Daut Hoxha, luftëtari çam që u
përball me grekët e Enver Hoxhën

Daut Hoxha, luftëtari çam që u<br />përball me grekët e Enver Hoxhën
Daut Qamil ef. mullà Qemal Bejdeshati lindi më 1896 në Dhrohomí, fshat 13 km. në jug të Paramithisë. Shpërthimi i Luftës Ballkanike e gjeti 16-vjeçar, por edhe pse fare i ri, si bir i një familjeje me të kaluar disa brezshe luftareke prijëse, u përfshi në të tok me bashkëfshatarët e vet gjatë përballjes së ushtrisë dhe andartëve grekë. Madje u shqua edhe si një guximtar i rrallë.

Pas «rënies së Janinës», çamërit s’kishin më kurrfarë mundësie për përballje të mëtejshme me fuqitë greke; pas 2-3 ditësh ushtria greke vërshoi nëpër Çamëri me zjarr e hekur. Së pari ajo shkoi në plumb e thikë tërë atdhetarët luftëtarë që mundi të shtinte në dorë. Vetëm prej atyre të rrethit të Paramithisë griu me plumba e thika 100 prej tyre, ndër të cilët edhe të famshmit prijës luftëtarësh, Fuat aga Prronjon dhe Subhí bej Dinon. Në kushte të tilla shumë çamër me emër rrëmbyen sërisht armët dhe morën malet për mbrojtjen së pari të kokës së vet, ndër ta edhe im atë, të cilin e zgjodhën edhe kryesues të çetës më të madhe dhe më të fuqishme. 

Gjatë luftimeve me njësitet ushtarake dhe andarte u plagos dy herë, por mundi t’i shpëtonte vdekjes.

Vdekjen prej tij dhe pjestarëve të çetës e gjetën plot ushtarakë, nëpunës titullarë dhe keqbërës të tjerë, ndër ta edhe disa priftërinj. Kështu vazhdoi deri më 1925, kur dy shkaqe kryesore e detyruan që çetën ta kalonte brenda kufirit të shtetit shqiptare, nga ku vazhdoi edhe veprimtarinë e mëtejshme. Mësuesi Abedin Dinua nga Paramithia më pati thënë: «Kur të afërmit e mi më dërguan në Konispol, shtëpia e Daut Hoxhës ngjante me një gazermë ushtarake; 10-15 luftëtarë çamër niseshin për veprime përtej kufirit, 15-20 të tjerë ktheheshin nga përtej tij. Ishin të gjithë nga ajka e trimërisë çame».

Për ndërprerjen e kësaj veprimtarie qeveria greke brenda kufirit të shtetit shqiptar dërgonte çeta gjaksorësh, të cilat me ndihmën e qendrave të veta nëpër fshatrat e banuar prej të krishterësh dhe grekfolësish kishin mundur t’i ngrinin disa prita, nga të cilat pati shpëtuar me dy plagosje radhazi. Qeveria e Zogut, në trysninë dhe kërcënimin e qeverisë greke e internoi në Lezhë, Krujë e Elbasan. E meqë ai sapo kthehej nga internimet, fillonte veprimtarinë, po me kërkesën kërcënuese të qeverisë e qiti para gjyqit politik, ku qeveria greke kishte edhe prokuror edhe avokatë. Trupi gjykues i vënë para dokumentesh të pakundërshtueshme veprimet e tij i quajti kombëtare e jo kriminale, siç ngulmonte pala greke. Rrjedhimisht e quajti «të padorëzueshëm». Meqë qeveria greke vazhdonte dërgimin e çetave këndej kufirit për ta vrarë dhe qeveria shqiptare s’i lejonte mbajtjen e armëve luftarake, u detyrua të merrte përsipër kujdestarinë e kullotave dhe pronave të tjera që angonàtët dhe gjirokastritët e tjerë kishin në Vurg.

Kjo i ktheu të drejtën për mbajtjen vet të armëve luftarake si edhe 3 shoqëruesve të tij; njëkohësisht ai u bë edhe sipërmarrës i lëndës së drurit që vilej nga shpyllëzimet e maleve të Soronésë, ku mori edhe plot nga ish-bashkëluftëtarët e tij disa si druprerë e disa mbartës të lëndës së prerë dhe ngarkimit nëpër benzinatat e dërguara nga Saranda. Kjo e vërtetë gjëndet e pasqyruar në një dokument arkival.

Me këtë rast u bë edhe tmerri i veprimtarëve asfalianë në fshatrat e atyafërme, gjë që shkaktoi protestën e disa hershme të qeverisë greke drejtuar asaj shqiptare. Kjo gjëndje vijoi deri kur shteti shqiptar u pushtua nga ushtria italiane. Që orën e parë të shkeljes në Konispol, karabinieria italiane e rrethkomandës së atjeshme urdhëroi ndalimin e armëmbajtjes luftarake nga Daut Hoxha, si edhe të shoqëruesve të tij të armatosur, sepse «mbanin armë greke», kur ai dhe shoqëruesit e tij mbanin mauzerë turq. Armë greke mbanin disa të tjerë me armiqësi vetjake, si vrasës, por atyre ua lanë. Në këto kushte çetat greke u shpeshtuan dhe lëviznin gati sheshit rreth Konispolit, deri sa prej «miqve» të pabesë mësuan të parin udhëtim të tij nëpër udhën këmbësore Konispol-Sarandë. E pritën në vendin «Sheshi i Rrahut» dhe e qëlluan befasisht më 14.6.1940.

Për mos zbulimin e informatorëve dhe bashkëpunëtorëve në vrasje, rrjeti asfalian brenda kufirit të shtetit shqiptar filloi tërmetin, derisa vuri në gjumë komandën e legjionit të karabinierëve. Zhurma e rrjetit grek sheshit u ndërpre gjatë Luftës, ngase s’mundej. Këtë valë asfaliane e shpërthyen  edhe më me ashpërsi P. P. Sh-istët sapo vunë në dorë dejtimin e shtetit shqiptar, duke filluar nga Enver Hoxha e tatëpjetë. Pasojat mbi ne të bijtë ishin të papërshkruara, edhe pse familja jonë ishte nga familjet më të dalluara gjatë Luftës Nçl. 
 
Tiranë, dt. 15.6.2016.  
 

Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A respektohen të drejtat e punëtorëve në Shqipëri?



×

Lajmi i fundit

GOLAT/ Cristiano Ronaldo 'si vera', shënon dopietë dhe dërgon Al Nassr në finalen e Kupës

GOLAT/ Cristiano Ronaldo 'si vera', shënon dopietë dhe dërgon Al Nassr në finalen e Kupës