TIRANE -Kreu i LZHK, Dashamir Shehi bën të ditur se do të hyjë në koalicion me të djathtët. Ai është kundër LSI në koalicionin qeveritar, për arsye se kjo parti është e majtë. Shehi tha se Aleanca Kuq e Zi ka kopjuar programin e tyre politik në shumë aspekte. Në një intervistë për UTV, kreu i LZHK komenton raportin me Sali Berishën, Bamir Topin si tregon 3 kushtet që ka në programin e partisë.
 
21 janari?

Kjo është non sens, kur thuhet se Prokuroria kërkon të dënohen me 25 vjet, gjykata e fal. Të mos i paragjykojmë si proces, pasi ende nuk ka përfunduar procesi.

Si e shikoni LSI në koalicionin e djathtë?

Unë nuk jam i kënaqur me LSI. Unë jam nga e djathta. Mua më duket pak e parregullt që e djathta është në aleancë me një parti të majtë. Normalja do ishte që partitë e majta të ishin nga krahu i majtë dhe të djathtat nga e djathta.

Po atëherë dhe Topi duhet të jetë në koalicion me Berishën?


Unë kam 16 vjet që bëj zotin Topi në PD.

Ju keni kontradikta me Berishën si për 21 janarin apo dhe për LSI. Ju po e bëni kompromisin me PD për të qenë në listën për deputet?

Kjo është një nga të vërtetat. Unë e gjykoj sesi ka ardhur situata në Shqipëri, ne duhet të marrim një vendim, të shkojmë në një pozicion të caktuar. Ato që thoni ju qëndrojnë. Kam shpresë se brenda së djathtës do të ketë emancipim. Unë zërin tim kritik do vazhdoj ta mbaj. Këtu ka 8 vjet që qeveris kjo qeveri dhe unë s`kam pasur asgjë post.

Flitet që ky ndryshim i kursit tuaj vjen pas emërimit të bashkëshortes suaj në një post në institucion në pushtet?

Im shoqe ka qenë 5 vite në atë institucion si nënkryetare. Im shoqe ka bërë 3 universitete, ka më shumë shkollë sesa unë, dhe nga kjo pikëpamja nëse Shqipëria ka 5 gra të shkolluara, im shoqe është një prej tyre.

Ndryshimi i kursit tuaj?

Ndryshimi i kursit tim është bërë që nga zgjedhjet në Tiranë. Unë takova dhe Ramën.
 
A keni pasur marrëveshje apo diskutime me Ramën?

Unë nuk shkoj te askujt. Dëshira ime ka qenë të garoj për kryetar bashkie, as Rama dhe as Berisha nuk kanë dashur. Brenda se djathtës ka ende forcë dhe energji rinovuese, të cilat mund të bëjë që mund ta marrin mandatin tjetër. Unë gjykoj se do vazhdojë të japë kontributin në të djathtë. Të tjerët ta japin në krahun tjetër.

Zoti Aleksandër Meksi është pranë LZHK apo pranë Bamir Topit?

Nuk e di. Kur të vijë koha do të themi. Po qenka më afër me Topin le të shkojë me Topin. Pse do merrem me fjalët unë. Meksi nuk ka qenë ndonjëherë anëtar partie me test në LZHK. Ne si LZHK nuk kemi pasur ndonjëherë test.

Ka disa njerëz tuaj që janë punësuar në pushtet...?

Jo, se po të ishte ashtu do kishim marrë dhe në ndonjë post. Unë po të them që nuk ka asnjë të punësuar. Siç ka të majtë në punë shteti, do ketë 2- 3 vetë edhe nga LZHK.

Pa ndërhyrjen tuaj?

Edhe me ndërhyrjen time. Çfarë janë ata, ku punojnë thjesht në protokolle.

Po thoni se do shkoni te koalicioni i mazhorancës duke thënë se keni shpresë për një ringritje. Ju thatë o në pushtet o në opozitë...?

Kjo në varësi të zgjedhjeve. Këtë e përcaktojnë shqiptarët. Kjo lloj mazhorancë do të hyjë me Berishën, por unë gjykoj se nëse do të vazhdoj të merrem me politikë, sigurisht që do merrem me të djathtën. Unë nuk heq dorë asnjëherë nga çështja e pronave. Në filozofinë e LZHK, unë gjykoj 3 çështje të mëdha. Së pari duhet riformuar Kushtetuta e Shqipërisë duke filluar që nga mandatet e personave në poste të ndryshme. E dyta duhet një riorganizim i pushtetit lokal sepse është bërë vendi i principatave lokale. Së treti duhet një reformë elektorale të mos lejojë forcat centrifuge.

