Ekonomia po përballet me një periudhë pasigurie të shtuar. Rreziqet për rritje të çmimeve janë shtuar, e në anën tjetër edhe rreziqet për ngadalësim ekonomik janë edhe më shumë prezentë.
Sipas raportit të fundit të INSTAT në tetor inflacioni ishte 3.4%, aq sa ishte edhe në korrik, ndërsa në gusht e shtator pati një nivel më të ulët.
Enian Çela nga Departamenti i Politikës Monetare në Bankën e Shqipërisë në emisionin ‘Portofol’ në Report TV thekson se inflacioni edhe pse mbetet i kontrolluar, do të vijojë të rritet edhe në muajit në vijim.
“Kemi presione më të larta inflacioniste, krahasuar me vjet. Presionet vijnë si nga rritja ekonomike, ndërsa presionet e huaja për shkak të luftës po sjellin shtrenjtim të naftës, energjisë dhe produkteve të tjera”, tha Çela.
Megjithatë Banka e Shqipërisë vlerëson se deri më tani rritja e çmimit të karburantit nuk është transmetuar në të gjitha produktet si efekt zinxhir.
“Rritja e çmimit të naftës është diçka që përcillet në gjithë ekonominë, dhe përcillet në të gjithë elementet e tjerë. Por ende nuk kemi vënë re një përcjellje të fortë në produktet e tjera”, thekson Çela.
Mes këtyre pasigurive dhe inflacionit që po rritet, Banka e Shqipërisë prej muajsh vendos të mos ndryshojë politikën monetare, dhe ta lë në 2.5% normën bazë të interesit. Çela thotë se situata mund të ndryshojë nëse lufta tej zgjatet.
“Banka e Shqipërisë i merr vendimet në bazë të inflacionit, por 9 mujori është 2.9% në nivelin e politikës monetare. Arsyeja e dytë lidhet me rritjen e inflacionit nga komponent jo bazë. Në këtë situatë nëse këshilli Mbikëqyrës do të ndërhynte do të rritej norma bazë e interesit. Në qoftë se lufta zgjatet në kohë dhe presionet inflacioniste bëhen më të zgjatura, edhe ndërhyrja e Bankës së Shqipërisë do të ndryshojë”, thekson ai.









Komente
Komento