DASH dënon sulmin në Veri të Kosovës: Nuk mund të barazohet vrasja e policit me atë të sulmuesve serbë! Autorët të dalin para drejtësisë

DASH dënon sulmin në Veri të Kosovës: Nuk mund të barazohet vrasja e policit me atë të sulmuesve serbë! Autorët të dalin para drejtësisë

Kongresi i SHBA

Pas situatës së tensionuar në veri të Kosovës ka ardhur një reagim i ashpër nga DASH, në të cilin thuhet se vrasja e policit të Kosovës, Afrim Bunjaku nuk mund të barazohet me sulmuesit serbë ‘që ishin të përfshirë në vrasjen’ e tij. Ky qëndrim i DASH vjen pak orë pas deklaratës së kryeministrit Edi Rama që kërkoi që partnerët aleatë të Kosovës dhe Shqipërisë të dënojnë shpalljes e zisë nga qeveria e Serbisë për tre sulmuesit serbë.

Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Matheë Miller tha për REL se SHBA e dënon fuqishëm sulmin e dhunshëm ndaj policisë së Kosovës dhe kërkon që autorët të dalin para drejtësisë. 

“Ne kemi qenë shumë të qartë: SHBA-ja dënon fuqishëm sulmet e koordinuara dhe të dhunshme ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator dhe ne shprehim ngushëllime për familjen e rreshterit të Policisë së Kosovës i cili u vra gjatë detyrës. Ne kundërshtojmë përpjekjet për të barazuar vdekjen tragjike të rreshterit të Policisë së Kosovës [Afrim] Bunjaku me vdekjen e individëve që ishin të përfshirë në vrasjen e një polici. Përgjegjësit duhet të dalin para drejtësisë përmes një procesi hetimor transparent. Ky hetim është duke u zhvilluar”, tha Miller.

Më herët edhe Bashkimi Europian dënoi shpalljen e ditës së zisë për sulmuesit e vrarë në veri të Kosovës më 24 shtator. Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, tha për gazetarët se “nuk mund të barazohen viktimat e terrorizmit me terroristët”.

“Kemi parë se Serbia dje ka shpallur ditë zie. Të hënën zyra e BE-së në Prishtinë vendosi flamurin në gjysmështizë për të nderuar policin e vrarë dhe policët e plagosur, viktima të sulmit qyqar terrorist të dielën. Qëndrimi ynë është i qartë dhe ai është shprehur nga përfaqësuesi i lartë [Josep Borrell] më 24 shtator. Për më tepër, sulmuesit kurrë nuk mund të barazohen me viktimat. Prandaj, delegacioni i BE-së në Serbi nuk e ka vendosur flamurin në gjysmështizë. Në përgjithësi, BE-ja është fundamentalisht kundër madhërimit të kriminelëve dhe terroristëve dhe kundër mbajtjes së zisë për ta”, tha Stano.

Ndërsa më vonë EULEX hodhi poshtë pretendimet e zyrtarëve serbë se nuk është lejuar që të marrë pjesë në operacionin policor më 24 shtator në Banjskë, pasi u sulmua Policia e Kosovës.

Më 24 shtator, policia e Kosovës u sulmua në Banjskë të Zveçanit, teksa po kryente një operacion për heqjen e një barrikade të vendosur në rrugë. Si pasojë e sulmit mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku dhe u plagosën disa policë të tjerë. Sulmuesit e dyshuar që sipas autoriteteve në Kosovë ishin rreth 30 – u strehuan në manastirin e Banjskës dhe prej aty vazhduan përleshjet me Policinë.

Tre sulmues të dyshuar mbetën të vrarë gjatë shkëmbimit të zjarrit, ndërkaq katër persona janë arrestuar për këtë sulm, që Kosova e konsideron terrorist dhe për të e fajëson Serbinë. Beogradi ka mohuar se ka gisht në këtë ngjarje. Më 27 shtator në Serbi u shpall ditë zie për tre serbët e vrarë në Banjskë. 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:24
Parlamenti Europian do të debatojë të martën për sulmin në veri të Kosovës

1695925709_22222.jpg

Parlamenti Europian në seancën plenare të ardhshme më 3 tetor 2023, do të diskutojë në lidhje me sulmin terrorist mbi Policinë e Kosovës nga një grup i armatosur serb, në fshatin Banjskë të Zveçanit më 24 shtator 2023, ku mbeti i vdekur polici Afrim Bunjaku.

Ky vendim është bërë i ditur përmes një njoftimi zyrtar në faqen e Parlamentit Europian.

"Kuvendi do të debatojë për zhvillimet e fundit në Kosovë 

Pas përleshjeve të fundit vdekjeprurëse në veri të Kosovës, eurodeputetët do të diskutojnë të martën për marrëdhëniet midis Beogradit dhe Prishtinës me Komisionin dhe Këshillin. Këtë javë, Përfaqësuesja e Lartë dënoi në termat më të ashpër sulmin e një bande të armatosur kundër policëve të Policisë së Kosovës në veri të Kosovës më 24 shtator, i cili la të vdekur një polic dhe tre sulmues të grupit serb. Në dy raporte të miratuara në maj 2023, eurodeputetët i kërkuan Serbisë dhe Kosovës të angazhohen në dialogun e lehtësuar nga BE -ja dhe të sigurojnë pa vonesë një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyjave bazuar në parimin e njohjes reciproke. Serbia është një vend kandidat për në BE që nga viti 2012 dhe negociatat për anëtarësim kanë filluar në vitin 2014. Kosova zyrtarisht ka aplikuar për anëtarësim në BE në dhjetor 2022.

Procedura: Deklaratat e Këshillit dhe Komisionit, pa rezolutë

Debati: E martë, 3 tetor”-thuhet në njoftim.

Ora 19:53
Beogradi tha se Kosova nuk i lejoi të marrin pjesë në operacionin në Veri, EULEX-i përgënjeshtron Serbinë: Nuk jemi ndaluar

Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX) hodhi poshtë pretendimet e zyrtarëve serbë se nuk është lejuar që të marrë pjesë në operacionin policor më 24 shtator në Banjskë, pasi u sulmua Policia e Kosovës.

“EULEX-i në asnjë mënyrë nuk është ndaluar që të marrë pjesë apo të vëzhgojë operacionet që janë kryer nga Policia e Kosovës më 24 shtator”, thanë për REL nga ky mision i bllokut evropian.

B.K/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë