Kanë dalë në shitje biletat për ndeshjen e fundit që Kombëtarja Shqiptare do të luaj për kualifikueset e Kupës së Botës, atë përballë Anglisë më 16 nëntor në ‘Air Albania’.

FSHF ka bërë me dije se në ndeshjen me Anglinë, do të ndiqet e njëjta procedurë për biletat si në sfidën Shqipëri–Serbi.

Për bileta, fillimisht duhet të aplikosh përmes platformës ebileta.al, më pas do të jetë sistemi që do bëjë përzgjedhjen dhe më pas do vijohet me procesin e blerjeve.

Sipas FSHF-së ky vendim është marrë pas kërkesës së madhe nga tifozët shqiptarë për të siguruar një biletë në stadiumin “Air Albania” më 16 nëntor.

Njoftimi i plotë i FSHF:

Federata Shqiptare e Futbollit njofton të gjithë tifozët dhe publikun e interesuar se për ndeshjen Shqipëri – Angli do të ndiqet e njëjta procedurë për biletat si në sfidën Shqipëri – Serbi.

Ky vendim është marrë pas kërkesës së madhe dhe të jashtëzakonshme nga tifozët shqiptarë kudo për të siguruar një biletë në stadiumin “Air Albania” më 16 nëntor.

FSHF është e angazhuar për të garantuar një proces të drejtë, transparent dhe të barabartë për të gjithë tifozët, prandaj edhe për këtë ndeshje do të hapet procesi i aplikimit për rezervimin e biletave.

Të gjithë të interesuarit mund të aplikojnë përmes platformës ebileta.al, e menaxhuar nga kompania t-ticket, duke ndjekur të njëjtën procedurë si në blerjet e mëparshme online.

Si të aplikoni:

– Hyni në llogarinë tuaj në platformën ebileta.al në rast se keni një llogari ekzistuese ose në rast se nuk keni një të tillë, regjistrohuni paraprakisht për të vijuar më tej.

– Zgjidhni tribunën e dëshiruar në stadium.

– Plotësoni të dhënat personale në formularin përkatës.

* Lutemi të plotësoni saktë të dhënat sipas dokumentit tuaj të identifikimit, pasi hyrja në stadium do të bëhet me dokument identifikimi.
* Çdo tifoz i interesuar do të ketë mundësinë për të aplikuar vetëm për 4 bileta.

– Përfundoni me sukses aplikimin, për t’u bërë pjesë e procesit të përzgjedhjes përmes shortit.

– Pas aplikimit, do të merrni një e-mail konfirmimi automatik që vërteton përfundimin me sukses të procesit të aplikimit.
*Kujdes/ Ky email konfirmimi nuk nënkupton që keni siguruar biletat për ndeshjen.

Procesi i përzgjedhjes:

– Përmes shortit elektronik do të zhvillohet një përzgjedhje automatike dhe e rastësishme.

– Të përzgjedhurit nga shorti do të njoftohen nëpërmjet një e-mail, ku do të gjejnë një link unik nëpërmjet të cilit mund të kryhet pagesa online.

*Ju do të keni vetëm 24 orë kohë për të kryer blerjen e biletave. Pas 24 orësh linku do të skadoj dhe ju duhet të bëni edhe një herë prej fillimit procedurën e aplikimit, më pas duhet të prisni në rast se do të përzgjidheni automatikisht ose jo.

– Pas konfirmimit të pagesës, biletat elektronike do të dërgohen automatikisht në adresën e e-mailit tuaj.