David Brooks: Si do ta
ngiste Krishti makinën?

David Brooks: Si do ta<br />ngiste Krishti makinën?<br>
Në këto vitet e fundit ja kemi dalë mbanë për të vënë në krye të shoqërisë njerëz plotësisht të pacipë: Trump, Bannon, Ailes, Weinstein, Cosby, etj. Ndaj na erdhi tamam në kohë vërejtja, që bëri Papa Françesku në fjalën e mbajtur natën e Vitit të Ri, që njerzit, të cilët ndikojnë më shumë në shoqëri, janë në fakt njerzit e thjeshtë, nëpërmjet sjelljeve të tyre normale të përditshme, që tregojnë njerzillëk në vende publike, vëmendje ndaj të moshuarve.

Papa i quajti këta njerëz me një frazë aq të bukur: “artizanët e së mirës së përbashkët”. Veprime të vogla, tha ai, “shprehin dashurinë e prekshme për qytetin … jo me fjalime apo për bujë, por me edukatën qytetare, të mishëruar në jetën e përditshme”. Papa u përqëndrua veçanërisht në ngarjen e makinës, duke çmuar ata njerëz “që lëvizin në trafik me kujdes dhe mirësi”. Si thekson Richard Reeves nga Brookings Institution, ngarja e makinës është tamam ajo lloj veprimtarie e përditshme, nëpërmjet së cilës njerzit formojnë kulturën e komunitetit të tyre.

Nëse e rrisni shpejtësinë për të mos i hapur krahun dikujt, i tregoni atij tjetrit që shoqëria në këto anë është në kacafytje dhe jo në bashkëpunim. Nëse, përkundrazi, i jepni një shenjë miqësore atij që ju hap krahun, i tregoni atij tjetrit që ky është një vend, ku njerzillëku vlerësohet dhe mirënjohja shprehet.

Nëse mendoni se jeni plotësisht në të drejtën tuaj për të marrë kthesën në një rrugë të ngarkuar me trafik, duke bllokuar të tjerët që shkojnë e vijnë, tregoni që njerzit këtu janë egoistë dhe mëndjemëdhenj. Por, nëse prisni derisa të vijë rradha juaj në një rrugë daljeje, në një autostradë të ngarkuar me trafik, pa shfrytëzuar momentin për të dalë, tregoni që njerzit këtu kanë ndjenjën e drejtësisë, barazisë dhe kolektivitetit.

Ngarja e makinës rregullohet me ligj, por edhe nga norma të ngjizura nga tradita e komunitetit. Në qoftë se shumica e njerzve përqafojnë të njëjtën mënyrë të ngarjes së makinës, atëhere kjo mënyrë çelnikoset në një prirje kolektive. Sa më shumë njerzit njihen me normat mbizotëruese në një vend të caktuar, aq më shumë priren t’i ndjekin edhe ata këto norma, njësoj si orteku, që, sa më i madh bëhet, aq më shumë dëborë mbledh mbi vete. Njerzillëku kultivon njerzillëk. Agresiviteti kultivon agresivitet.

Të gjithë e dimë që kultura e të ngarit të makinës ndryshon shumë nga qyteti në qytet. Kam përshtypjen që njerzit në Seattle e marrin shtruar kur janë në timon, njerzit në Los Angeles të rrinë me mjeshtëri dy gisht ngjitur pas makinës dhe ne, nga zona e New York/New Jersey e konsiderojmë të ngarit e makinës sikur të ishte një përleshje për jetë a vdekje.

Sigurisht që studimet në këtë fushë nuk mungojnë. Sipas Allstate, shoferët më të prirur për aksidente jetojnë në Boston; Baltimore; Worcester, Massachusetts; Washington, DC dhe Springfield, Massachusetts. (Bravo Massachusetts!) Shoferët më të sigurt jetojnë në Kansas City, Kansas; Brownsville, Texas; Madison, Wisconsin dhe Huntsville, Alabama. Një shoqëri që quhet Automatic prodhon një aparat, që vlerëson se si lëvizin makinat në trafik. Të dhënat e mbledhura nga ky aparat tregojnë që shoferët në Phoenix, Tuscon dhe Memphis janë nga më agresivët dhe ata në Honolulu, Portland, Oregon dhe Seattle janë ndër më pak agresivët.

Ndryshimet kulturore ndërmjet kombeve janë edhe më të spikatura. Sipas një sondazhi të bërë nga Gallup në 2003, 65% e shoferëve amerikanë dhe rusë u shprehën që kishin qënë viktimë e agresivitetit të shoferëve të tjerë, krahasuar me 26% të shoferëve japonezë. Ekzistojnë ndryshime të ndjeshme në kulturën e të ngarit të makinës ndërmjet veriorëve të disiplinuar europianë, krahasuar me jugorët, që janë më të shpenguar e, për pasojë, nuk i respektojnë vijat ndarëse ndërmjet korsive.

Për zbatimin e disa prej modeleve të trafikut duhet një farë tradite respekti ndaj autoritetit qëndror. Sipas revistës The Economist, gjysma e rrathëve të trafikut në botë janë në Francë dhe funksionojnë për bukuri. Në Nairobi ky model trafiku është një llahtar i vërtetë. Të ngasësh makinën do të thotë që gjatë gjithë kohës të marrësh njëmijë vendime të vogla morale: të hapësh apo të mos hapësh krahun, t’i biesh burisë sa për të tërhequr vëmendjen, apo t’i biesh papushim, për të treguar përbuzjen ndaj njerzimit.

Kur ngasim makinën vihemi gjatë gjithë kohës para pyetjes: jemi në një vend ku ekziston një sistem vetë-përmbajtjeje, apo jemi në një vend ku ha qeni të zonë? Kur ngasim makinën vihemi gjatë gjithë kohës para pyetjes: janë nevojat e mia më të rëndësishme se ato të të tjerëve, apo jemi të gjithë të barabartë? Shoferët e BMW-ve janë më pak të prirur të frenojnë në udhëkryq për këmbësorët. Shoferët e Prius (makinë e lirë) në San Fransisco kryejnë më shumë shkelje të rregullave të trafikut. Njerzit që e mbajnë veten si më të pasur a më të mirë se të tjerët janë më agresivë në timon.

Kur ngasim makinën vihemi, gjithashtu, në provë për të mposhtur dëshirën për t’u hakmarrë. Kur dikush na pret rrugën duam t’ia marrim shpirtin idiotit dhe t’i tregojmë vendin. Po kjo gjë vetëm e keqëson gjendjen, kështu është më mirë, si do të thoshte Papa Françesku, të kthejmë faqen tjetër.

Si do ta ngiste Krishti makinën?
Me një llaf, kur ngasim makinën vihemi në situata shoqërore, ku duhet të ndërtojmë sëbashku një kulturë të përbashkët qytetarie dhe të mposhtim instiktet egoiste dhe ta bëjmë këtë gjë ndërsa jemi të ngujuar në këtë armë potenciale prej metali që rëndon 2.000 kile.

Sigurisht që të gjithë jemi të llahtarisur nga kllounët që kanë marrë frenat e po na qelbin dynjanë. Po unë, kur të ngas makinën, do të përpiqem të mbaj vëth në vesh këtë mësim: Edhe pse mund të jem i rrethuar nga idiotë, do të përpiqem të jem potencialisht artizan i së mirës së përbashkët.

https://www.nytimes.com/2018/01/04/opinion/how-would-jesus-drive.html

d.c./shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë