/ATSH-AFP/ - Kryeministri turk, Ahmet Davutoglu është ngarkuar zyrtarisht sot nga ana e presidentit Recep Tayip Erdogan që të formojë kabinetin e ri qeveritar, dy javë pas fitores së bujshme të partisë së tij islamiko-konservatore në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 1 nëntorit.
"Erdogan i ka kërkuar zyrtarisht Davutoglusë, pasardhësit të tij në krye të Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP), të formojë të 64-ën qeveri turke, gjatë një takimi në pallatin presidencial në Ankara", bëri të ditur presidenca në një deklaratë të postuar sot në faqen e saj në internet.
Kryeministri duhet të shpallë nesër ose pasnesër listën e ministrave, ku priten të jenë të listuar mbështetës të shumtë të Erdoganit që i qëndrojnë besnikë vijës së tij politike.