Inceneratorët, Gjiknuri: ERE s'ka vendos çmim për energjinë e inceneratorit të Elbasanit! Mangësi që duhet rregulluar! Alqi Bllako: Kam dëshmuar në SPAK, s'shkel sekretin hetimor

Në Komisionin Hetimor për Inceneratorët, Ish-ministri i Energjisë dhe Infrastrukturës, Damian Gjiknuri hodhi kritika në drejtim të Entit Rregullator të Energjisë se duhet të kishte përcaktuar çmimin me të cilin do të hidhej në treg energjia elektrike, e prodhuar nga inceneratori i Elbasanit.

"Këshilli i Ministrave dhe Ministritë nuk janë kompjuter me inteligjencë artificiale dhe nuk duhet të ketë argumente e diskutime, apo letërkëmbime.  Në kontratë janë reflektuar detyrimi i Entit Rregullator të Energjisë që të nxjerrë çmimin bazuar në këtë kontratë. Nuk ka qenë në gjendje për shkak të kapaciteti të impiantit, meqenëse është mbi 2 mega, ky impiant nuk mund të kishte një tarifë. Kjo në fakt është problem që duhet zgjidhur, është mangësi e ardhur si pasojë e mosmarrjes së vendimit nga Enti Rregullator i Energjisë. Mesa di kompania ka hedhur në gjyq ERE dhe ka fituar në shkallë të parë dhe nëse do ketë vendim të formës së prerë Enti Rregullator do të jetë i detyruar të përcaktojë një çmim. Energjia është prodhuar është hedhur në rrjet, natyrshëm që kjo është gjëja që duhet të bëhet, miratimi i çmimit nga Enti Rregullator që efekti ekonomik të bëhet i mundur", tha Gjiknuri.

3 orë përballë deputetëve, Gjiknuri pranoi se njihte 2 pronarët e inceneratorëve Mirel Mërtirin dhe Klodian Zoton, ndërsa me këtë të fundit tha se është takuar disa herë për shkak të punës. Ai u ndal të sqaronte se këto njohje nuk janë shoqërore, por vetëm për shkak të punësn, ndërsa për Stela Gugalljën, Gjiknuri tha se nuk e njeh.

"Gugalljen nuk e njoh, Mërtirin e njoh si fytyrë, z.Zoto e kam takuar disa herë në cilësojnë e ministrit kur kam vajtur për të vizituar Inceneratorin e Elbasanit, njëherë në zyrë dhe kam punuar me të në Ministrinë e Mbrojtjes. Këto janë njohje që nuk kanë të bëjnë me lidhje shoqërore apo të afërta. Unë kam 20 vite punë në shërbim shtetëror e privat dhe jeta më ka bërë të njoh shumë biznesmenë", tha Gjknuri.

Megjithatë PD kundërshtoi këtë deklaratë të Gjiknurit, duke e quajtur të pavërtetë. Kryetarja e këtij Komisioni Hetimor, Jorida Tabaku tha se Gazmeent Bardhi i kishte thënë se në parlament, Gjiknuri kishte deklaruar se Zoton e ka patur shok klase.

E menjëhershme ishte përgjigjja e Gjiknurit, i cili tha se 'shok klase kam patur edhe Lulzim Bashën'.

Demokratët vijuan me akuzat në komision, ku sipas të cilëve Gjiknuri ka lidhje të shumëfishta me pronarët e inceneratorëve dhe se dha leje minerare në Përvallë për shoqërinë me aksionerë Stela Gugalljan, Mirel Mërtirin e Klodian Zoton, por për këtë tender ish ministri tha se është zhvilluar me garë.

Pas Gjiknurit, për të dëshmuar në Komision u paraqit Alqi Bllako, si ish Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit. Megjithatë dalja e Bllakos para komisionit Hetimor zgjati shumë pak minuta, kjo për shkak se ai refuzoi të jepte deklarime, ndërsa tha se kishte dëshmuar për këtë çështje në SPAK dhe se nuk mund të shkelte sekretin hetimor. Kujtojmë se Alqi Bllako është një nga tre personat e kallëzuar nga SPAK për aferën e inceneratorëve në akuzën e "shpërdorimit të detyrës" si edhe "shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera".

Më herët gjatë ditës së sotme, në Komisionin Hetimor dhanë dëshmitë e tyre kreu i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj dhe Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, Ëngjëll Agaçi. Ndërkohë ditën e nesërme do të merret në pyetje kryeministri Edi Rama, teksa mbledhja e Komisionit Hetimor pritet të nisë në orën 12:00.

Dëshmia e Ëngjëll Agaçit dhe Damian Gjiknurit

 

Dëshmia e Alqi Bllakos

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:51
Komisioni Hetimor për Inceneratorët, Alqi Bllako: Kam dëshmuar për 5 orë në SPAK! Çdo gjë që kam deklaruar përbën sekret hetimor, nuk dëshmoj dot këtu

Alqi Bllaku është thirrur sot për të dëshmuar në Komisionin hetimor për inceneratorët, si ish Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit. Ai deklaroi se duke qenë se ka dhënë deklarimet e tij në SPAK, nuk mund të dëshmojë në Komision pasi do të shkelte sekretin hetimor.

"Kam dhënë një dëshmi të plotë shteruese për 5 orë në SPAK. Duke qenë se gjatë dëshmisë, në përfundim, jam bërë me dije se ço gjë kam deklaruar përbën sekret hetimor dhe nuk jam lejuar të marr një fotokopje të procesverbalit. Në sajë dhe të praktikës të vendosur nga ky komision, jam në kushtet e pamundshmërisë për të dëshmuar për çka di në lidhje me këto procedura, pasi çdo gjë që di e kam dëshmuar në SPAK. Jam gati të nënshkruaj edhe deklaratën përkatëse, por do ju lutesha të bëja disa sqarime, në lidhje me disa të pavërteta që kanë përbaltur emrin tim", tha ai.

Ora 21:37
'E ke pasur shok klase', mashtrimi i Gazment Bardhit në videon e publikuar nga PD

 

Gazmend Bardhi ka publikuar një video në llogarinë e tij të Facebook që është shpërndarë si mesazh në mediat pranë PD-së duke akuzuar Damian Gjiknurin se ky i fundit është shprehur që se ka pasur shok klase Mirel Mërtirin. Në videon e publikuar nga Gazmend Bardhi, e cila është e pasqyruar edhe në faqen e Kuvendit gjatë një seance plenare, dëgjohet që z. Gjiknuri është shprehur: atë e kam pasur në shkollë, teksa replikonte me Bardhin që i drejtohej për njohjen me Mirel Mërtirin. Ndërkohë Bardhi në videon monatzh të publikuar thotë se Gjiknuri është shprehur që e ka pasur shok klase Mërtirin./Lexo.al/

Ora 20:42
Gjiknuri ironi në Komisionin Hetimor për Inceneratorët: I keni ndarë pyetjet në lëvizja brava dhe anti-brava! Tabaku: Arroganca nuk ndihmon

Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Damian Gjiknuri po jep dëshminë e tij në Komisionin Hetimor për Inceneratorët, ku nuk ka lënë pas as ironinë. Pasi dëgjoi pyetjen e Luan Boçit, mbështetës i Berishës, Gjiknuri tha se ata i kanë ndarë pyetjet në lëvizja brava dhe anti-brava. Jorida Tabaku iu përgjigje menjëherë, duke i kërkuar të lërë ironinë.

Debati:

Gjiknuri: Po më duket se i keni ndarë pyetjet në lëvizja brava dhe anti-brava, i keni ndarë me fraksione

Tabaku: Kjo arrogancë dhe kapardisje nuk ndihmon fare. Ne po flasim për 100 mln euro dhe kjo është arrogancë e panevojshme

Gjiknuri: E qeshura nuk është arrogancë, të zbut të qeshurën pas një gjendje

Tabaku: Ju lutem qëndroni seriozitetit të Komisionit

Ora 20:32
'I ke dhënë Albtek Energy leje minerare në Bradashesh për 25 vite', Gjiknuri i përgjigjet Tabakut: Lejet minerare nuk jepet pa garë

kryetarja e Komisionit hetimor për Inceneratorët, Jorida Tabaku ka akuzuar Damian Gjiknurin se në kohën kur ka qenë Ministër i Energjisë i ka dhënë shoqërisë Albtek Energy, shoqërisë së Inceneratorit të Elbasanit në pronësi të Stela Gugallja, një leje minerare në Bradashesh me kohëzgjatje mbi 25 vite.

Gjiknuri u përgjigj duke thënë se lejet minerare nuk jepen pa garë.

"Ju përmendët leje minerare, por duhet të informoheni se nuk jepet pa garë leja minerare. Ata që të këshillojnë në distancë të të informojnë mirë. E kuptoj se surprizë është se kapesh dhe gafil. Lejet minerare jepen me gara konkurruese. Unë kam dhënë me qindra leje minerare, ky grup biznesmenësh është në Shqipëri", tha ai.

 

Ora 19:34
Gjiknuri i kthehet opozitës: Çmenduri juridike, nuk e di se kush ju këshillon, por me mua po bëni autogol

Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Damian Gjiknuri i është përgjigjur opozitës në Komisionin Hetimor për Inceneratorët, ku sqaroi se përse është dhënë për 25 vjet kontrata koncesionare  Inceneratorit të Elbasanit për shitjen e energjisë. Gjiknuri i tha opozitës se interpretimi i tyre është 'çmenduri juridike' dhe se përpjekjet e tyre për të përfshirë emrin e tij në ndonjë aferë është 'autogol'.

