TIRANË- Ish-ministri i Infrastrukturës dhe Energjetikës, Damian Gjiknuri u pyet për 6 orë e gjysmë në SPAK këtë të premte. Ende nuk ka një qëndrim zyrtar mbi arsyet, por burime për Report Tv thonë se Gjiknuri u pyet nga prokurorja Enkeleda Millonai si person që ka dijeni për rrethanat e hetimit për inceneratorët, çështje ku është përfshirë ish zv/kryeministri Arben Ahmetaj.

Në një komunikim të shkurtër për mediat në dalje të SPAK, GJiknuri nuk dha detaje mbi çfarë foli duke thënë se është sekret hetimor.

“Është gjëja më normale të vish të japësh shpjegime për ushtrimin e detyrës. Është sekret hetimor”- tha Gjiknuri.

Pyetje: Për Mc Gonigal apo inceneratorët?

Gjiknuri: Mund të jenë edhe çështje të tjera...

Më 22 shkurt 2022 në komisionin hetimor për inceneratorët Gjiknuri pranoi se njihte 2 pronarët e inceneratorëve Mirel Mërtirin dhe Klodian Zoton, por se me këtë të fundit tha se është takuar disa herë për shkak të punës. Ndërkohë PD e ka kundërshtuar duke thënë se lidhjet e Gjiknurit me Mërtirin e Zoton janë më shumë.

Ndërsa dokumentet e Prokurorisë së Posaçme mbi hetimin ndaj ish-Zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj, zbuluan se ish-Ministri i Energjisë, aktualisht deputet i PS-së, përfitoi, në dy raste, pagesa hotelesh nga biznesmeni Klodian Zoto. Në dosje rezulton se dhe ish ministri Damian Gjiknuri ka qenë në një hotel me Arben Ahmetaj në Frankfurt të Gjermanisë për të cilin janë paguar 1052 euro, por vetë Gjiknuri ka mohuar më herët të ketë përfituar pagesa hotelesh nga Zoto.

Kjo është hera e dytë që paraqitet në SPAK. Herën e parë ishte në cilësinë e kallëzuesit sot si person që ka dijeni për rrethanat e hetimit.