TIRANE- Tavolina zyrtare që do të ngrihet me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë ndan qeverinë nga opozita. Kryetari i Partisë Socialiste deklaron se qeveria po shkel hapur protokollin e Shtetit për festimet e 100 vjetorit të Pavarësisë. Madje ai e quan “të pakuptimtë” darkën që sipas Ministrit të Kulturës Aldo Bumçi do të zhvillohet mbrëmjen e 27 Nëntorit. Në reagimin e tij në Tëitter zoti Rama thotë se një ditë e tillë historike po mbërthehet nga një mediokritet absolute.

“Shkurt, një ditë e madhe historike në një kohë të zymtë për shtetin, politikën, historinë, kulturën, të mbërthyera prej mediokritetit absolute. Një darkë zyrtare e pakuptimtë në datën 27 në Vlorë, ku shkelet hapur Protokolli i Shtetit dhe një ngutje e pajustifikueshme drejt Tiranës”- shkruan Rama në profilin e tij në Twitter.

Rama krahason aktivitetet që pritet të zhvillohen nga qeveria si ato të kohës së komunizmit. “Simpoziume e mbledhje jubilare si ato të kohës së vjeter ku koha e re sjell veç arbitraritet mbi historinë e propagande bajate politike...”

Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Aldo Bumçi, në konferencën për shtyp dje duke bërë publike kalendarin e aktiviteteve të 100-vjetorit të Pavarësisë tha se krerët më të lartë të shtetit do të zbarkojnë në Vlorë qysh më 27 nëntor, ku do të shtrohet dhe një darkë. Ai u tregua shumë i kujdesshëm që kësaj darke të mos i vinte “etiketën” zyrtare. “Në qytetin e Vlorës do të jenë më 27 nëntor disa personalitete të cilët do të ndjekin aktivitetet që janë parashikuar të zhvillohen atë ditë, si finalet e Kupës në futboll “100 vjet Pavarësi” dhe një koncert festiv. Për këta personalitete do të shtrohet edhe një darkë, por hapja zyrtare e ceremonisë së kremtimit të 100-vjetorit të Pavarësisë, homazhet në Monumentin e Pavarësisë dhe vendosja e kurorave mbi varrin e Ismail Qemalit do të bëhen më 28 Nëntor”- theksoi dje ministri Bumçi.
rama ne twitter per 28 nentorin

Kështu festimet sipas qeverisë do të zhvillohen në dy data 27 dhe 28 Nëntor, ndërsa ajo e opozitës vetëm në një 28 Nëntor.
Nga ana e tij kryetari i bashkisë së Vlorës Shpëtim Gjika dekaroi në mbledhjen e grupit PS, javën e kaluar se po shkelet protokolli shtetëror me drekën zyrtare.

“E siguroj ministrin Bumçi dhe Kryeministrin e qeverisë shqiptare, që janë duke bërë presion që kjo të bëhet darkë zyrtare në datën 27, ta harrojnë! Kush vjen në datën 27 nga qeveria, le të marrë bukë me vete. Cilido shqiptar tjetër që do të vijë në datën 27, vlonjatët do t’u hapin derën dhe zemrën, ndërsa dreka zyrtare do të jetë në datën 28 dhe të gjitha ceremonitë do të jenë në datën 28”-pat deklaruar Gjika.

Ministri i Kulturës Aldo Bumçi deklaroi dje se të pranishëm në koncertin festiv që do të zhvillohet më 27 nëntor në orën 18.30 në Vlorë, siç parashikon protokolli, do të jenë Presidenti i Republikës, Bujar Nishani; Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli; Kryeministri, Sali Berisha; pjesëtarë të Trupit Diplomatik në Tiranë, si dhe kryetari i Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika.
(sg/shqiptarja.com)