Gjashtë persona, mes tyre shqiptarë, janë arrestuar në Anversë të Belgjikës si pjesë e një organizate ndërkombëtare të trafikut të kokainës. Bëhet fjalë për shqiptarë e rumunë të moshave 25 deri në 38 vjeç.
Të martën u kryen shtatë kontrolle. Katër prej tyre u zhvilluan në Belgjikë, konkretisht në Hoboken, Grimbergen, Jette dhe Ninove. Hetuesit belgë bashkëpunuan me autoritetet policore spanjolle dhe Europol-in.
Gjatë kontrolleve, autoritetet sekuestruan 21 pako kokainë, materiale për paketimin e drogës, një makinë për numërimin e parave, një sasi kanabisi të përgatitur për shitje, pajisje për ngritjen e një plantacioni kanabisi, dokumente identiteti të falsifikuara dhe një shumë parash.
Në muajt e fundit, hetuesit kanë identifikuar 21 raste për transport droge, 6 prej të cilave janë identifikuar nga autoritetet dhe janë pasuar nga sekuestrime.
Sipas hetimeve, rrjeti trafikonte kokainë përmes Belgjikës drejt Mbretërisë së Bashkuar. Ky aktivitet u ka siguruar përfitime në rreth 25 milionë euro. Droga mbërrinte përmes portit të Anversës dhe më pas magazinohej për periudha të shkurtra në apartamente me qira në qytetin e Anversës dhe zonat përreth. Këto ambiente merreshin përmes platformave online të rezervimit dhe përdoreshin për ripaketimin e lëndës narkotike.
Më pas, kokaina vendosej në çanta sportive dhe transportohej me kamionë drejt Mbretërisë së Bashkuar.
Hetimi ka nxjerrë gjithashtu në pah një lidhje me Spanjën, ku dyshohet se qëndrojnë disa prej anëtarëve të rrjetit kriminal.








Komente
Komento