Dallaveret e deputetit K.K.

Dallaveret e deputetit K.K.
Zyrtarisht jam me leje, por po ia vjedh ca minuta, se s’mban barku që të mos ju tregoj dallaveret e themeluesit të gazetës që drejtoj, deputetit Koço Kokëdhima. Do t'iu zbardh tabulate bisedash telefonike, biseda “tete-a-tete”, për të treguar dallaveret që bën ky deputet i ri i PS-së, që ia ka prishur gjumin letargjik opozitës dhe ëndrrat e pashallarëve disa “baballarëve” të pozitës dhe veglave të “agjit-propit” që përdorin.

Po ju tregoj dallaveren më të fundit. Datë 16 gusht 2014, ora 21.20. Po merresha me lajmin e atij perversit që kishte punuar në zyrën e deputetit K.K. në Sarandë, kur më vjen i ridërguar mesazhi: “Përshëndetje z. Kokëdhima. Jam I.P. nga Saranda. Nuk po kërkoj punë, por ndihmë. Babai im, V.P. u nis para një ore me një helikopter për në Spitalin Ushtarak pasi pësoi trombozë. Kërkoj ndihmën tuaj në këto momente të vështira. Në Tiranë nuk kemi njeri. Mami V. është nisur ndërkohë. Ju lutem ma ndihmoni babanë!” Nuk kisha arritur ta lexoja mesazhin, kur më merr dërguesi, deputeti K.K. “Urgjent fol me spitalin që të gjejmë mjekun dhe ta ndihmojmë këtë njeri. Më kalo numrin e mjekut me mesazh se flas unë me të”,-thotë ai nga shtëpia e tij në vendlindjen Qeparo, fshatin e vjetër buzë detit Jon.

Në atë orë të vonë, mendja më shkoi të marrë mikun tim, mjekun e Spitalit Ushtarak, Edmond Faber. Ai përgjigjet nga ana tjetër. Thotë se është në Velipojë me pushime, por se do të interesohet dhe do të më informojë. Më merr pas 5 minutash dhe më njofton se pacienti V.P. është sjellë te Spitali Ushtarak, meqë atje ka pistë helikopteri dhe është nisur te QSUT-ja, te reparti i neurologjisë. Atëherë informoj deputetin për çka më thotë kirurgu dhe i përcjell numrat e telefonit të neurologut të famshëm, Nestor Thereska dhe mjekes neurologe, Silvi Bono. Të nesërmen e pyes për rastin dhe deputeti K.K. më thotë se ka komunikuar dhe gjithçka ka shkuar mirë. E pyes edhe për atë perversin që ka punuar në zyrën e tij në Sarandë, por, pasi i fut një të sharë të rëndë, më thotë shkurt: “Të merremi me hallet e njerëzve!” 

Do thoni ju se deputeti K.K. është bërë zemërmirë se i ndodhi ajo hataja në Sarandë. Hap sërish celularin për të gjetur dallaveren tjetër. Sërish për spitalet. Një mesazh tjetër që më ka përcjellë deputeti K.K. më 21 korrik 2014, ora 16.19: “A.Xh. nga Fieri ju shqetëson. Jam shtruar në spitalin “Nënë Tereza” me sëmundje të keqe dhe rrezikohet të më pritet këmba. Kërkoj ndihmë. Përqafime, nga A.Xh.” Edhe këtë mesazh nuk kisha arritur ta lexoja të plotë, kur më merr deputeti K.K. Më thotë që të çoj dikë atje. Nuk e njihte personin, por meqë i pati dërguar mesazh, kërkoi ta ndihmonte. Të nesërmen më përcjell një mesazh tjetër që ka lidhje me pacientin A.Xh. “Përshëndetje z. Koço. Jam V.Ç. Më fal që po të shqetësoj. Tani jam te A. Kërkojmë një ilaç me emrin bortezomib. Mund të më ndihmoni ju lutem? Të fala V.”  Deputeti K.K. më urdhëron të pyes në farmaci për këtë ilaç. E gjejmë dikë që na dha një përgjigje, se nuk ka nga ky ilaç në Shqipëri dhe vjen vetëm prej SHBA-ve. Ndërsa një onkolog sqaron se pacienti është udhëzuar keq, pasi ilaçi në fjalë është thjesht një qetësues. Sërish para ca ditësh, me këtë pacient, ditë të diel, sepse ai kërkonte ndihmë nga mjekja, i kapur nga paniku. Dhe sërish deputeti K.K. me dallaveren e radhës.

