dhe dhjetra drejtues të PD në Kukës, që radikalizuan situatën. Shoqëria civile nuk ka pse merr përsipër atë që nuk e ka bërë dhe nuk ka pse penalizohet për shkak të dëshirës për t’u dukur sikur bën dhe ata një gjë të madhe.

Ata janë mirë që ekzistojnë si menaxherë protestash, por nuk janë udhëheqës të kësaj proteste dhe as dëmtues të pronës. Dëshira e tyre për të mbrojtur të dënuarit është protagonizëm politik i kuptueshëm, por jo vepër penale. Nëse nuk ka ndonjë plan për t’i faktorizuar politikisht, është mirë të mos merret njeri me ta, pasi nuk janë pjesë e kësaj historie.

Ky është një shpërthim i njerëzve të zemëruar të Kukësit, që me të drejtë u dhemb ajo tarifë e lartë, dhe duhet trajtuar si e tillë. Është përgjegjësi e qeverisë të merret me thelbin e problemit dhe jo të shpërndajë vëmendjen në faktorë anësorë, që janë qejflinj protestash, por jo zotër të saj. Problemi është kuksian dhe duhet zgjidhur si problem i tyre, dhe jo si hall i Luzlim Bashës, Sali Berishës, LSI etj, nga të cilët e kemi realisht këtë problem. Qoftë dhe për faktin se ata janë të lirë, ndërkohë që duhet të ishin në burg për këtë që kanë bërë.

//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Tragjedi në Brazil/ Shembet ura, 2 të vdekur dhe dhjetëra të tjerë të zhdukur

Tragjedi në Brazil/ Shembet ura, 2 të vdekur dhe dhjetëra të tjerë të zhdukur