Ju keni 3 principe tuaja, ia thatë Berishës këto kur u takuat?


As ja thashë dhe as më tha gjë Berisha. Sepse ai nuk është ndonjë kalama shkolle që nuk i di këto që them unë.

Për çfarë shkoni me atë?

Nuk i kërkova ndonjë gjë më tepër. Le të bëjmë dhe një copë rrugë bashkë.

Nëse nuk ju premton çështjen e pronave, apo legalizimet?

Legalizimet po i bën. Unë atë punë do bëj për pronat, për pushtetin lokal etj edhe kur të jem në koalicion.

Pse nuk i vutë kushte?

Sepse nuk jam gati ti vë kushte. Po t`i kisha ato 100 mijë vota do flisja ndryshe.

Sa shanse ka kjo mazhorancë që të fitojë zgjedhjet?

Kur hyhet në garë hyhet për të fituar. Shanset janë për të fituar dhe kjo varet nga ky grupi që do ta drejtojë këtë punë.

Cilat janë fytyrat e korruptuara?

Fytyrat e korruptuarat do t`i përcaktojë gjykata.

Ju i dini?

Unë i mendoj.

Ju kë do t`i thoshit Berishës se duhet të korrigjojë?

Kur ta takoj do t`ia them.

Po për zotin Topi?

Unë nuk kam gjë. E përgëzoj për vlerat e veta. Unë luaj djathtas ai luaka në mes.

Mendoni se Topi do kalojë majtas?

Nuk e di, çdo gjë mund të ndodhë. Shpresoj t`i qëndrojë qendrës së djathtë.

A ju merr vota zoti ju Topi?

Unë marr Lushnjen, po të hapësh librat aty janë marrë më shumë. Ku ka shqiptarë, e quaj veten të nderuar. Edhe mund të marr Topi vota nga pjesa ime. Një pjesë e tyre të djathtë janë antiberishë dhe mund të kalojnë në anën e tij. Unë nuk përjashtoj asgjë. E bëj me qetësi analizën politike.

Do vendosë sërish LSI?

Unë shpresoj që jo. Sepse nuk mund të rrish në një qeverisje peng sikur të jetë një shoqëri aksionere.

Po polin e qendrës si e shikon?

Unë nuk e shikoj fare ku është.

Dule ka thënë se po të bashkohet me Topin marrin 6 deputetë?

Pol të qendrës nuk ka. Në Shqipëri është dramë që politikën e kemi bërë bipolare. Krijimi i një poli është më shumë sesa një ide për të shmangur kontradiktat me partitë e mëdha, është një mënyrë për t`i shpëtuar kodit. Ata nuk kanë asnjë lidhje ideore me njëri-tjetrin.
 
Çfarë mendoni për Aleancën e Kuq e Zi?

Unë kam parë që kanë marrë programin tim.

E kanë kopjuar?

Jo e kanë pëlqyer. Kjo më duket e frikshme që ne bëjmë referendume. Larg qoftë se ky referendumi nuk e do bashkimin, çfarë do bëjmë ne? Po luhet pak. Në politikë luhet. Por të luhet me këto lloji tezash është pak e rrezikshme. Le të bëjmë njëherë këto punë brenda vendit që do të thotë ta bashkojmë vendin me rrugë, e në rrugë mediatike etj. Shumë nga tezat që ka pasur LZHK i kanë marrë e trumbetojnë me forcë.

Taksën progresive si e mendoni?

Nuk jam me zotin Berisha për shumë gjëra. Megjithatë nuk shikoj asnjë paragjykim për këtë. Po qe për rritje ekonomike ka të drejtë Berisha. Po të qe për drejtësi sociale kanë të drejtë ata të tjerët. Kjo beteja për taksat është vetëm për biznesin që i ndjejnë.

Jeni dakord me shifrën e Ramës se ka 1 milion të papunë?


Jo se Rama ja fut ndonjëherë edhe kot.

Ju ka mbetur hatri nga Topi që nuk ju zgjodhi në krye të KLSH?


Hatri më ka ngelur shumë për këtë.