Sa herë flas me të, ai rrudh ballin e gjerë dhe më thotë shprehjen standarde prej shumë muajsh që kur u bë deputet: “Populli kërkon punë, njerëzit nuk kanë bukë të hanë, duan zgjidhje”. Thotë se zgjidhja nuk është puna e shtetit, se s’ka vend, por të futen njerëzit në punë private, të nxiten sipërmarrjet. E takova edhe atë ditë, kur Policia e Shtetit nisi aksionin në Lazarat. Ia hap dorën gjithë gëzim, duke e uruar për guximin që pati mazhoranca që të futej pas shumë vitesh për të zhbërë një njollë turpi që na kishte identifikuar në të gjithë botën si vend narkotikësh. Deputeti K.K. më jep të drejtë për gëzimin tim dhe më thotë se ishte një vendim shumë i guximshëm, por…rrudh ballin dhe shton: “Duhet menduar se ku do të ushqehen ata njerëz”. E kishte fjalën për ata mëditës që kultivonin lëndën narkotike, projektet e zhvillimit për atë zonë, që kishte kuruar me kujdes prej vitesh vetëm lëndën narkotike dhe atë ekonomi të zezë që qenë oksigjen për ekonominë shqiptare të zhytur në krizë. Deputeti K.K. nuk shkel fare në redaksi, edhe pse e ka rrugës, ndërsa hipën në ashensor për në apartamentin e tij, ose një kat më poshtë te zyra e deputetit. “Ç’e ke këtë zyrë?!”, - i them një ditë, i habitur, kur më sqaron se gati 13 njerëz punojnë aty në kat të 7-të. 

“Mbledhim hallet e popullit, miku im, presim popullin, bëjmë politika afatgjata, projekte. Pa projekte të zhvillimit afatgjatë, ky vend është i falimentuar”, - përgjigjet ai. Dhe pastaj thotë me krenari se, edhe pse me kosto, sepse duhet t’i paguajë vetë, ka ngritur zyrë deputeti edhe në Himarë, edhe në Sarandë. Më sqaron edhe pse u vu në krye të projektit për rindërtimin arkitekturor të bregdetit, projekti RAB, siç njihet ndryshe, mbështetur edhe nga Ministria e Zhvillimit Urban, ALUIZNI dhe INUK-u. Tregon për ndërtimet që bëri në Fier dhe si dështoi atje. Sot shiten me atë vlerë që ishin gati 15 vite më parë. Ndërsa pallati “Abissnet”, ku jeton edhe vetë, nisi me po atë çmim si në Fier, por sot, shkon edhe 3000 euro një metër katror. Kështu edhe fshatrat e bukur të Bregut, duhen ribërë sipas arkitekturës që u takon; duhen ndalur ato bathorizimet, betonizimet që e zhvlerësojnë pronën dhe duhen rivitalizuar. Qoftë edhe me dhunën e ligjit, i kërcënon ai bashkëvendësit e tij në Qeparo, Himarë, Borsh, Dhërmi e kudo ku epidemia e betonit kërcënon bregdetin e virgjër. Nuk ka kursyer asgjë, edhe pse mund të rrinte këmbë për mbi këmbë në katin e tetë, duke shijuar koleksionin privat të artefakteve, pikturave, skulpturave, ikonave, veprave të shumta të artit. Merr makinën dhe zonjën, si në dimër si në verë, bashkë me Jolën, Laurën, Besin, Etlevën. Bën takime, u sqaron bashkëvendësve projektet se si ta kthejnë bregdetin në burim të ardhurash, jo vetëm për tre muajt e vitit në behar, por gjatë të gjithë kohës për këtë vend të zhytur në diell, histori dhe bukuri të pashoqe dhe shumicën e këtyre problemeve i botojmë edhe në  gazetë. Në Tiranë jam unë dhe bashkëpunëtorët e mi, duke pritur telefonatat e radhës për dallaveret e përditë-natshme të deputetit K.K. Deri sa të mbaroj lejen do të ketë bërë shumë të tjera dhe do t’ua përcjell, nëse doni.

Marrë nga "Shekulli online"

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Spahiu: Qeveria teknike e 2017 kishte 10 ministra nga PD por humbi 10 herë më thellë

Spahiu: Qeveria teknike e 2017 kishte 10 ministra nga PD por humbi 10 herë më thellë