Një shqiptar ka rënë në pranga e policisë në Kolumbi, pas një operacioni të agjencisë amerikane, DEA, i akuzuar për trafik droge. Mediat e huaja bëjnë me dije se shqiptari i arrestuar është Agim Çerma, nga Lushnja, i cili ishte edhe koka e grupit kriminal, ndërsa njihej me pseudonimin 'Jimmy'.

Veç shqiptarit, në pranga ranë edhe 4 bashkëpunëtorët e tij, për qëllime ekstradimi në Amerikë, aksion që u ndërmor në përgjigje të një kërkese nga një gjykatë e SHBA.  Burime për ReportTv bënë me dije se të përfshirë në këtë aksion kanë qenë edhe policia shqiptare.

Shqiptari Çerma ishte përgjegjës për koordinimin e rrugëve për të bërë të mundur trafikimin e kokainës. Ai merrte para nga grupet kriminale në Europë  dhe blinte kokainë në zonën e Cauca në Kolumbi, e më pas garantonte dërgimin e drogës në fluturimet nga aeroporti ndërkombëtari ‘Alfonso Bonilla Aragón de Palmira’. Po ashtu, ai fuste kokainë në SHBA nëpërmjet porteve të ishujve Karaibe.

Çerma dhe bashkëpunëtorët e tij ishin të lidhur edhe me ‘Klanin e Golfit’ dhe grupe të tjera kriminale për të blerë dhe transportuar kokainën, ndërsa kishin vendosur kontakte me kontrollorët e trafikut ajror, për t’i lejuar ata të nisnin ngarkesën.

Të arrestuarit e tjerë janë William Cruz Pérez, Pedro Antonio Penagos Londoño, Jairo Fernando Cardona López dhe Edëin Durlandy Montilla González.

Gjatë operacionit, u kapën më shumë se 333 kilogramë kokainë dhe më shumë se 100 mijë dollarë.