TIRANE - Kryetari i Kuvendit Ilir Meta priti sot Drejtorin e Përgjithshëm për Zgjerimin në Komisionin Evropian Christian Danielsson, i cili vlerësoi si mjaft pozitiv hapin që ndërmorën palët politike për gjithëpërfshirjen në arritjen e marrëveshjes së dhjetorit.
 
Meta dhe Danielsson biseduan mbi progresin e Shqipërisë në përmbushjen e 5 prioriteteve të BE dhe mbi ecurinë e reformave të ndërmarra nga qeveria.

Kreu i Kuvendit shprehu vlerësimin për punën dhe përkushtimin e Komisionit Evropian ndaj axhendës evropiane të Shqipërisë dhe vuri në dukje se Kuvendi do vazhdojë t’a intensifikojë zbatimin e planit të veprimit dhe rolit të tij mbikëqyrës përmes transparencës, gjithëpërfshirjes dhe fokusimit tek standartet që duhen arritur. 

Drejtori i Përgjithshëm për Zgjerimin në Komisionin Evropian Christian Danielsson e përgëzoi Metën për marrëveshjen e dhjetorit që siguroi ripërfshrijen e opozitës në jetën parlamentare shqiptare duke theksuar se Komisioni Evropian është miku më i mirë i Shqipërisë përgjatë procesit të integrimit dhe se marrëdhëniet e ngushta me Kuvendin do intensifikohen më tej në funksion të përmbushjes së prioriteteve. 

Kryetari i Kuvendit Meta nënvizoi në përfundim se axhenda e reformave të nisura dhe përmirësimi i standarteve të qeverisjes do vijnë duke u forcuar, dhe në këtë drejtim Shqipëria e vlerëson mbështetjen substanciale dhe të vazhdueshme të të gjitha strukturave të Bashkimit Evropian.

Redaksia online
(F.M/Shqiptarja.com)