Zëdhënësja e Departamentit Amerikan të Shtetit, Jen Psaki
PRISHTINË, 11 Shkurt /ATSH/.- Departamenti i Shtetit përshëndeti kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë, si dhe përfaqësuesen e lartë të Bashkimit Evropian, për atë që e quajti sukses të takimeve në kuadrin e dialogut të nivelit të lartë më 9 dhe 10 shkurt në Bruksel.
Takimet mes kryeministrave Isa Mustafa dhe Aleksandër Vuçiç, me pjesëmarrjen e shefes së politikës së jashtëme të BE-së Federica Mogherini, çuan në nënshkrimin e marrëveshjes për çështjet e drejtësisë.
Zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Jen Psaki tha se kjo marrëveshje shënon një hap përpara në procesin e normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë, njoftoi mbrëmë Zëri i Amerikës.
Psaki u shpreh se arrtija e marrëveshjes sinjalizon gjithashtu angazhimin e vazhdueshëm dhe të fortë të të dyja palëve për zbatimin e plotë të marrëveshjes së arritur në Bruksel në prill të vitit 2013 mes Prishtinës dhe Beogradit.
Shtetet e Bashkuara, tha Psaki, do të vazhdojnë të mbështesin fuqimisht të gjitha palët në këtë përpjekje./k.s/