Gjiknuri: Pse ne e paskemi dhënë për 25 vjet. Impiantet fotovoltaike e kanë 40 vite. Kjo është e drejta e shfrytëzimit. Është njësoj siç lëshohet një leje mjedisore, siç targohet një makinë që ka të drejtën për t'i mbajtur ato targa 10 vite. Si mund të mendosh që një impiant që e merr dikush në shfrytëzim dhe po nuk pati të drejtën e shfrytëzimit të sigurojë të ardhur. Çmenduri juridike, nuk e di kush ju këshillon nëse keni dashur të lidhni emrin tim me këtë autorizim, keni bërë një atuogol të madh.

Helidon Bushati: Qartësoni, ati që ju thatë te kohëzgjatja e fotovoltaikëve apo hidrikëve, cili është ndryshimi. Ndryshimi mes atyre dhe këtij rasti është se ky rast është ndërtuar me paratë e taksapaguesve shqiptar, mbështetje e pastër nga buxheti i shtetit. Nuk duhej të ishte koncesion i dhënë pa garë për një subjekt. Ky rast është ai i një investimi publik, ku i ashtuquajturi investitor që është zbatuesi i punimeve, po merr atë që është bërë me paratë e shtetit pa hedhur asnjë lek, i keni dhënë të drejtën ta shfrytëzojë për 25 vite.

Gjiknuri: Nuk e di ku qëndron problemi kur gjërat janë të saktësuara në ligj e kontratë. Detyrimi i Ministrit për dhënie autorizimi është përcaktuar në ligj. Pyetja shtrohet a përbën kjo risk për arbitrazh? A thua se ky komision është ngrit për këtë. Lexo kontratën aty materializohen të drejtat e palëve. Ju duhej të merrnit të pyesnit ekspertë të bënit një interpretim të kontratës. Detyrimi i Ministrisë së Energjisë për dhënie autorizimi, vjen nga parashikimi në kontratë. Kjo kontratë është bërë në 2014.  Ky 25-vjeçari është gallatë e madhe. Është lëshuar 25 vjet sepse në atë kohë u mendua që një teknologji që po përdoret për herë të parë në Shqipëri, i jepet një jetëgjatësi 25 vite impiantit që pas 25 vitesh ky ka detyrimin të bëjë një aplikim të ri. Kjo sepse objektet me kalimi e kohës amortizohen dhe ulet eficienca energjetike, bien parametra e prodhimit.

Ora 18:44
Gjiknuri sqaron rolin Ministrisë së Energjisë në procedurën e koncesionit të inceneratorëve: Ramë dakord për iniciativën pasi shtohej një burim tjetër energjie

Damian Gjiknuri, në cilësinë  e ish-ministrit të Energjisë ka sqaruar në Komisionin Hetimor për Inceneratorët rolin e kësaj ministrie në procedurën e koncesionit të inceneratorëve. Gjiknuri shprehet se Ministria e Energjisë hyri në proces për shkak se iniciativa kishte të bënte edhe me prodhimin e energjisë elektrike, dhe nisur nga kjo dhanë edhe dakordësinë parimisht.

"Ministria e Energjetikës ka hyrë në këtë proces për shkak të një situata incidentale si rezultat i një produkti që kishte kjo kontratë koncensionare, për shkak të rolit që ka ministria për menaxhimin e mbetjeve në Republikën e Shqipërisë. Ministria e Energjetikës hyri se për shkak të propozimit që kishte ardhur nga Ministria e Mjedisit me investitorët në fjalë që u bënë koncensionarë ishte parashikuar që një produkt derivat final është edhe rikuperimi dhe çlirimi i energjisë. Në momentin që ka vlerë ekonomike dhe do futet edhe prodhimi i energjisë, u pyet Ministria e Energjetikës. Ministria e Energjetikës ka dhënë këtë përgjigje: Shprehemi dakord duke sqaruar se përzgjedhja e procedurës së koncesionit është e drejta e autoritetit kontraktor pas vlerësimit të përmbushjes së kushteve ligjore të kërkuara. Unë si ministri, kur mora dijeni që ka një iniciativë të tillë dhashë ok në parim se më pëlqente faktit që Shqipërisë do i shtohej dhe një burim i ri i prodhimit të Energjisë Elektrike", tha Gjiknuri.

 

/KT/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

‘Darka e të marrëve’, komedia e famshme shfaqet në Lezhë

‘Darka e të marrëve’, komedia e famshme shfaqet në Lezhë