Bordi i Transparencës ka ulur përsëri çmimin e naftës dhe të benzinës, ndërkohë ka lënë të pandryshuar çmimin e gazit. Prej pasdites së sotme nafta do të kushtoj 9 lekë më lirë, dhe do të blihet nga qytetarët me 219 lekë litri, ndërsa benzina do të shitet me 205 lekë litri nga 209 lekë që ishte çmimi deri këtë të premte. Nga ana tjetër do të vijoj të shitet me 115 lekë gazi për të gjithë drejtuesit e mjeteve, ndërsa qytetarët duhet ta blejnë më lirë për shkak se gazi për konsum familjar nuk është pjesë e akcizës.

Brenda çmimit të karburantit që paguajnë qytetarët, përveç taksave 12 lekë për çdo litër është marzhi i fitimit që kanë kompanitë e pakicës. Sipas Bordit ky nuk mund të konsiderohet fitim bruto nga kompanitë, pasi brenda këtij marzhi përfshihen shpenzimet operacionale të subjekteve, të tilla si paga apo sigurime të punonjësve që mund të kenë kompanitë e pakicës së karburanteve. Këto çmime të reja të naftës, benzinës dhe gazit do të jenë në fuqi deri në mbledhjen e ardhshme të bordit, për të cilën ende nuk është përcaktuar një datë.

Ulja e çmimit të karburantit vjen pas rënies edhe në tregjet e huaja, ku një fuçi nafte bruto kushton 100 dollarë, nga 117 dollar që ishte në fund të muajit të kaluar. Në kushtet e çmimeve të rritura, edhe shpenzimet e familjeve për karburantin prej këtij viti janë më të larta. Sipas të dhënave të INSTAT, në 2020, kur nafta ishte 155 lekë litri, më shumë se 10% e buxhetit të familjeve shkonte për shpenzime transporti, ndërsa me çmimet e reja edhe kostot për këtë produkte janë më të larta.

"Bordi i Transparencës i mbledhur në datë 8 Prill 2022 vendosi çmimet e reja të shitjes së karburanteve me pakicë dhe shumicë për tregun vendas. Këto çmime reflektojnë ndryshimet që janë shfaqur në tregjet ndërkombëtare.

Nisur sa më sipër, bazuar në metodologjinë e ndërtimit të çmimeve sipas nenit  21/5 të Aktit Normativ,  Bordi vendosi:

Miratimin e çmimit tavan të tregtimit me shumicë të produkteve për datën 08.04.2022 deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit, si më poshtë:

207 Lekë/litri për gazoilin;

193 Lekë/litri për benzinën;

103 Lekë/litri për gazit të lëngshëm të naftës.

Miratimin e çmimit tavan të tregtimit me pakicë të produkteve për datën 08.04.2022 deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit, si më poshtë:

219 Lekë/litri për gazoilin;

205 Lekë/litri për benzinën;

115 Lekë /litri për gazit të lëngshëm të naftës.*( çmimi i shitjes për gazin e lëngshëm të automjeteve do jetë çmimi i furnizimit në stacionet e furnizimit në pikat e karburanteve, ndërkohë që në pikat e tjera për konsumatorët familjarë dhe industrial çmimi nuk duhet të përfshijë akcizën).

Vendimi i Bordit hyn në fuqi  dhe do reflektohet në datë 08.04.2022, ora 18.00 p.m, deri në mbledhjen e ardhshme të bordit, me qëllim pasqyrimin në çmimin e shitjes me pakicë të këtyre nënprodukteve, të ndryshimeve të mundshme të çmimeve në tregjet ndërkombëtare.

Çdo operator i shitjes me shumicë dhe pakicë i nënprodukteve të naftës është i detyruar të zbatojë Vendimin e Bordit të Transparencës, në lidhje më çmimet e shitjes me shumicë dhe pakicë.

Organet ligjzbatuese do të kontrollojnë zbatimin e vendimeve të Bordit të Transparencës çdo ditë.

Në rast të shkeljeve të konstatuara nga operatorë të ndryshëm do të vendoset pezullim aktiviteti,heqje licence dhe sekuestrim", thuhet në njoftim.